Nishani: Nënë Tereza, dhurata më e mrekullueshme, e paçmuar e kombit
Presidenti i Republikës Bujar Nishani mori pjesë sot paradite në Meshën kushtuar Shenjtërimit të Nënë Terezës, të mbajtur nga Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, Presidenti i Konferencës Ipeshkvore Imzot Angelo Massafra në Katedralen “Nënë Tereza” të Sapës –Vau i Dejës. Në këtë Meshë të shenjtë të nivelit kombëtar, ishin të pranishëm Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë Imzot Ramiro Moliner Ingles, Ipeshkvi i Tiranës, Imzot George Fredo, Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës Zef Hila, Kryetarja e Këshillit të Qarkut të Shkodrës, drejtues dhe përfaqësues të bashkësive fetare si dhe klerikë dhe besimtarë nga të gjitha dioqezat në Shqipëri.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani u shpreh se ndihej i nderuar dhe privilegjuar që merrte pjesë në këtë meshë sa të veçantë aq edhe kuptimplotë: “Duke ju falënderuar pamasë për ftesën, dëshiroj të ndaj me ju emocionet e papërsëritshme që përjetova pak ditë më parë me rastin fatlum të pjesëmarrjes në ceremonitë e mbajtura në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Jo më larg se një javë më parë, besimtarët katolikë, bota mbarë, përjetoi me përdëllim tri ditët kremtuese historike që kurorëzuan shenjtërimin e Nënës Terezës nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.
Tash do ta kemi të gjithë paksa të vështirë t’i drejtohemi shqiptares së rrallë si Shenjtorja Terezë, por sidoqoftë jemi të sigurt dhe krenarë njëkohësisht se Nënë Tereza përfaqëson dhe mishëron dhuratën më të mrekullueshme e të paçmuar që kombi shqiptar i ka bërë mbarë njerëzimit. E shenjta jonë Terezë ishte dhe mbetet simboli dhe shembulli më i mirë i fisnikërimit dhe vlerave njerëzore të një përmase botërore.”
Me tej në fjalën e tij, Kreu i Shtetit duke ndarë përshtypjet e pranisë në kremtime si President i Shqipërisë tha se: “Përshtypjet të mbytura me emocione dhe krenari të parrëfyeshme do të mbeten të gdhendura përjetë e të pashlyeshme jo vetëm në kujtesën time si individ, por në mbarë historinë e lashtë të kombit tonë. Duke parë mijëra e mijëra pelegrinë dhe besimtarë të ardhur nga të katër anët e botës, duke përjetuar ato emocione që fati na i dhuron ndoshta një herë të vetme në jetë, duke takuar personalitete apo njerëz të thjeshtë, u mbusha me besimin e palëkundur tek njeriu, me bindjen se njeriu pavarësisht statusit shoqëror, politik apo institucional, matet, peshohet, gjykohet dhe mbahet mend përjetë vetëm në saje të veprave të mira e të dobishme që ka bërë për njerëzimin dhe emrit të mirë që le pas. Jeta, vepra, shembulli dhe gjithçka që Nënë Tereza mishëronte, deri në shenjtërimin e Saj, i dëshmuan dhe i provojnë mbarë botës se të gjithë njerëzit janë të barabartë para Zotit dhe të gjithë duhet të jenë të bashkuar dhe t’i luten Atij për të njëjtat vlera, për të njëjtat parime dhe për atë që është më thelbësorja te njeriu, për besimin. Le të mos harrojmë kurrë mësimin e saj më të vyer, të Shenjtores sonë, e cila tashmë i përket jo vetëm Kishës Katolike, por mbarë njerëzimit: Gjithmonë mundohuni të bëni vepra të mira e të vogla, por me dashuri të madhe!”
“Nënë Tereza ishte një shenjt para se ajo të shpallej zyrtarisht e tillë, sepse parimet dhe vlerat që përcillte shtatvogla, por vepërmadhja, Gonxhe Bojaxhi gjatë gjithë jetës së saj ishin ato të shërbimit të devotshme e pa kurrfarë shpërblimi ndaj atyre që e kishin më shumë të nevojshme dhe çdokush tjetër shërbimin, përkujdesjen, mirëkuptimin, ndihmën dhe dashurinë, ndaj më të varfërve e të pamundurve, ndaj më të pafatëve, ndaj më të sëmurëve, ndaj më të përvuajturve mes nesh dhe Nënë Tereza ishte ngahera mes tyre dhe pranë tyre.”
Sot Shën Tereza vazhdon nga atje lart në Qiell t’u dhurojë atyre besimin, forcën e duhur për të kapërcyer vuajtjet e për t’i ua lehtësuar ato të gjithë atyre që e kanë të nevojshme. Ajo vazhdon të në shoqërojë e të na bekojë me atë buzëqeshjen e saj të ëmbël amësore, duke na frymëzuar që dita-ditës të bëhemi edhe më njerëzorë, të sillemi edhe më mirë ndaj njëri-tjetrit, të kryejmë çdo çast vetëm vepra të mira, por gjithmonë me një ndjenjë të thellë dashurie dhe dhimbsurie. Lartësimi i jetës dhe veprës së saj – pse jo edhe mrekullive që bëri e që iu njohën e vërtetuan botërisht, na mbushin me ngazëllim si shqiptarë, sidomos kur shohim figurën e Shën Terezës në ballin e Bazilikës së Vatikanit që shkëlqen me buzëqeshjen e saj hyjnore dhe para së cilës gjithë bota kalon duke u përulur me respekt, nderim, lutje, përdëllim të parrëfyer. Për ne ky është një çast krenarie, sepse prej kohësh na drejtohen dhe me shumë të drejtë dhe për fat të madh, si kombi që i dha jetë, e rriti dhe e brumosi Nënë Terezën, si kombi që i dhuroi botës një shërbyese të njerëzimit si Ajo, si kombi që ka pasur brenda dhe përmban në vetvete njerëz të rrallë e vyer si Ajo, të cilët i përkasin pjesës së njerëzimit që është aq shumë e lidhur me dëshirën për t’u ndeshur me të keqen, për ta mundur të keqen dhe për t’i shëruar pasojat që le e keqja pas vetëm me dashuri dhe me forcën hyjnore që merr nga besimi dhe Zoti.” – u shpreh Presidenti i Republikës.
Në vijm Kreu i Shtetit vlerësoi përpjekjet e shqiptarëve për të ruajtur identitetin kombëtar: “Nënë Tereza është shembulli më i shkëlqyer i kësaj dhe me të drejtë shqiptarët, të cilët edhe për shkak se fati dhe historia nuk kanë qenë edhe aq bujarë me ta, frymëzohen dhe krenohen nga gjithçka përfaqëson Shenjtorja jonë e vyer për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, për të ruajtur dhe përçuar trashëgiminë mijëravjeçare të identitetit tonë, tashmë të pasuruar mrekullisht edhe me një xhevahir të rrallë mbarë botëror”.