Nishani pritet përzemërsisht në Vuthaj të Malit të Zi, në tubimin tradicional

Presidenti i Republikës Bujar Nishani mori pjesë në tubimin tradicional shumëvjeçar popullor “Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2016” që u mbajt në Vuthaj, në Mal të Zi me një pjesëmarrje masive nga shqiptarë të ardhur nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe mbarë trojet e banuara nga bashkëkombasit tanë në Ballkan, diaspora madje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe Australia e largët.

2Prania e Presidentit Nishani u përshëndet përzemërsisht nga organizatorët si dhe nga banorët e shumtë, të cilët e mikpritën vëllazërisht duke qenë kjo vizita e parë e një Kreu të Shtetit shqiptar në Plavë dhe Guci.

Gjatë tubimit Presidenti Nishani dhe të pranishmit ndoqën me ëndje koncertin festiv me artistë të ndryshëm, një ekspozitë me piktura, dhe më pas u zhvilluan garat popullore dhe tradicionale të tërheqjes së litarit, hedhjes së gurëve, garës me kuaj, etj.

Presidenti Nishani në festën e këtij viti, duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi: “’Një komb matet me njerëzit e tij të shquar’, – ka shkruar shkrimtari i shquar me origjinë shqiptare Ernesto Sabato.

Edhe krahina e Plavës dhe Gucisë, krahinë të lirisë do ta quaja unë, ka shumë personalitete të shquar më të cilët krenohet jo vetëm Plava e Gucia, por edhe historia dhe kultura kombëtare.

Me shpirt luftarak dhe me këtë vetëdije lirie të trashëguar brez pas brezi, bijtë e bijat e Plavës dhe Gucisë, dhe të zonave për rreth, u rezistuan shekujve, duke ruajtur gjuhën, traditat, virtytet e larta njerëzorë të besës e mikpritjes, mitet, folklorin e legjendat që janë dhe mbeten një pasuri që ka mahnitur edhe udhëtarët e huaj dhe këdo që ka përshkruar këto vise.

3Është kjo traditë e ky shpirt i pasur që reflektohet në veprat e akademikëve, shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj që kjo krahinë i ka dhënë kombit shqiptar, si: Esat Nokshiqi, Jashar Rexhepagiqi, Hasan Mekuli, Rexho Mulliqi, Rexhep Ferri, Ali Ahmeti, Rexhep Qosja, Isuf Dedushaj, Isa Qosja, Isuf Ulaj, Xhevdet Ferri, Zake Prelvukaj, Mimoza Ahmetaj, dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët kanë kontribuar me penë e me mendje për të ruajtur traditat, kulturën dhe gjuhën shqipe.

Me dhjetëra e dhjetëra profesorë universitarë, studiues, politikanë, ushtarakë, aktorë, muzikantë, sportistë, mjekë, biznesmenë të shquar, profesionistë të zotë të të gjitha fushave, i kanë dhënë emër jo vetëm kësaj krahine, me intelektin, talentin, punën, përkushtimin dhe humanizmin, vlera që i kanë dëshmuar edhe në kohët më të vështira për kombin tonë. Burra e gra të kësaj zone që zënë një vend nderi në panteonin e vetëdijes dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Një mirënjohje të përjetshme për të gjithë ata, të cilët e skalitën këtë panteon me dijen, mundin, gjakun dhe jetën e tyre, nga dashuria e madhe për lirinë, për flamurin dhe identitetin kombëtar, me përpjekjet shekullore për çlirim e përparim, me kurajën e jashtëzakonshme të sakrificës, solidaritetit dhe ndërgjegjes kombëtare.

Burra e gra të kësaj zone që emrin e shqiptarit po e vendosin në piedestalet e nderit jo vetëm në trojet shqiptare në Ballkan, por edhe në Evropë, Amerikë, Australi dhe çdo cep të botës ku jetojnë dhe punojnë.

4

Prandaj përfitoj nga rasti që të thërras me dinjiteti dhe krenari: jam shqiptar!”

Në fjalën e mbajtur në Vuthaj, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh gjithashtu se: “Ne shqiptarët, si komb, më në fund në këtë fillim shekulli kemi filluar t’i shijojmë dhe gëzojmë hapësirat e lirisë dhe po punojmë çdo që ato të jenë sa më të mëdha për të gjithë ne, si dhe për rajonin dhe më gjerë.

Shqipëria tashmë është demokratizuar, është anëtarë e NATO-s dhe në rrugë të mbarë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe po përparon me shpejtësi dhe e sigurt drejt integrimeve euro-atlantike.

Shqiptarët në Maqedoni janë faktor paqeje dhe stabiliteti i Maqedonisë dhe rajonit. Vëllezërit tanë në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë po ruajnë me shumë forcë dhe çdo ditë e më shumë po arrijnë të drejtat e tyre, edhe pse më shumë vështirësi. Shqiptarët në Mal të Zi, janë kontribuesit kryesorë për pavarësinë e Malit të Zi dhe sot çdo ditë e më shumë po i arrijnë të drejtat e tyre që i meritojnë dhe ju takojnë edhe me kushtetutën e Malit të Zi.”

Presidenti Nishani nënvizoi se: “Fati i kombit tonë ka bërë që të jetojmë të ndarë në 5-6 shtete në Ballkan. Sot, të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në trojet e veta në rajon, pa marrë parasysh ku jetojnë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi apo Mal të Zi, e kanë një qëllim dhe një rrugë, të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Sot shqiptarët janë modeli i bashkëjetesës dhe harmonisë. Le të ndërtojmë të gjithë së bashku një rajon të vlerave, një rajon me human, ku qytetarët jetojnë në paqe e në harmoni me njëri-tjetrin, një rajon ku s’ka vend për urrejtje dhe padurim ndaj tjetrit, një rajon ku respekti dhe mirëkuptimi të jenë vlera të qytetarisë evropiane.

Hapësirat e reja te lirisë, paqja dhe mirëkuptimi në rajon, respektimi i vlerave të gjithsecilit, ndërtimi i rrugëve dhe mundësia e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave, njohja nga afër dhe bashkëpunimi në mes të të gjitha kombeve në rajon, largimi i urrejtjes dhe paragjykimeve për njëri-tjetrin do ta bëjnë rajonin tonë me të qetë, me të sigurt dhe me të zhvilluar dhe për këtë shqiptarët janë në pararojë. Shqipëria dhe kombi shqiptar në përgjithësi e ka zgjedhur me kohë këtë drejtim.”

4

SHKARKO APP