Nishani paralajmëron kthimin e ligjit për mbetjet: Nuk do zhgënjej qytetarët

Presidenti Bujar Nishani ka dhënë sinjale të qarta sot se nuk do të dekretoj ligjin për importin e mbetjeve, të miratuar dy javë më parë në Kuvend. Në të njëjtën orë që Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësues të shoqatës së ricikluesve, i dyti brenda pak ditëve, Presidenti Nishani takoi shoqatat kundër importit të mbetjeve.

Në detajet e zbardhura nga takimi, Presidentit ka theksuat se si Kryetar shteti dhe si prind nuk do të zhgënjejë interesin e qytetarëve. “Çështjen dhe kauzën tuaj, për të cilën duhet të vazhdoni të këmbëngulni, po e trajtoj me shumë seriozitet ligjor, institucional dhe personal, jo vetëm në cilësinë e Kreut të Shtetit, por edhe si një qytetar shqiptar dhe si prind. Ju garantoj se përsa kohë do të jem në këtë Zyrë, nuk do ta zhgënjej asnjëherë interesin publik të qytetarëve!” – u shpreh Presidenti Nishani.

Qëndrimi i kreut të shtetit duket se paralajmëron kthimin e ligjit shumë të diskutuar për mbetjet. Kreu i Shtetit shqiptar, duke e konsideruar çështjen e Ligjit për Importin e Mbetjeve si të një rëndësie madhore, me një ndjeshmëri të madhe në opinion publik e me ndikim të gjerë dhe afatgjatë në jetën e qytetarëve shqiptarë, e çmoi së tepërmi takimin konsultues me përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambjentalistët si “shumë të vlefshëm në procesin e shqyrtimit dhe dekretimit të tij me seriozitet dhe përgjegjësi maksimale”.

Presidenca njoftoi se takimi konsultues u thirr nga kreu i shtetit përpara se ai të shprehet si interpretues i parë i Kushtetutës së Republikës. Sipas Presidencës, ky takim  është i rëndësishëm, jo vetëm në aspektin juridik dhe legjislativ, por edhe në atë të interesit të qytetarëve për shkak të ndjeshmërisë së madhe që ka shkaktuar në opinion publik aprovimi i këtyre ndryshimeve ligjore në Kuvend.

Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave, ekspertë mjedisorë dhe qytetarë, të cilët ngritën shqetësimin dhe parashtruan para Kreut të Shtetit kërkesën për mosdekretimin e disa ndryshimeve në Ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe rikthimin e tij për shqyrtim në Parlament.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama, në takimin me ricikluesit dhe krerët e bashkive, e konsideroi çështjen e mbetjeve si “çështje me sensibilitet të madh për qytetarët”. “Ndalohet rreptësisht importi i plehrave për djegie apo groposje. Autorizimi për importin e mbetjeve iu jepet vetëm subjekteve që riciklojnë. Nëse nuk do të ndërmerrnim këtë hap do të shkonim drejt një humbjeje të madhe në disa plane. Do të humbisnim 234 milionë euro në teknologji, nëse nuk miratohej ligji”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “industria ricikluese duhet të jetë një nga motorët e zhvillimit ekonomik” në vendin tonë. “Shqipëria sot është më e pastër seç ishte 3 vjet më parë, por ende nuk është aq i pastër sa duhet. BE-ja synon që në vitin 2020 të ketë mesatare të riciklimit të mbetjeve 50%. Është ambicie shumë e madhe, ndërsa ne duam që deri në këtë vit të jemi mbi 35%”, shtoi kreu i qeverisë. Rama tha se kjo bëhet vetëm duke pasur një marrëdhënie të mirë mes bashkive dhe industrisë ricikluese

SHKARKO APP