Nisin protestat në mbarë vendin, bllokohet rruga në Kavajë, Shkodër e Lezhë

Pas protestës 6 ditore të studentëve, qytetarët janë ngritur në protesta këtë pasdite në gjithë vendin. Në qytetet kryesore si Shkodra, Lezha, Kavaja, etj janë me mijëra qytetarë që kanë dalë në rrugë.

Edhe pse është faza e parë e protestave dhe organizimi duket se ka qenë spontan, kërkesat e tyre kanë kryesisht karakter ekonomik. Ata kërkojnë uljen e çmimit të naftës. Kujtojmë se nafta në Shqipëri është më lartë se në shumicën e vendeve të BE, ku të ardhura për frymë janë disa fish më të mëdha se për qytetarët shqiptarë.

Protesta më masive ka qenë në Shkodër, ku bashkë me qytetarët janë bashkuar dhe studentët e universitetit të këtij qyteti. Ata kanë kërkuar nga kryeministri Edi Rama plotësimin e kërkesave ekonomike. Qytetarët në Shkodër deklaruan se protesta e sotme është vetëm fillimi.

Po ashtu dhe në Kavajë ka pasur një protestë masive kryesisht e biznesit të vogël dhe të mesëm, kundër rritjes së çmimit të naftës. Qytetarët kanë bllokuar rrugën Kavajë-Rrogozhinë.

Kërkesat e përfaqësuesve të biznesit të vogël dhe të Mesëm, që ndodhen aktualisht në Kavajë, janë 4:

1. Të ndalet projekti korruptiv i zëvendësimit të kasave fiskale

2. Të ulet çmimi i energjisë elektrike me 30%;

3. Të ulet çmimi i karburantit me 300 lekë për litër

4. Të rritet pragu i TVSH-së për Biznesin e Vogel dhe të Mesëm nga 20 mln lekë në vit që është sot në 120 milionë lekë.

Edhe në Lezhë qytetarët kanë bllokuar rrugën dhe kanë hedhur parrulla ekonomike dhe politike kundër qeverisë.

Ndërkohë në Tiranë,veç studentëve, protesta ka dhe në dy zona të tjera. Ata që janë ngritur sot janë sërish banorët e Unazës së Re, që kundërshtojnë prishjen e ndërtesave të tyre. Gjithashtu në protestë janë dhe banorët e Bregut të Lumit, të cilët nuk kanë marrë dëmshpërblimet nga qeveria.

Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme ironizoi protestat në qytete dhe ato të studentëve, duke i cilësuar si të organizuara nga opozita. Pavarësisht qëndrimeve politike, fakti është se njerëzit kanë dalë në rrugë dhe siç shprehen protestuesit ky është vetëm fillimi.

VIDEO/Protesta në Shkodër

https://www.facebook.com/kohajone/videos/294441511188909/

VIDEO/Protesta në Kavajë

https://www.facebook.com/kohajone/videos/294608017854392/

VIDEO/Protesta në Tiranë

https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/1887244004658613/

Dita e gjashtë e protestës së studentëve, lexoni çfarë ndodhi sot…

SHKARKO APP