Një analizë e ftohtë dhe brilante e “Monitor” për televizionet shqiptare
Në një përpjekje për të mbajtur pranë vetes audiencën që ka fituar lirinë e plotë pas pandemisë, por është e kufizuar nga kriza e çmimeve dhe shpenzimeve të luksit, televizionet kanë nxjerrë artilerinë e rëndë. Në sezonin e ri, ekranet shqiptare kanë ruajtur disa nga emisionet bazë, por premtojnë një numër më të madh programesh të reja, ku dominon argëtimi, spektakli, reality, talent show. Kostoja e prodhimit është rritur duke e bërë me sfiduese situatën, por kjo nuk e ka ulur ritmin. Politika dhe aktualiteti vijojnë të mbrojnë fort terrenin e tyre, teksa argëtimi i përqendruar në fundjavë do të mbështetet me formate ndërkombëtarë që kanë rezultuar të suksesshëm në botë. Sa i takon filmit dhe serialeve, këtë vit prodhimi shqiptar që zuri vend në vitin 2021, mungon. Turqia dhe Netflix mbeten epiqendra e ekraneve shqiptare, por ka edhe përjashtime ku televizionet kanë hequr dorë nga mania e serialeve turke. Çmimet e reklamave kanë mbetur të njëjta me një vit më parë, për emisionet më të shtrenjta dhe ato më të lira.
Nga Nertila Maho
Krizat sipas rastit mund të luftohen në mbrojtje, ose sulm. Televizionet shqiptare kanë zgjedhur që këtë sezon ta zhvillojnë në pozicionin e dytë.
Sigurisht, kriza globale që ka prekur dhe shtrenjtuar çdo segment të ekonomisë, e ka bërë terrenin më sfidues, por investimet nuk janë ndalur. Mjaft t’i hedhësh një sy programacionit që ofrohet nga secili prej televizioneve, për të kuptuar se çështja është serioze dhe artileria e zgjedhur është ajo e rëndë.
Ekranet do të “ndeshen” me kornizat e aktualitetit dhe politikës, sikurse ka ndodhur tradicionalisht teksa argëtimi, reality, talent show dhe spektakli do të vijnë në doza të shtuara, madje me formate ndërkombëtare të provuar për suksesin.
Të mësuar me një audiencë të rritur në kohën e pandemisë, e cila për hir të kufizimeve nuk kishte shumë alternativa, televizionet po përpiqen ta joshin edhe për një sezon të ri. Një pjesë mendon se tashmë liria e fituar post-COVID-19 është e kufizuar nga çmimet e rritura në çdo sektor dhe tendenca e konsumatorëve për të ulur shpenzimet e luksit është e dukshme.
Pavarësisht kësaj, shumica kanë preferuar të mos ia lënë në dorë rastësisë dhe të kenë një programacion të larmishëm, ku të gjejnë veten të gjithë. Sesa do t’ia arrijnë, kjo mbetet për t’u parë?
Rritja e çmimeve e bën prodhimin në televizione më të shtrenjtë
Televizionet, pavarësisht nëse janë gjeneralistë apo informativë, janë përballur këtë vit me rritje kostosh, që nisin nga ato më elementaret si karburanti, energjia, e deri tek ato më të komplikuara të pajisjeve teknologjike apo skenografisë.
Kjo i ka vënë jo pak në presion sa i takon prodhimit. Edhe pse është rritur vigjilenca, për mënyrën sesi shpenzohet, ritmi i prodhimit është mbajtur i njëjtë.
“Natyrisht që ka rritje në prodhimet televizive, po me shumë dashuri e me ca ekonomi do t’ia dalim mbanë të mbetemi të suksesshëm në treg”, – shprehet Vjollca Dedei, nga Top Channel.
Albert Dumani, Drejtor Programacioni dhe Blerjesh, në TVKLAN, pohon se përveç këtyre kostove, edhe stafi duhet të mbahet i motivuar me paga në një kohë si kjo.
“Rritje të kostove ka edhe për TV, si në çdo aspekt tjetër të ekonomisë. Rritja e çmimeve pasqyrohet te stafi i televizionit, i cili duhet motivuar me rritje pagesash, te transporti i mjeteve për xhirimet jashtë televizionit, për blerjen e pajisjeve të reja në teknologji, për ndërtimin e skenografive të reja”, – nënvizon Dumani.
Fatos Risto, Drejtor Pogramacioni në Vizion Plus, shprehet se çështja e kursimeve të energjisë për sezonin e ardhshëm televiziv është në tavolinë kudo, ashtu sikurse edhe strategjitë për ta përballuar.
“Prodhimi televiziv në vetvete është një energji, lëvizje, makina, karburant, takime, xhirime, pa përmendur në fazën finale dritat, kamerat, mikrofonat që ushqehen nga energjia, në kuptimin e parë të fjalës.
Kjo është arsyeja pse kushton më shtrenjtë. Për sa kohë çmimi në faturën e shpenzimit të tyre ndryshon, ndryshon edhe kostoja e vetë programit televiziv. Por nëse shohim të mirën te kjo “e keqe”, shohim që reklamat arrijnë më shumë audiencë që “kursen”, duke qëndruar para TV. Në ueb për shembull, kemi një rezultat që është më i lartë se trendi i tregut TV”, thekson ai.
Politika dhe aktualiteti nuk “lëshojnë terren”, emisionet bazë rezistojnë
Çështjet e ditës të lidhura me politikën, kronikën e disi më pak me ekonominë mbeten baza e çdo ekrani, pavarësisht nëse është gjeneralist apo informativ.
Edhe në këtë sezon, televizionet konfirmojnë se emisionet kryesorë të tyre, që sprovohen prej vitesh në ekran, do të mbeten. Audienca kërkon t’i ketë shoqërues të ditës apo mbrëmjes, sidomos gjatë javës. Për TVKLAN, peshën e emisionit kryesor e mban “Opinion”.
“Emisioni ‘Opinion’ nga Blendi Fevziu, që këtë vit shënon 25-vjetorin e tij, vazhdon të jetë emisioni me audiencë absolute nga e hëna në të enjte.
Arena e politikës shqiptare që prej 31 gushtit 1997. Komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, dëshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet më të fundit dhe më të rëndësishme në jetën politike dhe sociale të vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e të ftuarve në studio”, pohon Albert Dumani nga TVKLAN.
Top Channel do të vijojë të sjellë në këtë sezon një pjesë të mirë të emisioneve të tij, që janë bërë shoqërues prej vitesh të audiencës por edhe disa të rinj që po konsolidohen. Ndër to, Vjollca Dedei nënvizon “Top Story”, “Inside Story”, “Exclusive” që kanë në thelb aktualitetin.
Në Vizion Plus, temat e aktualitetit trajtohen në “Quo Vadis” me Pranvera Borakaj, si dhe Alban Dudushi me “SPOTLIGHT”.
Endri Meksi, administrator i televizionit “MCN” e sheh këtë preferencë për aktualitet nga ana e audiencës afatgjatë.
“Emisioni më i rëndësishëm i yni është ‘Të paekspozuarit’ nga Ylli Rakipi, kjo për rolin që ka emisioni në ditët kyçe, të cilat janë e hëna dhe e enjtja ku tradicionalisht në tregun vendas bëhet debat politik dhe gjykoj që kjo situatë do të mbetet ende dhe për një 10-vjeçar.
Mendoj se ky trend do të vazhdojë, qoftë nga mosha e moderatorëve aktualë që e bëjnë këtë lloj emisioni, por nisur dhe nga fakti që media nuk i ofron publikut asgjë tjetër. Në njëfarë mënyre, debati i së enjtes është klasik, e duan të gjithë e shajnë jo pak por për atë flasin. Kjo do të thotë që është i ndjekur” nënvizon ai.
Rritet doza e spektaklit, reality-t, talent show-ve dhe “garave” të kërcimit
Thuajse të gjitha ekranet këtë sezon kanë investuar në emisione të shumta argëtimi. Të shtrira në kohë, në disa raste me formula të përshtatura e në të tjera, me formate ndërkombëtare të suksesshme, për të cilat kanë blerë të drejtat, për publikun është premtuar shumë. “Top Channel ndryshoi emisionin ‘Përputhen’ duke synuar një sukses të ri, nisur nga popullariteti i sezoneve të kaluara.
Ndërkohë që nuk do të mungojë ‘Big Brother VIP 2’ i cili këtë vit do të nisë pak më vonë se vitin e shkuar. ‘Natyrisht, Top Channel sjell në progamacionin programe të reja si ‘Dancing with the stars Albania’, një format i suksesshëm në gjithë botën i BBC, “Shqipëria Tjetër’, ‘Startop’, ‘S’e luan topi’. Më duhet ta them që mbështesim fuqishëm programacionin në prodhimet vendase, si më të ndjekurat nga shikuesi ynë”, nënvizon Vjollca Dedei nga Top Channel.
Edhe TVKLAN, përveç disa emisioneve argëtuese që kanë vite në ekran, tashmë ka ngritur siparin e spektaklit të kërcimit. “Dyshja Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu fillojnë sezonin me “Dance Albania”, talent show me 10 Yje VIP shqiptarë. Garë, emocione, kërcime, juri, spektakël, ritme, ngjyra, kostumografi, adrenalinë.
Pas këtij formati ato do të sjellin vitin e ardhëm, brenda këtij sezoni edicionin e 5-të të fenomenit “X Factor Albania ku do të zbulojnë talentet e reja mbarëshqiptare të këngës.
Këtë sezon, ekrani i TV Klan vjen çdo të premte me një ekskluzivitet. Luana Vjollca, moderatorja dhe autorja e njohur po përgatit një show të madh televiziv me titullin “Zemër Luana”.
Emrat më të famshëm të botës së spektaklit dhe showbizit, do të ndeshen mes tyre në një program që fillon së shpejti. Në pranverë, TVKLAN dhe Luana Vjollca do të sjellin për publikun shqiptar një nga formatet më të suksesshëm ndërkombëtarë, i cili do të shënojë dhe formatin më të madh dhe më të kushtueshëm të të gjitha kohërave në televizionet shqiptare”, – pohon Dumani.
Edhe Vizion Plus do të eksperimentojë këtë sezon me një format ndërkombëtar për të cilin premtohet shumë. “Në pjesën e dytë të sezonit, janar – shkurt 2023, do të provojmë mbërritjen e një formati me ‘dekorate’ në kuptimin e parë të fjalës.
Është mbajtës i ‘The Guinness World Rekord’ si reality show më i ndjekur nga miliona shikues dhe me miliarda shikues në YouTube. Ky sukses fenomenal global, që ka dominuar për dekada çdo platformë, do të vijë në Vizion Plus si “ALBANIAN’S GOT TALENT”.
Kush e di, ndoshta një surprizë e dyfishtë edhe për partnerët tanë në biznes, sepse finalja mund të parashikojë edhe mbërritjen e vetë krijuesit të formatit Simon Cowell në studiot tona të prodhimit në Tiranë”, – na tregon Risto. “MCN”, që këtë sezon ka vendosur t’i japë peshë 40% emisioneve të veta, ka parashikuar që argëtimi të zërë vend gjatë javës, por sidomos në fundjavë.
“Do kemi argëtimin në transmetim ku i pari është një emision me Denis Dyrnjanë dhe tjetri i Ronaldo Sharkës ‘Expuls’. Shpresoj që të arrijmë të bëjmë një format kuizi që e kemi lënë për studim të shtunë dhe të diel nga një orë e gjysmë. Ta shohim! Është një dëshirë e imja e vjetër që daton nga koha kur jetoja në Itali dhe kuizet ishin shumë të ndjekur” shprehet Meksi.
Humbasin serialet “shqip”, të dyzuar mes Turqisë dhe Netflix
Vitin e shkuar, një nga zhvillimet më interesante në disa ekrane shqiptare ishte prania e njëkohshme e disa serialeve prodhime shqiptare. Në këtë sezon ato mungojnë, kjo ndoshta për faktin që prodhimi i tyre është një proces më i ngadaltë në vendin tonë në raport me vende të tjera, për shkak të kufizimeve financiare.
Ndaj ekranet e televizioneve këtë vit do të ndahen mes blerjeve në tregun turk, Netflix por edhe distributorë të tjerë për të cilët ka pasur përshtypje pozitive në tregun ndërkombëtar.
TVKLAN, edhe këtë sezon, sjell në prime time seriale nga Turqia.
“Prodhimet turke vazhdojnë të jenë numri 1, si serialet më të realizuara artistikisht dhe më të preferuar për publikun shqiptar. Ky trend i prodhimeve turke sa vjen dhe po shtrihet edhe në shumë vende të tjera.
Vitet e fundit, serialet turke kanë fituar territore të reja në shtete që deri dje prodhonin serialet e tyre. Sot këto vende po blejnë dhe po shfaqin seriale turke, sepse këto të fundit rezultojnë më të suksesshme për publikun përkatës dhe aktualisht, Turqia është numri 2 i eksportit më të madh të prodhimeve televizive pas SHBA”, pohon Dumani. Gjithsesi, në ekran, do të ofrohen edhe prodhime të Netflix të cilët janë bërë të famshëm kudo nëpër botë.
Top Channel do të sjellë një serial ku luajnë edhe aktorë shqiptarë, “Gangs of London/Bandat e Londrës”, një prodhim kinematografik ku luajnë dhe aktorët shqiptarë Orli dhe Eri Shuke, dhe aktorët shqiptarë të Kosovës, Arta Dobroshi e Florist Bajgora.
“Sapo kemi nisur prodhimin portugez të SIC, telenovelën ‘Mali i Yjeve’. Do të vazhdojmë me sezonet e tjera me serialin ‘Skandal’. Në tetor hyn në transmetim soap opera ‘Mbretëresha e Indive’ që tashmë po shfaqet dhe në Netflix.
Pastaj kemi disa prodhime të Starz si serialin ‘Spartacus’, serialin ‘Spanish Princess’, serialin ‘The White Princess’, serialin ‘The White Queen’. Në vazhdimësi do të transmetojmë serialin ‘Defending Jacob’. Në lidhje me kostot jemi munduar të ruajmë të njëjtat çmime”,- nënvizon Dedei.
Në Vizion Plus janë gjithashtu tre prodhime serialesh turke që zënë vend këtë sezon, teksa ka nga ato televizione që kanë hequr dorë nga transmetimi i serialeve.
“Deri në këtë moment nuk kemi. Jemi në kontakt me kompaninë turke, por s’na është dukur diçka interesante. Kemi parë në Greqi dhe kemi kërkuar kontakt në Brazil, duke qenë se edhe ky treg ishte i suksesshëm para shumë vitesh në Shqipëri, por nuk po gjejmë diçka interesante.
Vite më parë kemi kërkuar tek RAI kontakte dhe mundësi për të blerë ndoshta disa prej filmave historikë që transmetoheshin në fund të viteve ‘80 fillim të viteve ‘90. Janë disa filma shumë interesantë që në nivel DVD gjenden sot dhe kemi blerë tek Amazon, por të drejtat nuk i disponojmë ndaj nuk i transmetojmë.
Gjykoj që një pjesë e mirë e medieve, siç është MCN, që bëjnë politikë dhe ndoshta pak argëtim, i mungon filmi klasik si orar. Filmin në tërësi e gjen vetëm te paketat” pohon Endri Meksi, nga MCN./Monitor.al/