Një foto fushate 80 mijë dollarë!
Fakte të reja kanë dalë në dritë lidhur me 80 mijë dollarët që ka paguar shqiptaro-amerikani Bilal Shehu për realizimin e një foto të Edi Ramës me Presidentin e SHBA-ve Barak Obama në vitin 2012. “Zëri i Amerikës”, rrjeti informativ në gjuhën shqipe që financohet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zbuluar dje se paratë kanë ardhur nga Shqipëria. Një fakt të tillë, sipas Zërit të Amerikës, Bilal Shehu e ka pranuar në procesin gjyqësor në Nju Xhersi. Në dokumentet e publikuara dje nga procesi gjyqësor nuk përmenden emra politikanësh, por sipas mediave në SHBA, personi që ka realizuar foton me Obamën është Kryeministri Edi Rama, në atë kohë Kryetar i Partisë Socialiste në opozitë.
Dëshmia e Bilal Shehut në gjykatë fakton se ai ka pranuar para nga Shqipëria, për t’u mundësuar pjesëmarrjen në takimin e Presidentit Obama dy personave të huaj (jo amerikanë). Në dokumentet e Departamentit të Drejtësisë Amerikane personat cilësohen si shtetas i Huaj 1 me nënshtetësi greke dhe i Huaj 2 ( nuk jepen emri për momentin). Paratë rezultojnë se janë paguar nga një kompani në Shqipëri e qytetarit me nënshtetësi greke. Konkretisht me dollarët e ardhur nga Shqipëria në adresë të Bilal Shehut janë blerë dy bileta nga 40 mijë dollarë për pjesëmarrje në një takim elektoral në San Françisko të SHBA. Procedurat janë kryer për takimin elektoral të mbledhjes së fondeve më 8 tetor 2012.
Sipas dokumenteve, Bilal Shehu ka pranuar se do të shoqëronte në ceremoninë e San Franciskos të Huajin 2 dhe se e ka bërë këtë në muajin tetor. Po ashtu ai ka pohuar se të Huajit 2 nuk i është lejuar hyrja, por vetëm një foto me presidentin Obama.
Në këtë pikë shtohen aludimet se personi që në dokument njihet si i Huaji 2 mund të jetë Kryeministri Edi Rama. Kjo pasi, në të njëjtën datë, 8 tetor 2012 Rama ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, po në këtë datë, 8 tetor Bilal Shehu ka postuar një foto me kreut të PS-së Edi Rama në San Francisko. Takimi i Ramës me Shehun në të njëjtën ditë dhe të njëjtin qytet që zhvillohej takimi i Obamës është raportuar dhe në një shkrim të agjencisë invesigative BIRN tre vjet më parë kur nisi debati. Në këtë ditë mendohet se është realizuar dhe fotoja e Ramës me Obamën, por Kryeministri Edi Rama e ka publikuar atë disa kohë më vonë gjatë fushatës elektorale të vitit 2013. Një foto me Presidentin e SHBA kushton! Duhet për fushatë elektorale.
Të gjitha këto akuza të botuar në mediat prestigjioze në SHBA Kryeministri Edi Rama i hodhi poshtë dje nëpërmjet Drejtorisë së Komunikimit në Kryeministri. Në një deklaratë për mediat, Kryeministria sqaroi se Edi Rama nuk ka dhënë ndonjë herë fonde për foto me Presidentin e SHBA-ve dhe as nuk ka marrë pjesë në ndonjë takim elektoral në SHBA për Obamën.
Përgjigja e Kryeministrisë është korrekte, por nuk ju jep fund dyshimeve. Së pari, në dëshminë e Bilal Shehu nuk thuhet se paratë janë paguar nga Edi Rama, por nga një person tjetër me nënshtetësi greke. Ky person ka paguar dy bileta në vlerën 80 mijë dollarëve. Në këtë pikë, Kryeministria duhet të sqarojë nëse ka qenë në dijeni Kryeministri se dikush tjetër i ka paguar paratë. Pra a janë paguar për llogari të Edi Ramës për foton me Obamën?
Së dyti, Kryeministria thotë se Edi Rama nuk ka marrë pjesë në ndonjë takim elektoral. Sipas dëshmisë së Bilal Shehu kjo është e vërtetë. Personi i dytë, i Huaji 2 nuk është lejuar të marrë pjesë në takimin në San Françisko. Megjithatë, ai ka arritur të bëjë foton me Presidentin Obama.
Në këtë histori, kur emrat e personave nuk janë publikuar nga Drejtësia Amerikane, e vetmja provë është fotoja e famshme e vitit 2012. Kryeministria thotë se Edi Rama personalisht nuk ka paguar dhe se nuk ka qenë në takim elektoral. Të gjitha këto janë të vërteta, por akuza nuk është se ai i nxori nga xhepi i tij 80 mijë dollarë. Ai duhet të sqaroj se kush ishte me të në udhëtim në SHBA që ka bërë pagesën dhe si arriti të realizojë foton me Presidentin e SHBA gjatë fushatës elektorale.
Në të vertetë disa fakte përkojnë për foton, por mbetet që Prokuroria Shqiptare e cila duket se ka hapur hetim për këtë skandal, pra duhet të sqaroj sa me shpejt në bashkëpunim me Drejtësinë Amerikane si është e verteta.
Politikanët e shteteve të vogla paguajnë nën dorë për foto të tilla, të cilat ia shesin më pas publikut se “ ja , kam dalë me Presidentin…!”. A është paguar për këtë foto të Ramës 80 mijë dollarë? Mbetet e hapur loja.