Një kompani private bllokon gjithë shtetin për sigurinë e Rinasit
Nga Qamil Xhani.
Grabitja në aeroportin e Rinasit, përveçse dëshmoi paaftësi totale në ruajtjen e pikave kufitare është dhe modeli më i qartë sesi një kompani koncesionare mund të marrë peng shtetin. 10 ditë nga grabitja nuk ka të dyshuar dhe as autorë. Nuk dihet sesa është shuma e parave të vjedhura dhe kush ishte përgjegjës për dështimin e masave të sigurisë. Por ajo që është po aq e rëndë sa këto dështime është fakti që ende Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme, Ministria e Transporteve dhe Autoriteti i Aviacionit Civil nuk arrijnë të marrin kontrollin e plotë të sigurisë në aeroport.
Falë një kontrate koncesionare të firmosur që në qeverisjen e ish-Kryeministrit Fatos Nano, kompania koncesionare e aeroportit, Tirana International Airport shpk (TIA) ka marrë të gjitha të drejtat e sigurisë, duke përcaktuar edhe nëse duhet apo jo të hyjë policia. Fakti është se, kaq ditë pas ngjarjes në zbatim të kësaj kontrate, rregullat e lojës nuk i vendos shteti shqiptar, por një kompani e huaj. Është kjo kompani që ka përzgjedhur në tendera edhe kompaninë e specializuar që përgjigjet për sigurinë, ICTS, e cila dështoi në mënyrë spektakolare me grabitjen e datës 30 qershor. Në bazë të kontratës së kopsitur juridikisht dhe të miratuara nga të gjitha qeveritë, aeroporti “Nënë Tereza” nuk shihet më si një pjesë e rëndësishme e kufirit të Shqipërisë, por si një zonë ekskluzivisht private. Dhe kjo kontratë që dikur quhej e suksesshme për qeveritë, tani rezulton të jetë një problem, pasi institucionet shtetërore nuk kanë asnjë të drejtë të urdhërojnë apo të kontrollojnë hapësirën e aeroportit. Kjo po bëhet edhe më e dukshme këto ditë, kur edhe pse ndodhi grabitja, vetëm pardje kompanitë private morën masa për vendosjen e kamerave në të gjitha portat hyrëse të objektit.
Mesditën e djeshme u mbajt mbledhja e parë e Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil për kushtet e sigurisë së jashtme e të brendshme të aeroportit. Në mbledhjen e drejtuar nga kreu i Aviacionit Civil, Aleksandër Lipivani, morën pjesë edhe zëvendësministri i Transporteve, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, ai i Kufirit, Genc Merepeza, si dhe drejtori Ekzekutiv i Aeroportit, Rolf Castro Vasquez. Për drejtuesit më të lartë të policisë grabitja në aeroportin “Nënë Tereza” ka ngritur shumë pikëpyetje mbi sigurinë e kombëtare. Në këto kushte, ata kanë kërkuar edhe rishikimin e kushteve të kontratës të nënshkruar me kompaninë e sigurisë “ICTS”.
Pas takimit të djeshëm askush nga palët pjesëmarrëse nuk ka pranuar të komentojë çfarë është vendosur. Drejtori i Tirana International Airport sh.p.k (TIA) Rolf Castro Vasquez tha se biseda e zhvilluar në takim ishte konfidenciale dhe nuk mund të bëjë publike. Ai tha se janë marrë masa shtesë pas grabitjes për sigurinë, por pa bërë të ditura se cilat janë ato. Dhe marrjen e masave nga kompania private nuk ka asnjë mënyrë për ta verifikuar, pasi sipas kontratës policia duhet të marrë leje për të hyrë brenda në aeroport, ndërsa mediat e ndryshme që kanë bërë kërkesë për tu njohur me masat nuk janë lejuar nga kompania e sigurisë.
Kontrata me aeroportin e Rinasit për sigurinë është koncesion sipas modelit PPP (Partneritet Publik Privat). Sipas të dhënave qytetarët që udhëtojnë në Rinas paguajnë 2-3 euro për sigurinë. Kjo e bënë edhe me flagrante situatën, sepse përveç se i jepet një shërbim i rëndësishëm një kompanie, shpenzimet e saj merren nga qytetarët me një pagesë jo të vogël. Më absurde është se në fund kompania nuk merr masat as për minimumin e sigurisë, siç edhe ndodhi më grabitjen apo dhe testimet e tjera që ka bërë policia më parë.
Kritikat ndaj kompanisë këto ditë janë etiketuar nga përfaqësues të saj edhe si një fushatë kundër një investimi të huaj të suksesshëm në vend. Në fakt, ky nuk është rasti i sulmit ndaj investitorëve, por ndaj shtetit dhe institucioneve që u japin të drejta më shumë sesa janë në gjendje të përballojnë investitorët. Kompania është brenda kontratës dhe shfrytëzon çdo hapësirë ligjore për t’u mbrojtur. Problemi këtu është se aeroportit “Nënë Tereza” nuk mbetet çështje biznesi, por çështje sigurie kombëtare. Është i vetmi aeroport ndërkombëtar në vend ku në një vit kalojnë qindra mijëra njerëz dhe ku rreziku për akte terroriste, edhe trafiqe, është më i madh. Siguria e një institucioni të tillë të rëndësisë së veçantë nuk mund të lihet në dorë të një kompanie të huaj që në fund në vend të përgjegjësisë, fillon të nxjerrë para publikut letrat e kontratës duke ja hedhur fajin policisë, madje dhe duke e bllokuar të marrë masa. Çështja e sigurisë nuk mund të jepet me koncesion.
Po nëse nesër ndodh ndonjë akt terrorist në brendësi të aeroportit që kontrollohet nga kompania private kush do t’i dalë para popullit, shteti apo privati?!
Ndaj një orë e më parë duhet që Policia e Shtetit të marrë kontrollin e aeroportit që nesër të mos pendohemi si shtet!