Nuk ka zgjidhje as me David McAllister? PD plan për rrethimin e Kryeministrisë

Opozita po pret ardhjen e negociatorit europian. Nëse përsëri Edi Rama nuk pranon qeveri zgjedhore, atëhere opozita kalon paralel në tre plane: Bllokon rrugët, fillimisht një orë, dhe me pas pa orar në gjithë vendin.  Gjithashtu vazhdon çadra dhe nga dita e martë rrethohet kryeministria me mijëra militantë të opozitës duke mos lenë asnjë njeri të hyjë në kryeministri. Natyrisht as kryeministri. Porosia e prerë e liderit Lulzim Basha është që asnjë lule të mos këputet, por vetëm rrethim paqësor. Nëse forcat policore do përdorin dhunë apo nëse plagoset ndonjë nga protestuesit, atëhere do futen në zyrën e kryeministrit për të hequr nga muri pikturat e tij personale. Bile do e lyejnë me bojë të bardhë. Asgjë me shumë, por si një akt politik se kryeministri ka mbaruar. Praktikisht kryeministria pushon së funksionuari. Burime sekrete nga selia blu thonë nën zë se ka edhe një plan për ta rrethuar ne Surrel, por akoma nuk është vendosur ky plan final.

Bllokimi i akseve kryesore kombëtare ditën e zbarkimit në Tiranë të negociatorit të Partive Popullore Evropiane David McAllister për të mundësuar nisjen e dialogut mes palëve, do të jetë vetëm hapi i parë i zbatimit të planit ekstrem të Partisë Demokratike, për të provokuar bllokimin e qeverisë Rama.

Mediat kanë mësuar nga burime pranë opozitës se, në varësi të produktit të negociatave që do të nisin në fillim të javës së ardhshme, Partia Demokratike do të organizojë një protestë kombëtare, e cila do t’i bashkëngjitet çadrës, me qëllim rrethimin dhe bllokimin e Kryeministrisë, në kuadër të mosbindjes civile siç pohuam me sipër. Bllokim paqësor  me mijëra opozitarë dhe popull i pakënaqur nga qeveria Rama.

Plani është diskutuar gjatë mbledhjeve të fundit të kryetarit të PD, Lulzim Basha me krerët e degëve të PD dhe drejtuesit e partive aleate. Sipas burimeve, protesta është planifikuar të mbahet në harkun kohor nga data 24 prill deri në 30 prill, gjithnjë nëse mes palëve nuk do të ketë një kompromis që reflekton kushtet e Partisë Demokratike për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të votuar ngritjen e institucioneve të Vetingut.

Po ashtu, protesta synohet të zhvillohet para zgjedhjeve në Kavajë, të cilat konsiderohen një test nëse zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit mund të mbahen pa opozitën. Në këto kushte, kjo protestë, pas çadrës dhe bllokimit të rrugëve, do të jetë prova e tretë, por edhe vendimtare e Lulzim Bashës për t’i imponuar shumicës krijimin e një qeverie teknike. Ndaj drejtuesit e PD synojnë një protestë masive pa ndalim, deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Të gjitha përshkallëzimet do të jenë me mjete paqësore dhe demokratike. Natyrisht që përshkallëzim do të thotë të shkosh nga shkalla e parë për më lart. Natyrisht që hapat e parë do të jenë paralajmërues për të treguar edhe më tepër se sa e vendosur është kjo opozitë për të arritur qëllimin dhe misionin e saj”, u shpreh Kadilli, për Report TV.

Kadilli apeloi që të mos provokohen protestuesit në Kavajë. “Me çdo mjet paqësor dhe demokratik. Nga ana jonë nuk do të ketë dhunë e provokim, por nuk do të pranojmë t’i nënshtrohemi dhunës dhe provokimeve”, tha Kadilli.

Po u plagos qoftë edhe një protestues nuk dihet fundi, thonë në PD. Frika në policinë e shtetit mbetet se mos ndofta ka ndonjë skenar nga segmente jashtë politikës dhe shtetit për ta destabilizuar vendin dhe vritet ndonjë protestues. Frika e infiltrimit të shërbimeve të huaja në këto krize është shumë e lartë në Polici.

Në selinë blu janë të vendosur që nëse plagoset ndonjë protestues, flaka nuk ndalon. Kjo është një gjë shumë e rrezikshme, pasi në Tiranë disa shërbime te huaja janë ulur këmbëkryq dhe nuk dihet se çfarë po luhet.

Kryetari i FRPD dhe një prej njërëzve me aktivë në selinë blu, Belind Këlliçi, tha se nuk tërhiqemi deri në realizimin e zgjedhjeve të lira pa Edi Ramën si kryeministër. Ai pohoi për “Koha Jone” se nga lideri Lulzim Basha ka porosi të prerë për të mos hedhur asnjë gurë, për të mos shkelur asnjë lule, por qeveria të mos provokojë protestuesit pasi nuk dihet se si reagon populli. Por kryeministria do rrethohet me popull nga të gjitha anët nëse nuk ka zgjidhje as nga negociatori europian. Do jetë rrethim zemrash të zemëruara të popullit që do Europën dhe SHBA, por që nuk do drogën e qeverisë së Ramës-tha Këlliçi.

Ndaj duhet gjetja e një zgjidhje nga politika, paqësisht dhe urgjent.

SHKARKO APP