“Nxtimi i SPAK-ut ndaj Ilir Metës në gusht, si muaji pushimi për drejtësinë, duket si akord me sulmet e qeverisë”

Hetimi penal ndaj ish-presidentit Ilir Meta shikohet nga avokati Genc Gjokutaj si lojë e sulm politik inicuar nga kryeministrit Rama duke përdorur SPAK-un.

Në një intervistë për Rtv Ora, Gjokutaj thotë se nxitimi i SPAK është aq i madh sa ka ndërmarrë veprimet në gusht kur gjithë sistemi i drejtësisë është pushim përveç prokurorëve dhe gjyqtarëve të gatshëm që veprojnë për urgjenca.

Genc Gjokutaj: Imagjinoni sa intensive është çështja e ish-presidentit Meta sa SPAK ka intensitet në muajin gusht që për gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare është muaj pushimi. Vetëm për raste urgjente ka prokurorë e gjyqtarë të gatshëm. Padia është depozituar më herët por kërkesa ndaj Gjendjes Civile është bërë me 8 gusht, përgjigjia ka ardhur dje. Shkresa bankave u është bërë gjatë këtij muaji. Në këtë muaj ka vetëm gjyqtarë të gatshëm. Po pse po e trajtojnë si një çështje urgjente, flagrante çështjen e ish-presidentit Meta sepse sigurisht nga ana e opozitës është bërë i ditur kalendari politik dhe muaji shtator do të fillojë me atë program.

Mendoj se çështjet duhet të trajtohen me një standard dhe së dyti siç SPAK po vepron në akord me qeverinë pasi shpejtësia e çështjeve përputhet me kalendarin politik të mazhorancës. Po ecet me zell shumë të madh dhe media po i mban ison SPAK. Po tregohet më e nxituar se duhet. SPAK nuk ka problem identifikimi me zotin Meta se ka 30 vjet në politikë dhe në detyrat më të larta të mundshme shtetërore.

Kjo nuk përbën lajm. Publikimit të kësaj çështje i parapriu rasti i debatit Ilir Meta apo Ilir Metaj si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Në publik për shkak edhe të dekriminalizimit është ngjizur ideja që njerëzit që kanë ndryshime në gjeneralitete janë njerëz të lidhur me trafikun dhe krimin dhe kjo është një regji me përkujdesje ekstremisht politike për ti përcjellë opinionit edhe në ditë pushimesh një mesazh që Meta fshihet pas një identiteti të rremë. Është një lojë politike shumë e rrezikshme.

Pikëpyetje ka edhe mbi kallëzimin ndaj Metës nga ish-deputeti Halit Valteri.

Gjokutaj: Është bërë një kallëzim nga ish-deputeti Halit Valteri. Nuk dimë që ky kallëzim çfarë dokumentacioni ka të bashkëlidhur, dokumentacioni është autentik apo jo? Barrën e provës e ka kallëzuesi. Por i sigurt është se nëse ecet me këtë ritëm e gjithë çështja do të shfryhet si flluskë sapuni.

Me tej avokati i njohur theksoi se ky nxitim tregon dhe provon ngutjen, interesin piolitik, ecjen me shpejtësi mbi normat e lejuara të një procesi që nëse ka këto tipare në fillim rrezikon të degjenerojë në një bumerang për institucionin që e ka regjistruar atë procedim por edhe të interesuarit e tij që sigurisht ka një begraund politik.

SPAK-u ndërmerr këtë hetim ndërsa në dorë ka një tjetër çështje të njohur publikisht si afera miliona euroshe e incineratorëve. Avokati insiston se “Çështja e incineratorëve po ecën si kërmilli, në mos fare. Çështja e Tiranës, incineratori i Tiranës nuk është prekur fare, me dy të tjerët nuk dihet se çfarë po bëhet”.

Pra avokati sqaroi se nxitimi i SPAK-ut lidhet me lojën politike të qeverisë kundër ish-presidentit Meta.

SHKARKO APP