Oficeri i policisë Armand Myrta që i kërkon 50 mijë euro medias!

Një oficer policie me emrin Armand Qazim Myrta, banues në lagjen nr.18, Durrës dhe që sipas shkresës së datës 04/07/2017 të drejtorisë së policisë së qarkut Kukës është punonjës policie në komisariatin e policisë së Kukësit, ka bërë një kërkesë padi, pa datë, por që gjykata e ka pranuar dhe ku kërkon nga Top Channel, gazeta “Panorama”, Gazeta “Koha jone”, Gazeta “Sot” dhe agjensia informative lajmifundit.al, jo pak, por gjithsejt 50 mijë euro. Të bën përshtypje se në kërkesë padi oficeri i policisë së Shtetit nuk e kërkon në lekë dëmshpërblimin, si monedhë zyrtare, por pikërisht në euro. Mundet që nga koha e policisë së ish-ministrit Sajmir Tahiri, mëqënëse kishte cannabis kudo dhe ku policia është akuzuar se ishte pjesë e strukturës kriminale të bandave të drogës dhe pagesat ishin në euro, pra duhet ti ketë mbetur ideja se gjithçka paguhet në euro!

Megjithatë le të sqarojmë për lexuesin rastin në fjalë dhe tendencën, sidomos të zyrtarëve të shtetit, për të bërë padi ndaj medias, edhe kur nuk kanë të drejtë. Natyrisht edhe punonjësi i policisë Armand Myrto, para se gjithash është një qytetar i Republikës dhe ka të drejtë të mbrojë të drejtat e tij kushtetuese.

Por pse ai nuk ka të drejtë, jo vetëm në kërkesë padi ndaj medias kryesore dhe pse duhet hetuar edhe prokurori Hysni Vata, i prokurorisë së Kurbinit.

Sipas vendimit të pushimit të prokurorisë së Kurbinit, datë 03/04/2017, e cila ka marrë material kallzues me numër 41, datë 26/01/2017 nga drejtoria vendore e policisë së Lezhës për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” pasi gjatë kontrollit të makinës me drejtues Armand Myrta dhe pasagjer Petrit Dema kanë sekuestruar dy armë zjarri në makinë.

Pra lajmi është i saktë nga mediat në fjalë, pasi janë referuar komunikatës së policisë së Lezhës me datë 26 janar 2017. Çka thënë policia kanë thënë mediat! Në shkresën e prokurorisë të datës 03/04/2017 pranohet se dy personat në fjalë, natyrisht edhe oficeri i policisë, zoti Armand Myrta janë arrestuar nga policia e Lezhës. Më pas gjykata e shkallës së parë Kurbin ka vendosur masë sigurimi personal “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” ndaj punonjësit të policisë Armand Myrta, ndërsa ndaj shokut të tij vendosi arrest me burg.

Më vonë, sipas prokurorisë, rezulton se ndaj policit Armand Myrta është pushuar çështja, kurse ndaj mikut të tij të ngushtë në makinë, Petrit Dema, që u kap me armë pa leje, ka vazhduar procedimi penal. Në fillim kur është arrestuar, bashkëudhëtuesi Petrit në mjetin e drejtuar nga polici, ka thënë se edhe arma e kapur pa leje është e punonjësit të policisë, por më vonë (kur është kthjelluar në gjyq!) ka deklaruar ndryshe, pra se nuk ka patur dijeni drejtuesi i makinës! Arma e tij rezultoi, nga ekspertiza, se kishte qëlluar. Për qejf apo si, këtë prokuroria nuk e ka vertetuar. Pasi e ka mbyllur me prokurorinë polici ka kërkuar plot 50 mijë euro. Oficeri i policisë tashmë hidhet në sulm ndaj medias për cënim nderi, prestigji e dëme psikike shkaktuar nga botimi i lajmit. Dhe lajmi është 100 përqind i vertetë, pasi ka dalë nga policia e Lezhës dhe është një ditë pas arrestimit, ndërkohë që prokukuroria e ka pushuar çështjen tre muaj me vonë.

E përsërisim, që lajmi i cili është botuar nga mediat në fjalë, të paditura, ishte krejtësisht i saktë, pasi ai është botuar me datë 26 janar 2017, sipas komunikatës së policisë së Lezhës dhe nuk ka asnjë pasaktësi nga asnjëra nga mediat në fjalë. Atë e kanë botuar edhe shumë media të tjera, por polici Myrto ka përzgjedhur këto media. Lajmi botohet në çast ndaj është quhet lajm, ndryshe futet në një kategori tjetër gazetareske. Nëse do të kishte koment pas datës 3 mars 2017 (edhe mund të kishte të drejtë), por prapë e drejtë e medias mbetet, siç do të kërkojmë nga prokuroria e përgjithshme rihapjen e vendimit të pushimit nga prokuroria e Kurbinit, pasi në të vertetë nuk bind njeri.

Udhëtojnë bashkë, dy shokë të ngushtë, dhe njeri ka armë me leje dhe tjetri armë pa leje dhe me fishekë ndër xhepa dhe polici Myrto nuk kishte dijeni, këtë vetëm prokuroria shqiptare mund ta shpjegojë! Aq me tepër që njëra armë kishte qëlluar… Por kjo mbetet çështje e rihapjes së hetimit nga kryeprokurorja Arta Maku, së cilës mediat do ti drejtohen me një kërkesë për këtë dosje të pushuar.

Tani të vijmë të problemi që krijon kjo tendencë e punonjësve të shtetit, ku ndonëse janë në faj, duan të turren për të fituar me çdo kusht euro.

Rasti në fjalë është flagrant, sepse nuk mundet një punonjës policie, qoftë edhe i thjeshtë, aq me tepër një hetues krimesh, të ngrejë dorën ndaj medias së lirë e cila thotë të vertetat e ndodhura. Ai është ndaluar nga policia e Lezhës, është kapur në makinë me një tjetër me armë pa leje, bile duhej ta kishte arrestuar vetë mikun e tij që shkelte ligjin, por asgjë nuk ka ndodhur.

Edhe mund të pyesim: Pse udhëtonte me një oficer policie përsoni që kishte armë me vete e ku nga arma ishte qëlluar?  E kishte për garanci rruge oficerin e policisë?!

Tani na del se nga lajmi i qenkan shkaktuar dëme psikike, i është cënuar morali, etj oficerit të policisë Armand Myrta. Dhe mund ta shërojnë plot 50 mijë euro! Po pse jo 100 mijë euro?! Apo me shumë?

Ardi Veliu, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili të paktën deri tani ka mbajtur marrëdhënie korrekte me mediat, duhet të kalojë në skaner jo vetëm policin në fjalë, por edhe disa të tjerë ndër radhët e policisë, të cilët kanë synim përfitimin e jo respektimin e ligjit. Siç ka edhe punonjës policie që shkojnë nga bregdeti për të kapur ndonjë rrugë me drogë nëpër rrethinat e Veriut. Shembujt nuk mungojnë nga policia, e cila ka disa urdhër arreste për kohën e ish-ministrit Tahiri.

S.P.

SHKARKO APP