Oligarkët kërcënojnë Lulzim Bashën pas kërkesës për sekuestrim me ligj antimafia
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dy ditë më parë bëri një gjest jo të zakonshëm në politikën shqiptare. Nga deklaratat akuzuese politike që kanë shumë propagandë dhe pak fakte, ai kaloi direkt në sulm duke publikuar një listë me shumë se 20 biznesmenë. Basha tregoi kurajo qytetare dhe lidership politik. Lista që përmban emrat e biznesit VIP në Shqipëri, për Lulzim Bashën, është lista e njerëzve që kanë përfituar më shumë nga koncesionet e dyshimta, lejet e paligjshme dhe korrupsioni qeveritar. E thënë thjesht, sipas Bashës, emrat e nxjerrë nga PD janë oligarkët e Shqipërisë që këto pesë vite kanë vjedhur bashkë me kabinetin “Rama” 2.2 miliardë euro nga buxheti i shtetit.
Reagimet politike pas publikimit të kësaj liste, ishin të pritshme. Qeveria dhe PS në të paktën 5 deklarata publike sulmuan Lulzim Bashën, familjen dhe të afërm të tij me një listë tjetër biznesesh, që sipas mazhorancës paguajnë rregullisht të kreu i opozitës për të mos i sulmuar. Kjo është ana publike e asaj që ndodhi dje, por pjesa që është më serioze mbetet se disa biznesmenë-oligarkë, kanë nisur sms kërcënimi. Burime të gazetës “Koha Jonë” thanë dje se ndaj kreut të Partisë Demokratike ka pasur një fushatë të fortë presioni dhe shantazhi pas nxjerrjes të dhënave të kompanive dhe biznesmenëve. Emra që ndodhen në listë apo dhe njerëz që qëndrojnë shumë pranë bizneseve që përmendi Lulzim Basha kanë dërguar mesazhe presioni dhe shantazhi në adresë të kreut të PD. Një pjesë e biznesmenëve që janë përmendur nominalisht dhe u janë zbuluar kontratat me qeverinë kanë telefonuar direkt kreun e PD-së apo nisur korrierë duke i kërkuar të heq dorë nga beteja e nisur ndaj tyre. Edhe më konkret në kërcënimet e tyre kanë qenë një pjesë biznesmenëve që njihen për lidhjet shumë të afërta me Partinë Socialiste. Ndërsa Lulzim Basha deklaroi se këta oligarkë kanë vjedhur paratë e buxhetit bashkë me qeverinë dhe pasuritë do tu sekuestrohen, biznesmenët thonë se kanë kontrata ligjore me qeverinë dhe sulmet e PD po u shkatërrojnë imazhin dhe biznesin. Por mes justifikimeve ligjore nuk kanë munguar dhe kërcënimet direkte. Por edhe një pjesë e biznesmenëve afër PD, që tashmë kanë kaluar te kryeministri, i kanë çuar mesazhe Bashës se me sulmet që ka nisur ndaj tyre ata do jenë të parët që “nuk do lejojnë kurrë që Basha të vij në pushtet”.
Ndërkohë zyrtarët e lartë të qeverisë; Kryeministri Edi Rama, Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla dhe deputetë të shumë të PS dje kanë dalë në mbrojte të gjithë listës që denoncoi kryedemokrati. Kryeministri deklaroi se fushata e Bashës po dëmton bizneset e ndershme në vend. Taulant Balla foli për gjobëvënie politike dhe për “11 milionë euro fitim të marrë nga kompanitë e kunatit të Lulzim Bashës, nga po këta biznesmenë”. Ndërsa deputetja e PS, Klotila Bushka në një deklaratë për mediat llogariti se kompanitë e të afërmëve të Lulzim Bashës këto vite kanë bërë 2.2 miliardë lekë xhiro. Sipas zyrtarëve të qeverisë nisma e kreut të PD-së është vetëm një fushatë për të detyruar kompanitë e biznesit “që të paguajnë gjoba te familjarët e kryedemokratit me qëllim heqjen nga lista”. Seria e akuzave vijoi dje deri në orët e vona të mbrëmje.
Lulzim Basha, veç qeverisë që e ka kundërshtar tradicionalisht tashmë duhet të bëjë llogaritë dhe më kundërshtarët e rinj nga bota e biznesit. Fuqia ekonomike e tyre, mediat dhe lidhjet që kanë me PS-së tashmë do të jenë në shërbim të betejave politike të qeverisë “Rama”. Por nëse Lulzim Basha e ka ndarë mendjen seriozisht për ligjin në fjalë që ta zbatojë kur të vijë në pushtet, atëhere pushteti po i vjen.
E keqja mbetet se ndonjë oligark ka lidhje me botën e krimit dhe rreziku është i pranishëm, ndaj policia e shtetit duhet të shtojë masat e sigurisë për liderin e opozitës.
Mili Xhani