Opozita djeg mandatet e deputetit, kryeministrit i digjet karriga qeveritare

-Në mënyrë unanime PD, LSI, LZHK, PR, PDK, PAA dhe PBDNJ kanë vendosur të djegin mandatet e deputetëve, duke kërkuar një qeveri tranzitore, e cila të zhvillojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si dhe të integrojë vendin në BE.

-Kryeministri është ende në kohë që reagojë me mençurinë e një politikani të përgjegjshëm duke ofruar kompromisin që i kërkon opozita për një qeveri tranzitore. Është ende në kohë për të bërë diferencën mes interesit të shtetit dhe interesit të pushtetit. Nëse mes këtyre të dyjave vlerëson më të rëndësishme karrigen e tij, atëherë shumë shpejt ajo do t’i digjet bashkë me mandatet e deputetëve të opozitës.

Partitë parlamentare të opozitës kanë marrë dje një vendim të paprecedentë në historinë e 30 viteve pluralizëm në Shqipëri. Në mënyrë unanime PD, LSI, LZHK, PR, PDK, PAA dhe PBDNJ kanë vendosur të djegin mandatet e deputetëve. Propozimi që u paraqit nga kreu i PD-së, Lulzim Basha ditën e diel, ka marrë mbështetje nga gjithë Fronti Opozitar duke e kthyer djegien e mandateve në lëvizjen më të fortë politike në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Vendimi i zyrtarizuar në emër të partive kryesore nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi është një thyerje e gjithë skemave politike dhe luftës opozitare që njihen deri më sot. Djegia e mandateve e gjithë opozitës në bllok, si një gjest ekstrem, natyrshëm që ka krijuar paqartësi te politika dhe në opinionin publik. Por edhe pse kemi të bëjmë me një terren të panjohur më parë në zhvillimet në Shqipëri, një lëvizje e tillë e fortë, sipas krerëve të opozitës është e justifikuar me situatën në të cilën ndodhet vendi. Kreu i PD-së, Lulzim Basha e cilësoi djegien e mandateve si vendimin më të logjikshëm që duhet marrë në momentin ku Qeveria faktohet se vjedh zgjedhjet dhe kapet në flagrancë me korrupsion. Protesta masive e 16 shkurtit, sipas kreut të PD-së, është një arsye më shumë për të shkuar drejt vendimeve ekstreme që do të detyrojnë Edi Ramën të largohet. Ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, pas mbledhjes së grupit parlamentar renditi të paktën 10 arsye madhore se përse deputetët e opozitës nuk kanë arsye më të rrinë në Kuvend. Duke nisur nga situata e rëndë ekonomike, krimi, korrupsioni, vjedhja e votave dhe dështimi me integrimin në BE, Kryemadhi u shpreh se e vetmja mënyrë për të kthyer në Shqipëri shtetin ligjor është detyrimi i Edi Ramës të largohet. Dhe ikja e opozitës nga Parlamenti shihet si e vetmja armë efikase që i heq legjitimitetin një mazhorance të paligjshme, e cila siç dokumentoi edhe “Zëri Amerikës” PS-ja ka blerë vota me bandat kriminale.

Plani i djegies së mandateve është një lëvizje e ekstreme që duket se do të prodhojë reagime të forta në Tiranë, por edhe nga ndërkombëtarët. Megjithatë, pas protestave të pafundme, zgjedhjeve të kontestuara, korrupsionit qeveritar të faktuar nga mediat ndërkombëtare opozita nuk sheh mënyrë tjetër reagimi veç vendimeve jo normale si djegia e mandateve. Është një vendim i detyruar në kohën kur një qeveri ka arritur jo vetëm të vjedhë zgjedhjet, të shënojë nivelet më të larta të korrupsionit dhe kapjes së shtetit, por edhe të devijojë reformën në drejtësi dhe çuditërisht të arrijë të manipulojë dhe shumicën e opinionit ndërkombëtarë. Realisht djegia e mandateve ka më shumë vlerë se çfarëdo bojkoti dhe proteste që mund të zhvillohet në institucione dhe në rrugë. Formalisht dorëzimi i mandateve të deputetëve rrëzon gjithë sistemin mbi të cilin qëndron mazhoranca dhe e bënë të detyrueshme gjetjen e një zgjidhje politike që janë; qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Sigurisht, në pjesë më të madhe të reagimeve që do vijnë nga jashtë djegia e mandateve nuk do mbështetet. Por kjo është e vetmja mënyrë për të ndërgjegjësuar ndërkombëtarët për atë që po ndodh në Shqipëri. Këto vite kanë treguar se çdo manovër tjetër e pjesshme vetëm sa ka përkeqësuar situatën dhe ka forcuar pozitat e Edi Ramës.

Në fund, sado kundërshtarë që mund të ketë dorëzimi i mandateve shkak i kësaj situate është personalisht Edi Rama dhe i takon atij ta zgjidhë. Qëndrimi që do të mbajë pas këtij vendimi të opozitës do të tregojë përfundimisht dhe mënyrën sesi Edi Rama do të mbahet mend në politikë. Reagimet e djeshme të krahasimit me “Juventusin” dhe disa skema për zëvendësim të mandateve me deputetë nga listat që as janë votuar dhe as kanë legjitimitet tregojnë se ose nuk po e kupton seriozitetin e situatës, ose pushteti ja ka erëzuar arsyen. Është ende në kohë që reagojë me mençurinë e një politikani të përgjegjshëm duke ofruar kompromisin që i kërkon opozita. Është ende në kohë për të bërë diferencën mes interesit të shtetit dhe interesit të pushtetit. Nëse mes këtyre të dyjave vlerëson më të rëndësishme karrigen e tij, atëherë shumë shpejt ajo do t’i digjet bashkë me mandatet e deputetëve të opozitës.

SHKARKO APP