Opozita: Nesër rrethojmë Parlamentin me popull!
-Lulzim Basha: Ftoj qytetarët të protestojmë fort të hënën brenda dhe jashtë Parlamentit. Monika Kryemadhi: Revolta qytetare, të rrëzojmë nga karriket banditët e veshur me pushtet.
-Sheshi para parlamentit pritet të jetë testi se sa forcë ka opozita, kurse brenda sallës do shikohet se çfarë reagimi do bëjnë deputetët PD-LSI-PR-LZHK-PBDNJ-PDK.
Nesër opozita e drejtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të zhvillojnë një nga protestat më të mëdha kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Protesta e opozitës vjen si reagim ndaj vendimit të qeverisë për të zgjedhur vetëm me votat e Partisë Socialiste Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Aksioni opozitar, i pari i koordinuar mes PD dhe LSI, nuk lidhet thjesht me emrin që do të jetë në organin e akuzës, por gjithë skenarin që fshihet pas marrjes së kryeprokurorit; keqqeverisjen, kanabizmin dhe varfërinë e vendit, grupet e drogës që qeverisin me qeverinë, papunësinë, çmimet e larta, etj.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas mbledhjes me deputetët dhe krerët e PD-së në rrethe, e cilësoi aksionin e së hënës si provën për të treguar se opozita nuk është fasadë e pushtetit, por një forcë e përgjegjshme që do të ndalojë qeverinë dhe që do marrë qeverinë në zgjedhje. Basha tha se me marrjen e kryeprokurorit, Partia Socialiste po shënon aktin më të rëndë kundër demokracisë dhe shtetit. Kreu i PD-së renditi të paktën 10 dosje të rëndësishme që nisin nga Saimir Tahiri dhe përfundojnë të Ilir Beqaj, të cilat sipas tij do të mbyllen nga kryeprokurori i ri që po zgjidhet vetëm me votat e Edi Ramës.
Në mesazhin e Lulzim Bashës pati dhe një sinjal për ndërkombëtarët, duke u kërkuar të jenë më të vëmendshëm dhe të mos heshtin për situatën anormale që është krijuar në Shqipëri. Duke ju drejtuar ndërkombëtarëve që e kanë mbështetur qeverinë “Rama”, Basha tha se sa më gjatë që ky kryeministër të qëndrojë në pushtet aq më shumë emigrantë dhe krim do të eksportojë Shqipëria drejt vendeve të BE. Kreu i PD paralajmëroi zhvillime të forta politike dhe e cilësoi zgjedhjen e kryeprokurorit vetëm nga PS, si “vetëvrasje” të Edi Ramës. “Rama le ta miratojë prokurorin, sepse një thikë vetes po i fut! Po bën harakiri. Nëse narkoqeveria merr në dorë prokurorinë, është asgjësim total i reformës në drejtësi”, tha Lulzim Basha.
Ndërkohë, e ashpër në qëndrime ishte dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u bëri thirrje dje qytetarëve që të hënën të ngrihen në protestë kundër qeverisë, duke e cilësuar mazhorancën e sotme, si një bandë kriminale në pushtet. Për kryetaren e LSI-së, mënyra e vetme për të larguar kryeministrin Edi Rama është vetëm protesta pa ndalim e qytetarëve. “Të protestojmë për të larguar banditët nga pushteti! Revolta e protestës qytetare është arma që mund të rrëzojë nga karriget banditët e veshur me pushtet. Asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë këtë revoltë’,- tha Kryetarja e LSI-së. Ditën e sotme, LSI pritet të mbledhë dhe Këshillin Drejtues Kombëtar (KDK), ku do të vendosen detajet e protestës masive të së hënës.
Ndërkohë degët e PD dhe të LSI në rrethe kanë marrë udhëzimet për pjesëmarrje masive në protestën që do të zhvillohet para godinës së Parlamentit. Protesta do të nis në të njëjtën orë që socialistët do të hyjnë në Kuvend për të votuar Prokurorin e ri të Përgjithshëm të Përkohshëm. Organizatorët e protestës nuk i kanë bërë publike detajet e mitingut dhe nëse do të jetë vetëm ditën e hënë, apo do të ketë protesta në vijim.
Kjo është protesta e parë masive e opozitës së dalë nga zgjedhjet e muajit qershor dhe pritet që gjithë investimi i partive të jetë maksimal. Ky është dhe testi për opozitën e re dhe mbështetja qytetare në këtë protestë do të përcaktojë dhe të ardhmen e zhvillimeve politike në vend.
Nëqoftëse protesta nesër do jetë masive mësohet se edhe trupi diplomatik mund të ndryshojë qëndrim në raport me qeverinë Rama.
Megjithatë dita e hënë do të tregojë se sa forcë ka opozita jashtë sallës së parlamentit me popull dhe brenda sallës me deputetët e saj.
Q.Xh.