Opozita ultimatum: Votim dhe numërim elektronik ose braktisim parlamentin

Opozita ka deklaruar prerë: Votim dhe numërim elektronik ose braktisim parlamentin dhe nuk ka zgjedhje parlamentare. Ky është qëndrimi i PD-së dhe i krejt partive të opozitës, ndërkohë që komisioni i reformës zgjedhore po debaton për përmirësimin e Kodit Zgjedhor.

LSI, si partia që mban në qeveri PS-në, ka kërkuar disa përmirësime të qënësishme në Kodin Zgjedhor, sidomos pika më rëndësishme e kësaj force politike mbetet votimi me “Lista të Hapura”. Kjo, sipas LSI, i jep votuesit në dorë të përzgjedhë emrin e deputetit dhe jo ta caktojë kryetari i partisë. Por duket se PS dhe PD nuk e duan këtë variant votimi pasi kanë frikë se mos fitojnë emra kandidatësh për deputetë që nuk janë servilë të kryetarit të partisë. Ndërkohë PD dhe krejt spektri politik opozitar ka dalë sot me një kusht të fortë: Votim dhe numërim elektronik ose braktisim parlamentin dhe nuk ka më zgjedhje. Duket se PD nuk heq dorë nga skema për të shkuar në zgjedhje pa Edi Ramën kryeministër, gjë që duket e vështirë, pasi PS nuk pranon një kusht të tillë.

Fakti që PD kërkon votim dhe numërim elektronik, ndonëse është një kërkesë e drejtë, përsëri nuk është thelbësore, pasi ka nevojë me shumë që votuesit të votojnë emrin e kandidatit(es) që duan dhe jo ti caktojnë vetë kryetarët e partive, pasi kjo sjellë futjen e elementit servil e jo dinjitoz. Futja e elementit kriminal, siç ka ndodhur deri tani, duket e vështirë pas miratimit të ligjit për dekriminalizimin.

Edi Rama ka filluar punën për organizimin e strukturave të PS-së për zgjedhje, pavarësisht se mbetet në dilemë se si do të veprojë LSI deri me datë 18 prill, datë finale për firmosjen e koalicionëve politike për zgjedhjet e 18 qershorit. LSI përditë ka takime në Tiranë dhe në bazë për zgjedhjet e reja parlamentare. Ilir Meta akoma nuk shprehet se si do të veprojë për koalicionin, por vazhdon takimet me elektoratin e tij. Dilemë e madhe mbetet se çfarë po projekton Meta për datën 18 prill.

Ndërsa pritet që Ben Blushi të bëjë surprizë në votime me LIBRA. Kësaj i druhet shumë PS-ja, por jo vetëm kjo parti.

Një gjë duket qartë: PD dhe aleatët do të braktisin parlamentin përfundimisht, nëse PS nuk miraton votimin dhe numërimin elektronik. Në fakt kjo gjë duhej bërë më parë, pasi tani duket shumë vonë për ta organizuar nga ana financiare dhe teknike. Mesila Doda drejtues e lartë e PDIU tha për mediat se është në pikëpyetje kjo mënyrë votimi edhe për shkak të hakerimit në votime. Pra PS-ja e tha me gojën e Mesila Dodës, se nuk pranohet kërkesa e PD-së.

Tani mbetet të shikohet sa i vendosur është Lulzim Basha për të braktisur parlamentin, aq me tepër se disa deputetë të PD-së nuk do jenë më në listat e selisë blu. Nëse edhe këtë nuk arrin ta bëjë PD-ja, atëhere kot që shkon në votime.

SHKARKO APP