Opozitë! O dilni në rrugë, ose shkoni te “TEPSIA”!

Deri mbrëmë vonë opozita ka fituar vetëm një gjë të vogël, që gjithsesi e mirë mbetet, por jo qeveri zgjedhore, jo ndryshim sistemi, jo kryepolicin për zgjedhjet, jo votimin e emigrantëve e jo shumë të tjera, sepse Rilindja nuk pranon. Edhe sikur Edi Rama të pranonte  shumicën e kërkesave për reformën, sërish opozita do të ndodhej përballë një strukture politike që ka kthyer shtetin në repart ushtarak në shërbim të kryeministrit. Çfarëdo të bien dakord në letër Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili me Damian Gjiknurin, nuk do të gjejnë zbatim me Edi Ramën në qeveri dhe mijëra fije të pushtetit që ka kapur çdo gjë.

Në kulmin e negociatave politike për reformën zgjedhore dhe kur palët ishin mbyllur në rezidencën amerikane në Tiranë, qeveria “Rama” hodhi në qarkullim mediatik një projektligj për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ligji synon, as më shumë dhe as më pak, kapjen politike të një institucioni të pavarur kushtetues. Për shkak se qeveria nuk pranon emrat që ka propozuar Presidenti Meta, të gjithë profesionistë dhe njerëz me integritet, PS-së i duhet që në këtë institucion të kontrollit ekonomik të vendos një të besuarin e saj.

Mënyra sesi po grabitet një tjetër institucion kushtetues është alarmante. U zgjodh momenti i negociatave, si për provokuar edhe njëherë opozitën. Negociatorët diskutojnë për mënyrën sesi të ndalohet përdorimi i buxhetit në fushatë dhe në të njëjtën kohë, kryeministri grabit KLSH-në, institucionin që ka mision kushtetues kontrollin e financave dhe mund të padisë çdo zyrtar që abuzon. Kapja e këtij institucioni është dhe një leksion për ndërkombëtarëT, dhe ata pak naivë brenda radhëve të opozitës, që mendojnë se Edi Rama do lodhet nga pushteti i tepërt dhe do të dorëzohet në fund. Sipas tyre, pasi mori parlamentin, bashkitë, mediat, ekonominë, drejtësinë e re me gjithë gjykata dhe prokurori brenda, pushteti i madh do e detyrojë të dorëzohet dhe në fund të pranojë zgjedhje dhe të ik! Ja që e paskan gabim, madje ky është gabimi më i madh që kanë bërë të gjithë kundërshtarët e Edi Ramës. Pas çdo pushteti që merr dhe pas çdo institucioni që fut në dorë, Edi Ramës dhe Rilindjes i hapet oreksi për marrë pushtetin e radhës. Edi Rama dhe rilindja nuk hyjnë te ajo pjesë e politikës që njeh dorëheqjen, konsensusin, negociatat apo që mendon se edhe zullumet kanë një limit. Në 7 vjet qeverisje aktet që kanë kryer, paligjshmëria, sjellja anti-kushtetuese, jo civile dhe jo institucionale treguan se leksionet demokratike dhe morali i ndërkombëtarëve vlejnë për të tjerët, por jo për rilindjen. Rilindjes, fatkeqësisht po i lejohet gjithçka dhe i ka marrë të gjitha me çmimin e rëndë të degradimit të shtetit dhe institucioneve. Të shpresosh sot se një reformë zgjedhore do të përmbys çdo gjë në favor të opozitës do të thotë të mos kesh kuptuar asgjë në këto 7 vite. Edhe sikur Edi Rama të pranonte 100 % kërkesat e opozitës për reformën, sërish opozita do të ndodhej përballë një strukture politike që ka kthyer shtetin në repart ushtarak në shërbim të kryeministrit. Çfarëdo të bien dakord në letër Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili me Damian Gjiknurin, nuk do të gjejë zbatim me Edi Ramën në qeveri dhe mijëra fije të pushtetit që ka kapur çdo gjë. Rreziku i vjedhjes së votave, i përdorimit të parave të pista në fushatë dhe kontrolli total i qeverisë mbi shoqërinë dhe votuesit është njëlloj i pranishëm me apo pa pakt për zgjedhjet.

Me reformën zgjedhore kryeministri po bën thjesht lojën e radhës, po lodh kundërshtarin duke i dhënë asgjë ose shumë pak dhe në fund do që  t’i faturojë dhe koston humbjes së konsensusit.  Zgjedhjet ideale të Edi Ramës janë ato me stil monist të 30 qershorin 2019 dhe në mendjen e tij, toleranca më e madhe ishte pranimi i opozitës në tavolinë. Pjesa tjetër e diskutimeve për atë është vetëm shfaqje. Problemi tashmë është se deri kur do të vijojë opozita të ndjek gjithmonë shfaqet e Edi Ramës dhe të lejojë që lëvizjen e parë të bëjë gjithmonë ai? Sepse në momentin që merren me diskutime për reformën zgjedhore, kreu i qeverisë bën gjithmonë goditjen e radhës. E bëri me Teatrin Kombëtar, kur priteshin negociatat, dhe së fundi dhe dje dhe me ligjin që uzurpon KLSH.

Opozita nuk mund të ndjekë pafundësisht lojën e kryeministrit. Kur populli pret të dalë në sheshe, pse hezitoni ti tregoni vendin qeverisjes së keqe me popull e protesta?

Ose dilni, ose shkrihuni!/Q. Xhani/

 

SHKARKO APP