OSBE/ODIHR: Presidenti ka bërë përpjekje për gjetjen e dialogut. PS nuk njeh dekretin

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale ka publikuar sot raportin paraprak. Për herë të parë një raport ndërkombëtar ka paqartësi për datën kur do të mbahen zgjedhjet vendore që ata po vëzhgojnë. Dokumenti nuk jep konkluzione për çfarë po ndodh këto ditë në Tiranë dhe as nuk sugjeron se cila do jetë zgjidhja, por pasqyron ngjarjet që vëzhguesit kanë parë në Shqipëri.

Që në nisje të raportit vihet theksi të bojkoti i opozitës dhe situata e rrallë, para së cilës ndodhen institucionet. Lidhur me mënyrën sesi po administrohet procesi kur në shumicën e bashkive ka vetëm një kandidatë të PS, raporti thotë qartë se Kodi Zgjedhor nuk e ka parashikuar zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtarë.

Në raport përmendet dhe çështja e shtyrjes së datës së zgjedhjeve. OSBE shprehet se presidenti bëri përpjekje për gjetjen e dialogut duke dekretuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Ndërkohë që thekson se Partia Socialiste nuk e njeh këtë vendim.

Presidenti Meta ka ofruar në mënyrë të përsëritur të lehtësojë dialogun mes palëve dhe në fund të muajit maj shprehu vullnetin për shtyrjen e zgjedhjeve. Më 10 qershor, duke iu referuar përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizmin dhe shqetësimeve për sigurinë publike, ai dekretoi shfuqizimin e dekretit për vendosjen e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit për shfuqizimin e dekretit të vendosjes së datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit”,- thuhet në raportin e OSBE.

Ajo që bie në sy është se vendimi i kreut të shtetit nga OSBE cilësohet si dekret, ndërkohë që PS-ja pretendon se presidenti nuk mund të nxjerr dekret për anulimin.

Raporti pasqyron me nota tejet negative situatën e mediave në Shqipëri. “Mjedisi mediatik është i larmishëm dhe karakterizohet nga një numër i lartë mediash që operojnë në një treg të kufizuar reklamash. Shumica e bashkëbiseduesve të MVZ-së së ODIHR-it kanë shprehur shqetësimin se media të mëdha u shërbejnë si platformave lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën. Televizioni mbetet burimi kryesor i informimit politik. Procesi i përfunduar së fundmi i dixhitalizimit ka rezultuar në kontrollin nga një familje të tre prej pesë frekuencave televizive kombëtare private”,- thuhet në raport.

SHKARKO APP