Paloka: Po shqyrtohet djegia e mandateve, jemi një hap larg konfliktit civil
Pas protestës se 27 janarit, opozita është vendosur në aksionin e saj për largimin e qeverisë Rama, ndërsa për këtë qellim pritet radikalizimi i qëndrimeve.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një intervistë për Ora News tha se opozita do përballet në sheshe dhe Parlament deri sa Rama të largohet.
Paloka: Me radikalizimin e protestave në varësi të reagimit të Ramës dhe të qeverisë, absolutisht shpejt, kjo qeveri do të bjerë. E gjithë kjo masë njerëzish që janë tashmë në revoltë, një ditë do të shpërthejë. Uroj që të mos jetë nga ato shpërthimet që është mësuar Shqipëria fatkeqësisht.
Opozita e ka ende si opsion djegien e mandateve, por kjo thotë Paloka të çon vetëm një hap larg konfliktit civil..
Paloka: Djegia e mandateve do të thotë jemi një hap larg konfliktit civil. Mbas djegies së mandateve nuk ka më se çfarë të bëjë opozita përveç se të thërrasë popullin dhe të përballet me një qeveri që ka humbur legjitimitetin.
Marrëveshja e arritur pak ditë më parë mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme për Palokën është thellim i paligjshmërisë së qeverisë. i pyetur në qoftë se opozita done ankimoj ne kushtetuese ai dha këtë argument.
Paloka: Nuk ka më arsye që ne t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese sepse përveç faktit që kjo gjykatë është në ngërç dhe nuk ka fuqi të veprojë, por edhe në raste të tjera kur ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese, siç është rasti edhe për ligjet e reformës në drejtësi dhe gjykata ka marrë vendimet e saj, kjo mazhorancë nuk ka reaguar, ka vazhduar në rrugën e shkeljes së Kushtetutës.