Paloka: Sa herë ka skandale dhe korrupsion, Rama sajon në media “marrëveshje të fshehta”
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka i cilëson lajmet e një pjese të mediave afër qeverisë për marrëveshje mes PD dhe PS, si sajesa që burojnë qeveria për të larguar vëmendjen nga skandalet e korrupsionit.
Në një reagim në Facebook, Paloka thotë se sa herë që Edi Rama kapet duke vjedhur apo një zyrtar i tij rezulton i lidhur me krimin, në media pilotohen skenarë haluçinantë për pakte të reja politikë.
“Nuk i mbulon dot skandalet me sajesa bajate për “marrëveshje të fshehta”. Rama vazhdon me “taktikat” e tij bajate të pilotimit të opinionit publik, sa herë kapet në skandalin e radhës. Sa më i rëndë skandali, aq më absurde bëhen bllofet që përpiqet të përhapë në media. Ndërkohë që Rama kalon në Parlament kontratat nëpërmjet të cilave ju grabiten shqiptarëe miliona euro; Shqipërisë i shtohen kushte të reja për hapjen e negociatave; Një tjetër i përzgjedhur nga Rama si kandidat për kryetar bashkie, Mark Babani, rezulton i inkriminuar dhe me dokumente vërtetohet se ka qene i dënuar …në media pilotohen fantazi dhe sajesa për marrëveshje të fshehta midis PD dhe PS”,- deklaron Paloka.
Duke hedhur poshtë edhe njëherë lajmet që lidhen me pakte të fshehta, nënkryetari i PD-së, shprehet se “e vetmja marrëveshje që PD dhe opozita kanë bërë dhe do i qëndrojnë deri në fund është ajo me shqiptaret, për të fshire një here e mirë çdo të keqe që politika e mbrapshtë ju ka sjellë deri tani”.