Papa Françesku : Nënë Tereza na bën krenarë. Eshtë Nënë e gjithë botës
Në Vatikan kanë nisur aktivitetet me rastin e shënjetërimit të nënë Terezës.
Jubileu i mëshirës, aktiviteti që po drejtohet nga Papa Francesku sjell dëshmi të personave që kanë njohur e janë frymëzuar prej humanists shqiptare.
“Nesër kemi shenjtërimin e Nënë Terezës, e meriton. Eshte nder të shpallim të shenjtë Nënë Terezën. Ta imitojmë për të dhënë gëzim e shpresë. Nënë Tereza na ka bërë të krenohemi ”-tha Papa Francesku.
Masa të larta sigurie janë marrë në Vatikan për të garantuar zhvillimin sa më të mirë të ceremonisë së Shenjtërimit të Nënë Terezës”, ka deklaruar gjatë konferencës së shtypit Drejtori i Zyrës së Shtypit në Vatikan, Greg Burke.
“Rruga e Pajtimit” që lidh qytetin e Romës me shtetin e Vatikanit është e mbyllur.
Prej ditës së djeshme në Vatikan ka hyrë në zbatim plani i sigurisë së lartë i hartuar nga Prefektura e Romës me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Humanistes shqiptare. Pritet të marrin pjesë rreth 100 mijë besimtarë.
Sipas planit të Prefekturës së Romës, i cili do të gjej zbatim deri më ora 15.00 të datës 4 shtator, në territorin përreth mureve të Vatikanit, e në disa rrugë që lidhin qëndrën e Romës me Vatikanin do të ndalohet lëvizja e automjeteve që transportojnë municion, lëndë shpërthyese, fishekzjarrë, armë, substanca toksike.
Nesër do të zhvillohet Mesha e Shenjtërimit, në Sheshin e Shën Pjetrit, kryesuar nga Papa Françesk. Ceremonia është ideuar që në krye të saj të jenë njerëzit e thjeshtë, të varfrit e Nënë Terezës.
Në mbarë botën, po pritet shenjtërimin e Nënë Terezës. Shqipëria e pret këtë ceremoni që do të zhvillohet nesër në Vatikan me një emocion të veçantë. Shqiptarët do të kenë Shenjtin e parë modern, SHËN TEREZA.
Në Romë kanë mbërritur një mori delegacionesh të rangut më të lartë, ardhur sidomos nga vendet që lidhen ngushtë me figurën madhore të Nënë Terezës. Kështu delegacionet nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, India e, doemos, nga viset ku vijojnë misionin bamirës motrat e dashurisë së krishterë. Pa llogaritur këtu, delegacionet kishtare dhe shtegtarët e thjeshtë, e jo vetëm të krishterë. Natyrisht, ka shumë shqiptarë, nga trojet e tyre e nga mbarë bota, ku janë shprishur.
Nënë Tereza Shenjtërohet vetëm 19 vjet pas vdekjes. Ishte Papa Françesku ai, që propozoi, e edhe ngulmoi, që ky shenjtërim të kremtohej para se të mbyllej ky vit kaq i rëndësishëm për mbarë botën katolike. Viti i Mëshirës, me Shenjten e Mëshirës.