Parashikimi i Kokëdhimës:Të vetëm si PS,pa LSI,nuk marrim as 60 deputetë

Ish- deputeti Socialist Koço Kokëdhima nga Saranda ka analizuar situatën aktuale brenda PS-së përpara zgjedhje të ardhshme parlamentare. Sipas tij, zgjedhjet e disa klaneve në pushtet, marrëdhënia me aleatët dhe premtimet e pa mbajtura rrezikojnë humbjen e zgjedhjeve. “Partia Socialiste po kanibalizohet nga aleatët, po humbet mbështetje dhe po zvogëlohet. Në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste rrezikon të mos arrijë dot e vetme numrin 60 të deputetëve të saj. Kjo po ndodh edhe pse kemi kaq shumë njerëz të shkëlqyer në bazë, edhe pse përballë kemi një parti të diskretituar si partia e Saliut. Kjo gjë po ndodh, pasi Partia Socialiste po merr kosto të pamerituara nga njerëzit e saj në pushtet. A është normale që qeveria jonë të harrojë premtimet e saj kundër plehrave në zgjedhjet e vitit 2013 dhe tani të miratojë importin e mbetjeve?”,- u shpreh Kokëdhima.

Sipas tij nuk është e drejtë që PS të marrë kosto nga deklaratat e Ramës kundër presidentit të sapozgjedhur të SHBA, Donald Trump, apo industria e kultivimit ilegal të kanabisit. “Përse duhet t’i japim kosto të pamerituara Partisë Socialiste dhe vendit me deklarata diletante e poshtëruese të zyrtarëve tanë kundër kandidatit dhe tani presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, zotit Donald Tramp? A duhet që një qeveri socialiste, pasi sulmon Lazaratin, e bën gjithë vendin Lazarat? Si ka mundësi që në trafikun e ri të hashashit përfshihen të gjithë ata funksionarë të policisë dhe të shtetit? A i meriton PS-ja këto kosto? Ne duhet të bënim marijuanën të legalizuar për fermerët dhe për shtetin, për buxhetin, jo për zyrtarët e kriminalizuar dhe për mafiozët e drogës”,- tha Kokëdhima.

Sipas tij, zgjidhja e vetme është që socialistët e thjeshtë dhe qytetarët të kenë më shumë kontroll për politikat e qeverisë dhe vendimmarrjet më të rëndësishme të ndahen me socialistët e bazës dhe me qytetarët e vendit. “Udhëheqja e partisë nuk është e përgatitur për këtë, nuk ka vullnet, sepse nuk dëshiron ta pranojë përtëritjen e vet, sepse kështu një pjesë e madhe e drejtuesve të saj të sotëm do të duhet ta lënë politikën”,- u shpreh Kokëdhima.

 

SHKARKO APP