Parlamenti bllokohet, PD dhe LSI kërkojnë të ndërpriten pushimet deri në gjetjen e zgjidhjes

PS-ja kërkon të miratojë një ligj kalimtar për emërimet në sistemin e drejtësisë, pasi po mbetemi pa gjyqtarë dhe prokurorë për shkak të politikave të Vettingut. Shqipëria është edhe pa gjykatë kushtetuese prej dy vitesh. Drejtësia po shkon në kolaps total.

Në sallën e Kuvendit zhvillohet sot edhe seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar, ku në rend dite është edhe votimi për ndryshimet në ligjin “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, që synon të zgjidhë ngërçin e krijuar me Shkollën e Magjistraturës, për miratimin e së cilës nevojiten 84 vota.

“Nga sot, deri sa të zgjidhet problemi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të mos fillojë pushimet Kuvendi. Deri sa të bëhet funksionimi normal i sistemi të drejtësisë”, u shpreh Luan Rama, duke kërkuar ndërprerjen e seancës – “Nuk mund të vazhdojmë si në një situatë normale, nuk është problemi i regjistrimit të Magjistratëve, por funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, pa të cilën çdo Kuvendi dhe qeveria duhet të reshtë së ekzistuari, “.

Në përgjigje të kërkesës së tij, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh se “Seanca do të vazhdojë normalisht në pritje të një përgjigjeje të kreut të grupit parlamentar të PD. Pas kësaj do të thërras të tre drejtuesit për të kërkuar dialogun që ju kërkuat”, u shpreh Gramoz Ruçi.

Jashtë sallës së Kuvendit, Luan Rama u shpreh se nga kontaktet që ka pasur me PD edhe ata janë të gatshëm për të bashkëpunuar për kalimin e këtij prag kolapsi të sistemit të drejtësisë

“Jemi pjesë e së njëjtës opozitë, misioni është kthimi në normalitet e kushtetueshmërie të kësaj reforme. Reforma në Drejtësi është një sfidë kombëtare dhe ka nevojë për angazhimin e të gjitha forcave politike. Propozimet janë racionale, e duhet të gjejnë mbështetje. Në të gjitha kontaktet që kam pasur edhe PD mbetet e gatshme për bashkëpunim. Jemi përballë një kolapsi institucional do të bllokohen gjykatat. S’besoj se çështjet e rëndësishme mund të zgjidhen me njëanshmëri”, u shpreh Luan Rama.

Ligji në fjalë kërkon shumicë të cilësuar me 84 vota, të cilën Partia Socialiste nuk e arrin dot pa ish-aleaten e saj, LSI-në, tashmë në opozitë. Përveç 74 kartonave të saj, PS-ja ka të sigurtë votën e Tom Doshit, 3 votat e PDIU-së dhe atë të Robert Bitrit, që zyrtarizoi largimin nga LSI-ja duke u regjistruar si i pavarur, gjë që çon mazhorancën në kuotën e 79 votave.

Luan Rama: Reforma në Drejtësi me defekte, përgjegjëse të gjitha palët

Partia Demokratike ka bojkotuar seancën, ndërsa e pranishme përveç mazhorancës është edhe LSI, e për kreun e Grupit Parlamentar të saj, Luan Rama, rikthimi i kompetencave tek KLD është një hap pas e i dëmshëm, e kjo vjen si pasojë e projeksionit gabuar me të cilin u ndërtua Reforma në Drejtësi.

“Reforma në Drejtësi duhej bërë dhe duhet bërë në frymën e bazës që ne sanksionuam me frymën e ndryshimeve Kushtetuese.Pas dy vitesh Shqipëria është i vetmi vend pa Gj.Kushtutuese,. Pa gjykatë të lartë. Kjo tregon se projeksioni që u ndërtua Reforma në Drejtësi ka qenë më e pakta me defekte që vijnë dhe na shfaqen deri në këtë gjendje që ne jemi sot. Përgjegjësia bie mbi të gjithë klasën politike”, u shpreh Luan Rama.

Por në fjalën e tij, ai bën më me faj mazhorancën, e cila nuk ka shprehur sipas tij asnjë shenjë reflektimi, për të cilën siç u shpreh është një dëshmi që kjo ka qenë e qëllimshme për të kapur sitemin e drejtësisë.

“Dy vite më pas, mazhoranca nuk ndjen asnjë përgjegjësi? Për faj të arrogancës së saj jemi në zgrip të institucioneve të drejtësisë. Në sensin më normal do të duhej të kishte një reflektim. Na kërkohet sot që t’i kthehet pushtet atij institucioni që të gjithë bashkë mendojmë se është përgjegjësi kryesor për gjendjen e drejtësisë në vend. Po kërkoni që t’i japim autoritet KLD-së. Po pse?! Sepse nuk projektuam siç duhen mangësitë që do të krijonte sistemi. Mungesa e reflektimit, është dëshmia e papërgjegjshmërisë që me të cilën u trajtua Reforma në Drejtësi dhe një dëshmi që kjo ka qenë e qëllimshme për të kapur sistemin e drejtësisë”, tha Luan Rama.

SHKARKO APP