Parlamenti Europian demaskon qeverinë e Shqipërisë dhe vë në pikëpyetje negociatat

Komisioni Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Europian zhvilloi dje një seancë të posaçme për situatën në Shqipëri. Takimi i thirrur nga eurodeputeti gjerman, David McAllister kishte si temë plotësimin e 15 kushteve të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian. Në fjalimet e mbajtura gjatë një orë diskutimesh, me përjashtime të vogla, nuk u gjend dot asnjë vlerësim për qeverinë e drejtuar nga kryeministrit Edi Rama. Si asnjëherë më parë, eurodeputetë të majtë apo të djathtë kanë përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe masakruese ndaj qeverisë në Tiranë. Mesazhi i parë që erdhi dje nga eurodeputetët që njohin zhvillimet në Shqipëri ishte se nuk ka hapje zyrtare negociatash nëse nuk plotësohen 15 kushtet e miratuara edhe në rezolutën e një jave më parë. Mos plotësimi i këtyre kushteve mund të sjellë jo vetëm dëmtim të negociatave, por edhe penalizime më të rënda. Në takim u përmend ideja që Shqipërisë duhet ti ndërpriten financimet nga BE për shkak të korrupsionit. Fatmirësisht ishin vetëm dy eurodeputetë dhe jo të gjithë që e kërkuan këtë, por thjesht ideja e kthimit pas me negociatat është një tregues se deri në çfarë pike kemi arritur me reformat. Ndërprerja e fondeve të BE lidhet me korrupsionin dhe me abuzimet që qeveria “Rama” ka vendosur si standard të sistemit politik në Shqipëri. Një penalizim i tillë jo vetëm që e sheh qeverisjen në Tiranë si të dështuar, por e vendos atë në embargo dhe largim nga vlerat europiane.

Ndërsa eurodeputetë të ndryshëm folën në parim për 15 kushtet, në seancën për Shqipërinë u diskutua dhe për probleme konkrete siç është vjedhja e zgjedhjeve dhe dosjet e “Dibrës” dhe të “Durrësit”. Michael Gahler, zëdhënësi i Partive Popullore Europiane dhe eurodeputet i CDU, deklaroi se PE nuk ka ende informacion se çfarë po bëhet me hetimin dosjeve për vjedhjen e votave. “Nuk po listoj të 15 kushtet, por po ndalem tek njeri prej tyre; tek ai që ka të bëjë me blerjen e votës dhe me manipulimin e votës. Ka dy çështje: dosja  184 në Dibër dhe dosja 339 në Shijak. Ato po hetohen prej tre vjetësh por nuk kemi akuza nga prokuroria, por vetëm lajme se po pengohet drejtësia”, tha politikani gjerman. Deklaratat nuk është vetëm konstatim por edhe akuza ndaj qeverisë “Rama” dhe drejtësisë së re që po pengohet njëlloj si ajo e mëparshmja. Kritika direkte pati ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me sjelljen e tij ndaj medias dhe  censurën. Eurodeputeti David Lega u shpreh se “qeveria “Rama” tregohet shumë e ashpër me gazetarët dhe shumë e butë me trafikantët. Derisa ky raport të ndryshojë, Shqipëria nuk mund të hapë negociatat me BE”. Në këtë mënyrë kryeministri Edi Rama prezantohet nga vet përfaqësuesit e PE si mik i trafikantëve, një epitet që nuk i është thënë asnjë kryeministri tjetër në rajon.

Por kritika të forta ka pasur ndaj qeverisë “Rama” dhe për politikën e jashtme të saj. Eurodeputetëtë ndryshëm folën për një politikë rajonale që orientohet nga Turqia dhe denoncuan ekstradimet e paligjshme të gylenistëve. Kritika të shumta nga marrë nga eurodeputetët dhe shembja e Teatrit Kombëtar. Përfaqësuesit e Parlamentit Europiana ende nuk janë në gjendje të kuptojnë sesi në një vend që do të hyjë në BE shemben me dhunë policore objektet e trashëgimisë kulturore. Por nëse Teatrit në Tiranë shihet si një çështje estetike, fjalimet që erdhën më pas në Parlamentin Europian ishin dhe më kritike dhe më të ashpra.

Seria e akuzave, denoncimeve kritikave e ktheu takimin e djeshëm në Komisionin e Jashtëm të PE, në një “masakër” ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Shumica e tyre ishin përfaqësues të partive europiane që duan integrimin e Shqipërisë në BE. Por edhe pse në cilësinë  e mbështetësve tanë, qeveria “Rama” ka qeverisur aq keq sa ua ka hequr mundësinë që të thonë ndonjë fjalë pozitive. Pas rezolutës për 15 kushtet, qëndrimet e djeshme në PE ishin goditja më e fortë ndaj qeverisë së Tiranës.

Brenda një jave, Brukseli ka kryer dy akte që tregojnë distancim të qartë nga Edi Rama dhe qeverisja e tij./M.Xhani/

 

SHKARKO APP