Partia Socialiste dhe Rama: Policia të mos lejojë të hënën opozitën

Dita e hënë do jetë dita e bllokimit të krejt rrugëve në gjithë Shqipërinë nga ana e opozitës si shenjë e parë e bllokimit të krejt jetës politike dhe shoqerore në Shqipëri për shkak se Edi Rama, sipas tyre, nuk po lejon krijimin e kushteve për zgjedhje të lira. Lulzim Basha dhe kryetarët e tjerë të partive opozitare kanë bërë thirrje për bllokim nga militantët të akseve kryesore në mbarë Shqipërinë. Dhe janë marrë masat për bllokime me blloqe betoni, makina me zhavorr e gurë, goma, etj.

Por sot PS-ja doli me një deklaratë të fortë ku i bën thirrje qeverisë që të mos lejojë bllokimin dhe kthimin e anormalitetit të vitit 1997. Nënkuptimi përdorimi i policisë në përballje me protestuesit.

Ja deklarata e PS-së:

“Është koha që Basha të mësojë se: Ai që bënte thirrje vetëm pak ditë më parë për të thyer dritaret e për të shpuar gomat, nuk mund të pretendojë krejt papritur e pa kujtuar se është thjesht një qingj i pafajshëm.

Çadra e Bashës e ka vonuar mjaft tashmë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe rrezikon ta nxjerrë Shqipërinë nga rruga drejt BE-së.

Kërcënimet e tij për bllokimin e rrugëve dhe bojkotin e zgjedhjeve janë një rrugë e rrezikshme që na çon pashmangshmërisht vetëm drejt dhunës, pikërisht ashtu si në 1997-n.

Ne nuk do ta lejojmë PD-në t’ju marrë peng të ardhmen shqiptarëve. Në 18 Qershor, qytetarët do të jenë të lirë të shprehin vullnetin për zgjedhjen e tyre.

Pak me parë se deklarata Rama dhe Basha shkëmbyen replika dhe akuza. “Ne jemi këtu me vendosmërinë më të madhe, jo vetëm të mos lejojmë që të përsëritet historia tragjike e 20 viteve më parë, por edhe të mos lejojmë që t’u mbyllet rruga e drejtësisë. O me Europën, o me çadrën”, tha ai.

Por Lulzim Basha, i cili ka vendosur përshkallëzimin e protestës të hënën me bllokimin e akseve kryesore kombëtare, i hodhi poshtë akuzat e Kryeministrit.
“Sot na flet për ‘97, por një gjë ta ketë të qartë; ‘97 për prapanicën e tënde nuk do bëhet më kurrë në Shqipëri, por ne jemi totalisht të vendosur për ta çuar betejën deri në fund me fitore, pa u thyer një gotë, pa u këputur një lule! Paqësor, demokratikë e të vendosur deri në fund”, deklaroi Basha.

Mësohet se kryeministri Rama ka urdhëruar përdorimin e forcës policore, por mundet edhe të forcave të ushtrisë, për të mos lejuar një aksion të tillë opozitar. Forcat speciale do patrullojnë me autoblinda dhe armë në gjithë akset e rrugëve nacionale. Urdhëri është dhënë për arrestime masive nëse cënohet stabiliteti i vendit nga kjo protestë e liderit të opozitës Lulzim Basha. Mbi 3400 forca policie dhe disa ushtarake do jenë nëpër akset rrugore ditën e hënë.

Nuk dihet kundër reagimi i forcave opozitare, nëse policia përdor forcën ditën e hënë. Por në selinë blu tregojnë se ka edhe një plan “B” që me sa duket lidhet me rrethimin pa ndalesë të ndertesës se qeverisë për të mos lejuar Edi Ramën të futet në zyrën e tij.

Pak e nga pak po shkojmë drejt përplasjes. Duhet ti thërrasin arësyes politikanët, sepse do jetë e rrezikshme.

 

SHKARKO APP