Pas sherrit në Kuvend nis beteja me padi. PD kallëzim penal Ruçit dhe Gardës

Opozita i është përgjigjur me padi penale mazhorancës, pas vendimit të sotëm të PS për përjashtimin e 10 deputetëve që ishin pjesë e protestës gjatë ditës së hënë.

Partia Demokratike ka depozituar në Prokurori një padi për kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi si dhe për punonjësit e gardës dhe të policisë.

Kallëzimi ndaj kreut të Kuvendit dhe punonjësve të gardës dhe policisë është bërë për akuzën “shpërdorim detyre”, “pengim të ushtrimit të detyrës” si dhe “ushtrim dhune ndaj deputetëve të PD”.

Padia është dorëzuar në emër të Partisë Demokratike. Ndërkohë që edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e ka mbështetur këtë nismë. Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili deklaroi sot se sjellja e Gardës kundër deputetëve të opozitës është përgjegjësi penale e kreut të Kuvendit.

Pushtimi militar i Kuvendit, përgjegjësi e rëndë penale Ruçit. Ruçi, përgjegjës për shkatërrimin e parlamentit. Garda zaptoi sallën e dhunoi deputetet. Ruçi dhunoi ligjin dhe lejoi hyrjen pa urdhër të gardës. Ruçi përgjegjës, se ligjeroi një votim antikushtetues. S’ka asnjë alibi për Ruçin, që beri Kuvendin skenën e puçit kushtetues. Fajtor Ruçi, që Kuvendi po përjeton ditët më të zeza. Ruçi duhet të ndiqet penalisht per dhunimin militar te parlamentit nga Garda”,- deklaroi Vasili.

Ndërkohë paraditen e sotme, Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një kërkesë për përjashtimin e disa deputetëve të opozitës për 10 ditë nga punimet parlamentare. Socialistët kërkojnë përjashtimin e Kejdi Mehmeti, Monika Kryemadhi, Endrit Braimllari, Flamur Noka, Bardh Spahia, Endri Hasa, Ervin Salianji. Kërkesa vjen pas tensioneve të krijuara në sallën e Kuvendit mes opozitës dhe maxhorancës për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Përkohshëm.

Veç kësaj kërkese ndaj 10 deputetëve të PD dhe LSI Policia e Tiranës ka nisur procedim penal. Sipas njoftimit të Policisë mbledhja e provave është bërë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Ndërkohë që nga organi i akuzës nuk ka ende një deklaratë publike lidhur me procedurën që ka ndjekur ndaj deputetëve.

PADIA E PD: Ja për çfarë akuzohet kreu i Kuvendit

SHKARKO APP