Pas shpërthimit në Bejrut, plasin protestat. Peticion që Franca të marrë Libinë për 10 vite!

Nga VOA-

Në kryeqytetin e Libanit, policia përdori gaz lotsjellës ndaj demonstruesve që u përpoqën të kalojnë një barrierë për të arritur në ndërtesën e parlamentit, ndërkohë që numri i të vdekurve nga shpërthimi së martës në portin e Bejrutit arriti në 158.

Rreth 5,000 njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër mënyrës se si qeveria po e trajton shpërthimin shkatërrimtar.

Njerëzit u mblodhën në Sheshin e Dëshmorëve në qendër të Bejrutit, disa prej tyre duke hedhur gurë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës, kur disa protestues u përpoqën të kalojnë barrierën në një rrugë që të çonte drejt parlamentit.

Protestuesit thërrisnin “Populli kërkon rënien e regjimit,” dhe mbanin pankarta me fjalët “Ikni, jeni të gjithë vrasës”.

“Duam një të ardhme me dinjitet, nuk duam që gjaku i viktimave të shpërthimit të shkojë kot”, tha protestuesja Rose Sirour.

Shpërthimi i së martës në port, më i madhi në historinë e Bejrutit, solli shkatërrime të mëdha në qytet. Qeveria ka premtuar se do të gjejë shkaktarët dhe do t’i verë përpara përgjegjësisë.

Disa banorë, që përpiqeshin të vinin rregull në apartamentet e dëmtuara rëndë nga shpërthimi, denoncuan qeverinë, të cilën e shohin si të korruptuar, duke thënë se ajo përsëri i la në baltë.

“Nuk kemi besim te qeveria jonë,” tha studentja Celine Dibo teksa pastronte gjak nga muret e apartamentit të saj. “Uroj që Kombet e Bashkuara ta marrin nën administrim Libanin.”

Disa njerëz thanë se nuk ishin aspak të befasuar që Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi këtë javë lagjet e tyre, ndërsa udhëheqësit libanezë nuk e bënë këtë.

“Ne po jetojmë në nivelin zero. Shpresoj se një vend tjetër do të donte të na merrte nën administrim. Udhëheqësit tanë janë një bandë njerëzish të korruptuar,” tha psikologia Maryse Hayek, shtëpia e prindërve të së cilës ishte shkatërruar nga shpërthimi.

Partia Kataeb e Libanit, një grup i krishterë që kundërshton qeverinë e mbështetur nga Hezbollahu i lidhur me Iranin, njoftoi të shtunën dorëheqjen e tre ligjvënësve të saj nga parlamenti.

“I ftoj të gjithë ligjvënësit të japin dorëheqjen në mënyrë që njerëzit të mund të vendosin se kush do t’i qeverisë, pa iasnjë imponim,” tha kreu i partisë Samy Gemayel, duke e njoftuar vendimin gjatë funeralit të një anëtari drejtues të partisë, i cili vdiq në shpërthim./VOA/

Peticioni i madh

Më shumë se 40,000 vetë nënshkruan një peticion dhe kërkojnë që Franca të vërë nën kontroll Libanit pas shpërthimit vdekjeprurës në Bejrut.

Mbi 44,000 vetë kanë nënshkruar një peticion në internet për “vendosjen e Libanit nën një mandat francez për 10 vitet e ardhshme”. Peticioni në faqen e peticioneve Avaaz njoftohet se është iniciuar nga qytetarët libanezë pas shpërthimit që tronditi Bejrut të martën, duke vrarë mbi 140 vetë dhe duke plagosur më shumë se 5,000 të tjerë.

“Zyrtarët e Libanit kanë treguar qartë një paaftësi totale për ta siguruar dhe menaxhuar vendin,” thuhet në peticion. “Me një sistem të dështuar, korrupsion, terrorizëm dhe me milicinë vendi është në grahmat e fundit.”

“Ne besojmë se Libani duhet të rikthehet nën mandatin francez në mënyrë që të krijohet një qeverisje e pastër dhe e qëndrueshme.”

‘Libanezët janë të dëshpëruar’

Dima Tarhini, nga departamenti arab i DW, tha se peticioni ka qarkulluar gjerësisht në mediat sociale libaneze. Ai tregon se “sa të dëshpëruar janë disa libanezë,” tha ajo. “Ata kanë humbur shumë. Ata humbën shtëpitë dhe pronat e tyre, ata nuk mund t’i shpëtojnë dot fëmijët e tyre. Ata nuk dinë se ç’të bëjnë.”

Franca e ka pasur nën kontroll Libanin nga viti 1920 deri në vitin 1945 sipas një mandati të vendosur pas Luftës së Parë Botërore.

Emmanuel Macron premton ndihma

Peticioni i drejtohej presidentit francez Emmanuel Macron, i cili qe lideri i parë i huaj që shkoi të enjten në Beirut pas shpërthimit tragjik.

Macron paralajmëroi në Bejrut se Libani do të “vazhdojë të fundoset” nëse nuk do të ndërmarrë reforma.

Ai premtoi se Franca do të ndihmojë për mobilizimin e ndihmave për Bejrutin e shkatërruar, ku dëmet dhe shkatërrimet shkojnë në një vlerë prej miliarda dollarësh.

“Ju garantoj se ndihmat nuk do të shkojë në duar të korruptuara,” tha Macron para një grupi protestuesish.

Prokuroria e Francë ka nisur hetimet në lidhje me shpërthimin, sepse prej u plagosën të paktën 21 shtetas francezë dhe një u vra. /DW/

SHKARKO APP