Meta dhe Rama për Pashkët. Presidenti:Drita do të triumfojë kurdoherë mbi errësirën
Një mesazh të fuqishëm ka përcjellë Presidenti i Republikës, Ilir Meta për të gjithë besimtarët katolikë dhe ungjillorët, në këtë ditë të shënuar të Pashkës Katolike.
Duke uruar për mbarësi, paqe, lumturi, Kreu i Shtetit beson se me frymëzim për ripërtëritjen e besimit, shpresës, optimizmit, vlerësimit të sakrificës dhe përpjekjeve për një të nesërme më të mirë, duhet të punojnë të gjithë së bashku për këtë qëllim.
Më tej, Presidenti Meta ka bërë thirrje për reflektim dhe për më shumë vëmendje dhe solidaritet, ndaj shtresave më në nevojë të shoqërisë sonë.
”Sot kemi nevojë të ruajmë e forcojmë më shumë vlerat dhe virtytet tona, jo vetëm në besimin e palëkundur në Zot, por edhe tek dashuria më e madhe për njëri tjetrin. Shqiptarët ngahera kanë gjetur aftësinë, forcën dhe kurajon për të jetuar e punuar në harmoni e mirëkuptim për një të ardhme më të sigurt dhe të lumtur të popullit tonë”,-lexohet në mesazhin e Kreut të Shtetit.
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës, Ilir Meta
Në këtë ditë të shenjtë, dua t’ju uroj besimtarëve katolikë dhe ungjillorë dhe të gjithë shqiptarëve, Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët!
Mbarësia, paqja, begatia dhe lumturia mbizotëroftë tek ne dhe familjet tona!
Kjo Ditë e Bekuar e Ringjalljes, na kujton se e mira nuk do të shuhet, por do të jetë gjithnjë ngadhënjyese ndaj së keqes dhe drita do të triumfojë kurdoherë mbi errësirën.
Kjo festë na mbush të gjithëve me frymëzim për ripërtëritjen e besimit, shpresës, optimizmit, vlerësimit të sakrificës dhe përpjekjeve për një të nesërme më të mirë, duke punuar së bashku për këtë qëllim.
Le të reflektojmë të gjithë për më shumë vëmendje dhe solidaritet, ndaj shtresave më në nevojë të shoqërisë sonë.
Sot kemi nevojë të ruajmë e forcojmë më shumë vlerat dhe virtytet tona, jo vetëm në besimin e palëkundur në Zot, por edhe tek dashuria më e madhe për njëri tjetrin.
Shqiptarët ngahera kanë gjetur aftësinë, forcën dhe kurajon për të jetuar e punuar në harmoni e mirëkuptim për një të ardhme më të sigurt dhe të lumtur të popullit tonë.
Ndërsa kryeministri ka postuar një urim të shkurtër dhe një foto të mëposhtëme: MIRËMËNGJES dhe GËZUAR PASHKËT
Lideri i PD shkruan: Nga zemra i uroj të gjithë besimtarët katolikë dhe ungjillorë, dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë: Gëzuar e për shumë vjet Pashkët!