Pasi votoi kundër Izraelit, Edi Rama flet në kongresin e hebrenjve në SHBA

Kryeministri Edi Rama ndodhet këto ditë në SHBA, ku do të marrë pjesë në konferencën vjetore të AIPAC, Komiteti i Çështjeve Publike Amerikano-Izraelite. Konferenca zhvillohet në ë Washington D.C nga datat 4-6 mars 2018. Kryeministri Rama është në listën e të ftuarve që do të mbajnë fjalim përshëndetës në këtë konferencë. Në faqen zyrtare të  AIPAC, kryeministri Edi Rama është mes rreth 450 të ftuarve kryesorë që do të flasin në këtë aktivitet ku marrin pjesë më shumë se 20 mijë persona.

Komiteti i Çështjeve Publike Amerikano-Izraelite është organizata më e fuqishme pro-izraelite lobuese në SHBA dhe në botë. Në panelin e folësve këtë vit janë edhe zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Mike Pence; kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu; ambasadori amerikan në Izrael, David Friedman, ambasadorja e SHBA-vë në OKB, Nikki Haley, etj, senatorët Tom Coton, Robert Menendez, Marco Rubio, si dhe mjaft personalitete ndërkombëtare.

Për Shqipërinë, prania e kryeministrit shqiptar është një ngjarje pozitive. Mes Shqipërisë dhe Izraelit, nga pikëpamja diplomatike marrëdhëniet cilësohen të shkëlqyera. Veç raporteve diplomatike, mes dy vendeve ka një lidhje historike të veçantë që vlerësohet mjaft nga qytetarët dhe zyrtarët e Izraelit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që nuk i dorëzoi hebrenjtë në duart e nazistëve. Gjithashtu, ishte i vetmi vend ku gjatë luftës numri i hebrenjve ishte shumë herë më i madh se para luftës. Ky fakt historik është një nga elementët e shumtë që ka krijuar raporte speciale mes Shqipërisë dhe Izraelit. Gjatë luftës së Kosovës ka mbetur epike shprehja e kryeministrit të Izraelit në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës, ku deklaroi se “ne nuk i harrojmë kurrë miqtë”.

Nisur dhe nga këto raporte të veçanta ndërshtetërore, prania e Kryeministrit Edi Rama në SHBA, në kongresin më të rëndësishëm pro-izraelit në botë është një vlerësim që Izraeli i bën Shqipërisë dhe rolit të saj. Çdo kryeministër shqiptar që do të kërkonte pjesëmarrjen në këtë aktivitet, sigurisht që nuk do të ishte refuzuar nga ana e miqve në Tel Aviv dhe SHBA ku zhvillohet kongresi. Duke shtuar këtu dhe lobimin e fortë, që zëra brenda qeverisë thotë se ka bërë Rama për të qenë mes folësve kryesor, Shqipëria do të përfaqësohet denjësisht në këtë aktivitet dhe ky është një lajm mjaft i mirë.

Por në takimet që Edi Rama po zhvillon në SHBA nuk ka si të mos përmendet një fakt që e ka venë Shqipërinë në pozitë të vështirë përballë Izraelit dhe SHBA-ve. Qeveria e drejtuar po nga Edi Rama ka votuar dy muaj më parë kundër SHBA-së dhe Izraelit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Më 21 dhjetor, kur në OKB u hodh në votim rezoluta e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump që kërkonte njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, Edi Rama votoi kundër. Për raportet që Shqipëria ka me SHBA dhe me Izraelin, vota kundër është cilësuar si një gafë diplomatike. Shqipëria u rendit me Turqinë dhe Jemenin që propozuan rezolutën dhe doli kundër SHBA dhe Izraelit. Nuk zgjodhi as të abstenonte siç bën disa vende të rajonit dhe BE, por për llogari të Turqisë zgjodhi të pozicionohej kundër aleatit historik SHBA-ve. Zyrtarisht Edi Rama u justifikua se vota kundër ishte orientim i BE-së. Në fakt, për këtë çështje i vetmi vend që kishte dhënë orientim për aleatët ishte Turqia dhe jo Bashkimi Europian.

Disa javë më pas, duke folur në Kuvend për këtë votim, Edi Rama bëri dhe një tjetër gafë duke etiketuar hebrenjtë me termin përçmues “çifut”. Për këtë deklaratë që politikanë të tjerë në vende të ndryshme të botës kanë dhënë dorëheqjen, Edi Rama nuk kërkoi as falje. I vetëdijshëm për gafën në Kuvend, fjala përçmuese u fshi nga fjalimi i Ramës në videon e publikuar në adresën zyrtare në Facebook. Ndërkohë votimi në OKB nuk mund të zhbëhet më edhe pse Presidenti Ilir Meta kërkoi rishikimin e këtij qëndrimi të Shqipërisë kundër SHBA dhe Izraelit.

Duke pasur parasysh gjithë këtë kontradiktë të madhe të qeverisë “Rama” me Izraelin dhe SHBA, është interesante të shihet fjalimi i Edi Ramës para organizatës më të madhe pro-izrealite. Mbase do të ketë mundësi të shpjegojë më qartë se çfarë e detyroi të votonte kundër Donald Turp, SHBA-ve dhe Izraelit dhe të kërkojë ndjesë.

Në foto: Vota e Shqipërisë kundër SHBA dhe Izraelit në OKB

SHKARKO APP