Patozi : Rithemelim Republike, nevojitet një shkundje e fortë shoqërore
Intervistë e deputetit të Partisë Demokratike Astrit Patozi dhënë zv/kryeredaktores së gazetës “KOHA JONE”, Albina Gjergji
“Qeveria e Edi Ramës po gabon gati në gjithçka”. Ky është vetëm një nga përfundimet, në të cilat deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi shfaqet i sigurt dhe i keqardhur për fatin e shqiptarëve. Sipas tij, qeveria “Rama” ende nuk ka bërë asnjë reformë dhe ato që kryeministri përpiqet t’i shesë si të tilla nuk janë reforma, por aksione me goditje të përqendruar, një term sipas tij, i diktaturës, që të rinjtë e sotëm nuk e kuptojnë dot. Në një bisedë me “Koha Jonë”, z. Patozi nuk jep gjykime vetëm për mazhorancën dhe atë që ai e quan Partia e Enverit (Partia Socialiste). Veç asaj çfarë kanë bërë, racional dhe autokritik tregohet edhe me atë çfarë s’ka bërë qeverisja e PD-së në të shkuarën. Trajtimi i pronës dhe reforma e pronësisë në vite. Për këtë temë mjaft të diskutuar dhe të pazbatuar, për raportin me kolegët brenda PD-së, për nivelin e së Djathtës e të së Majtës, për kriminalizimin brenda Parlamentit, Astrit Patozi na jep një panoramë të plotë të politikës në vend. Në këndvështrimin e tij, të asaj çka ishte dje dhe të asaj që është sot.
Patozi, kjo periudhë përkon me 25-vjetorin e krijimit të PD-së dhe rënien e bustit të diktatorit Hoxha. Pas kaq vitesh, në optikën tuaj ku është PD sot? Ka mbetur gjë nga PD-ja e shkurtit 1991?
Nuk ka ndonjë arsye pse PD e sotme të krahasohet me veten e saj, kur sapo kishte lindur. Aq më tepër, kur pranohet gjerësisht se PD atëherë ishte më shumë një lëvizje popullore, sesa parti politike, kurse sot është krejtësisht e kundërta. Ka një shpërdorim të madh me nostalgjinë në Shqipëri, e cila, sipas meje, është reminishencë e vjetër që nuk shërben shumë. PD është sot në një fazë të re të jetës së vet politike, e cila konsiderohet delikate për shkak të traumës që pësuam ne në zgjedhjet e fundit parlamentare. Por që gjithsesi nuk është fundi i botës. Që do të thotë se Partia Demokratike, më shumë se të krenohet me historinë e saj, ka për detyrim sot t’u japë përgjigje sfidave të vitit 2016. Nëse e keni fjalën për personazhe politike, ka plot prej tyre që kanë qenë me PD-në, ose afër saj edhe në shkurt të ‘91-it, janë edhe tani, por kjo nuk është ndonjë vlerë e madhe në vetvete. Më e rëndësishme se kjo është që t’u qëndrosh disa parimeve, apo vlerave universale, prej të cilave lindi Lëvizja e Dhjetorit dhe më pas Partia Demokratike, të cilat nuk kanë ndonjë lidhje me vitet që shkojnë e vijnë. Këtu po, që duhet qëndruar fort.
Raporti i të larguarve me hyrjet e reja në PD? Të rinjtë dhe veteranët e kësaj force politike, ku ndahen dhe ku bashkohen? A mendon se po e mbush Basha me të rinj për të spostuar brezin tuaj?
Unë kam një koncept tjetër për politikën. Nuk mendoj se në të ka të rinj e të vjetër, apo mund ta klasifikosh në breza, por ka politikanë të zotë dhe të paaftë. Ky është klasifikimi i vetëm dhe fatmirësisht ai nuk përcaktohet nëpër zyra, apo kafene. Por një herë në katër vjet e ndan vota e qytetarëve. Përcaktimet e tjera nuk kanë asnjë vlerë, pasi janë konvencione të nxitura nga nevoja, apo halle të vogla të momentit. Personalisht, përpiqem t’i injoroj ata që e fryjnë këtë të ashtuquajtur ndeshje brezash, duke e paraqitur si problem. Ndërsa të rinjtë dhe veteranët, të cilët sipas meje, janë njësoj të dobishëm dhe të domosdoshëm për Partinë Demokratike, nuk kanë ndonjë arsye që të lodhen për t’u ndarë, apo bashkuar, sepse e vetmja gjë që i bën bashkë, apo i ndan duhet të jetë raporti me zgjedhjet. Çfarë bën secili para, gjatë dhe pas fushatës elektorale që Partia Demokratike dhe kandidatët e saj të fitojnë. Gjithë të tjerat janë llafe kot. Personalisht, nuk ndjehem i kërcënuar nga askush për shkak të moshës dhe nuk vërej ndonjë alarm edhe tek “veteranët” e tjerë se po spostohen nga ardhjet e reja. Kam lobuar vetëm një herë të vetme në zgjedhjet brenda partisë sime, gjatë këtyre 20 vjetëve. Dhe natyrisht nuk e kam bërë për vete, as për ndonjë mik timin. Por, për prurjet e KOP-it në kongresin përpara zgjedhjeve të 2005-ës. Sepse mendoja atëherë se PD kishte nevojë të ripërtërinte jo vetëm imazhin, por edhe përmbajtjen e vet. I qëndroj tërësisht edhe sot atij koncepti dhe mendoj se kjo duhet të jetë aksiomë politike për çdo parti. Pa harruar se eksperienca na mëson se politikanët, as nuk lindin dhe as nuk formësohen dot prej listave dhe borderove.
Ju jeni një nga zërat më brilant të Opozitës, por duket se preferoni të flisni atëherë kur me të vërtetë keni diçka të vlefshme për të thënë. Mendoni se, tani është koha për të bërë, pastaj për të thënë?
E para ishte fjala, kështu thuhet në Bibël. Që do të thotë se gjithçka nis nga mendimi, ideja. Ndaj mos prisni kurrë që gjërat në fillim të bëhen dhe pastaj të thuhen, sepse edhe në jetë ndodh krejtësisht e kundërta. Unë përpiqem të bëj detyrën time, duke ruajtur një raport të drejtë të daljeve publike me pozicionin tim modest. Nuk jam zë i vetëm, fatmirësisht, sepse ka plot kolegë, të cilët i respektoj dhe i vlerësoj shumë për zotësinë dhe profesionalizmin e tyre. Por, nëse ju thoni se flas vetëm atëherë kur kam diçka për të thënë, kjo më bën të lumtur. Sepse kjo është një farë mënyrë ëndrra ime, ose ajo e çdo njeriu racional në këtë botë.
Sipas jush, a është në nivelin e duhur Opozita sot?
Kjo është temë shumë e përgjithshme dhe mund ta mbyllësh me një fjali, por mund të duhen edhe tre ditë për ta shpjeguar. Unë hyj te njerëzit që kënaqem me vështirësi dhe problemin më të madh e kam me veten time. Duke qenë pothuajse gjithmonë në konflikt me Astrit Patozin e kam të vështirë të mendoj ndryshe edhe për grupimin politik, të cilit i përkas. Ndaj them se gjithmonë ka vend për ta rritur nivelin, për të bërë më shumë, për të qenë më kërkues ndaj asaj që bën vetë dhe kjo vlen për opozitën në tërësi, apo edhe për PD-në në veçanti. Vetëm kështu një forcë politike mund t’i arrijë objektivat e vet strategjikë.
Çfarë duhet të bëjë dhe jo… për t’u rikthyer në pushtet?
Nuk ka receta për këtë. Por të paktën të dish se çfarë nuk duhet bërë është gjithmonë më e lehtë. Të mos përsërisësh të njëjtat gabime,që ne vetë kemi bërë në të shkuarën, sepse sado të lavdishme ta kemi pasur historinë, nuk kemi qenë as të shenjtorë dhe as të përkorë. Kemi bërë një thes me gabime, disa i kemi pranuar e disa jo, por kjo tani nuk ka shumë rëndësi. Po ashtu, të mos biem në të njëjtat sëmundje, apo fenomene negative, që vërejmë tek kundërshtari e aq më pak të përpiqemi ta imitojmë atë, vetëm për shkak se herën e fundit na ka mundur. Kjo është pak më e lehtë, se tek tjetri nuk lodhesh shumë për t’i gjetur defektet. Por natyrisht, kjo vlen vetëm për pjesën mbrojtëse të identitetit politik të një partie të madhe dhe kjo nuk është përcaktuesja. Ajo që duhet bërë pastaj varet nga aftësia, vizioni, kreativiteti, qëndrueshmëri dhe principaliteti i atyre që udhëheqin. Është pikërisht ajo që e bën diferencën dhe ndan fituesin nga humbësi. Ndaj ne duhet të forcojmë këto elemente të konstitucionit tonë politik që të shkojmë drejt fitores në zgjedhjet e radhës.
Për çfarë ndryshimesh ka nevojë më së shumti fryma e Opozitës?
Sipas meje, për më shumë realizëm dhe duhet t’i qëndrojë sa më larg falsitetit, i cili dallohet dhe bie erë prej së largu, sado i sofistikuar dhe pelivan të jesh. Gabohen rëndë të gjithë ata që mendojnë se politika është teatër, ku mjafton të jesh aktor i mirë për të pasur sukses. Ne duhet t’i bindim shqiptarët të na votojnë, vetëm nëse kalojmë testin e vështirë të raportit me të vërtetën dhe pastaj kjo duhet shoqëruar me përbërës të tjerë, me humanizëm, me devocion, me përkushtim dhe domosdoshmërisht me aftësi për t’i paraqitur ato në publik. Por dhe më shumë kolegjialitet, apo punë në ekip, sidomos në kushtet kur pala tjetër po shfaq simptomat kanceroze të asgjësimit edhe të demokracisë formale në Partinë Socialiste, pasi atje po eliminohen fare zgjedhjet.
A mendoni se ka një konflikt të heshtur Basha-Topalli?
Kjo nuk është një pyetje që më takon mua. Atë që di unë e dini edhe ju. E dinë edhe të tjerët. Sepse në politikë është pjesa publike ajo që ka rëndësi. Të tjerat vlejnë për konsum kafenesh. Ka pasur disa polemika, të cilat nuk kanë qenë edhe aq të heshtura, por gjithsesi nuk mendoj se ka arsye të qenësishme për atë që ju e konsideroni konflikt.
Mes Berishës dhe Bashës, cilin dëgjoni pa e vënë në mëdyshje fjalën?
Pa ia vënë në mëdyshje fjalën do të dëgjoja vetëm Zotin, por meqë kjo është e pamundur, atëherë jam i detyruar të pres takimin me Të në botën tjetër. Deri atëherë kam pasur, kam dhe do të kem plot raste të dëgjoj me vlerësim dhe respekt mjaft njerëz, që i konsideroj interesantë kur flasin, pavarësisht nga ofiqi që mbajnë. Padyshim që këtu futen edhe zoti Basha dhe zoti Berisha, të cilët nuk kam ndonjë arsye pse t’i veçoj, apo ndaj nga njëri-tjetri.
Cili është gabimi më i madh i së Djathtës në ato vite që ka qeverisur dhe si mund të korrigjohet ai?
Trajtimi i pronës dhe evolucioni negativ i reformës së pronësisë në vite. Sigurisht, nuk jemi përgjegjësit e vetëm, por prej nesh pritej më shumë, jo nga Partia e Enverit, që u shndërrua më vonë në Parti Socialiste. Keqkuptimet dhe mëdyshjet tona i kanë sjellë një dëm të madh, jo thjesht interesave të një shtrese të caktuar të popullsisë, që janë pronarët e ligjshëm, të cilëve ne i detyroheshim më shumë, qoftë si shoqëri, qoftë si Parti Demokratike. Atyre po se po, por edhe vendit në përgjithësi, pasi konfliktet dhe paqartësitë me pronën kanë penguar një sërë procesesh të tjera të rëndësishme për ekonominë dhe zhvillimin më të shpejtë të Shqipërisë në këto vite. Ndonëse problemet në këtë lëm janë koklavitur shumë, gjithmonë ka mënyra për të korrektuar diçka që është bërë keq dhe për të dhënë drejtësi. Mjafton që të gjendet vullneti politik. Ndaj mundësitë janë ende, por unë nuk shpresoj shumë në këtë aspekt, edhe për shkak se kjo mazhorancë, jo vetëm për arsye ideologjike, as ka treguar ndonjëherë dhe as ka ndonjë ndjeshmëri të veçantë për fatin e pronës dhe të pronarëve legjitimë në këtë vend.
Po e Majta në kaq kohë qeverisje ku po gabon dhe a po i shfrytëzon Opozita gabimet e së majtës për t’u rikthyer sërish në pushtet?
Qeveria e Edi Ramës po gabon gati në gjithçka dhe unë nuk po i hyj t’i shpjegoj të gjitha, sepse nuk më mjafton as koha dhe as faqet e gazetës suaj. Shqipëria po qeveriset keq e më keq, por unë nuk e gjej shpëtimin tek gabimet e së majtës që PD të rikthehet në pushtet. Ato mund të jenë një rrethanë lehtësuese, por kurrsesi motivi kryesor që do t’i shtyjë shqiptarët të votojnë për ne.
Opinioni juaj për reformat e qeverisë “Rama”?
Mund të duket pak e çuditshme, por unë mendoj se qeveria “Rama” nuk ka bërë ende asnjë reformë, ndaj unë nuk kam për çfarë të flas. Ato që kryeministri përpiqet t’i shesë si të tilla, nuk janë reforma, por aksione me goditje të përqendruar, një term i diktaturës, që të rinjtë e sotëm nuk e kuptojnë dot dhe nuk kanë faj. Janë në përputhje me stilin e Ramës gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk ka rëndësi se çfarë arrihet, por si shitet dhe si transmetohet ajo që t’i do të përçosh. Kujtoni fushatat kundër lojërave të fatit, prishjen e ndërtimeve me dhe pa leje, burgosjet për kamat-vonesat e energjisë, kuponi tatimor e plot të tjera si këto. Reformat janë ligje dhe vendime që kthehen më pas në norma të sjelljes shoqërore dhe institucionale, por këtë nuk po e shohim akoma. Aktualisht ka vetëm një reformë të qenësishme në tavolinat e parlamentit, debati mbi të cilën është shumë larg seriozitetit që ajo meriton. Dhe ç’është më e keqja, nuk ka burrë nëne në Shqipëri dhe jashtë saj, që ta dijë ekzaktësisht se si do t’i vejë filli i saj. Natyrisht, unë uroj që të miratohet, ndonëse nuk shpresoj shumë prej reformës në Drejtësi, edhe sikur mrekullia të ngjasë.
Meqë dolëm tek Reforma në Drejtësi, pse nuk e bëri e Djathta sa ishte në qeverisje?
Së pari se nuk e kemi pasur asnjë ditë komfortin e kësaj mazhorance në numra. Së dyti, sepse atëherë vendi kishte përparësi të tjera dhe ne natyrisht iu përgjigjëm atyre. Por më e rëndësishmja është se reforma në drejtësi ka marrë këtë peshë në ditët e sotme, kryesisht për shkak të partnerëve tanë perëndimorë, sepse po të ishte për Edi Ramën dhe Ilir Metën, ata dinë plot marifete të tjera për ta kapur sistemin pa shumë zhurmë dhe bujë. Dhe natyrisht pa ambasadorë “të bezdisshëm” nëpër këmbë.
Nëse PD do bënte pazare, me cilën do të pranonte të kishte pakt; me PS, apo me LSI?
Problemi është se unë nuk e pranoj pazarin fare. Mund të tingëllojë pak si patetike për rrethanat e sotme, por unë e kam bindje këtë. Dhe kam argumente. Së pari, se ne kemi nevojë të fortë që të përforcojmë kontrastin me koalicionin në pushtet, PS dhe LSI. dhe mospranimi i pazarit është një vijë demarkacioni, që e bën më evidente diferencën me ta. Natyrisht, që ka edhe aspekte të tjera për të treguar se ne jemi të ndryshëm, jo me fjalë, por me vepra. Nëse të gjitha palët do të ishin pazarxhinj, pse do të rrezikonin qytetarët shqiptarë të votonin për opozitën, kur të njëjtin produkt mund ta merrnin, duke qëndruar me pushtetin? Por, përtej kësaj edhe për pragmatizëm. Sepse mendoj që, në rast se ne do të dilnim në pazarin e politikës, do të rezultonin më të humburit, jo thjesht se jemi në opozitë, por më shumë për shkak se partnerët potencialë luajnë në terrenin e tyre. Është njësoj si të shkosh në tregun fshatar dhe të kërkosh t’ua hedhësh matrapazëve. A është e mundur kjo? Unë them se jo. Ne një herë u detyruam të bëjmë marrëveshje me ta në 2009-ën, jo për dëshirë, por për shkak të votës dhe nuk po na del ende helmi, megjithëse kanë kaluar gati 7 vjet.
- Patozi, një aspekt tjetër, ku preferoj të ndalem është edhe ai i fjalimeve që deputetët mbajnë në parlament, në deklaratat e tyre për shtyp, apo edhe në postimet e rrjeteve sociale. Mungesa e njohurive bazë në artikulimin dhe të shkruarit pastër të gjuhës shqipe nga ana e tyre lë shumë për të dëshiruar. A jua vret veshin ky fakt dhe… pse jo, ç’përgjegjësi duhet të mbajnë ata mbi deformimin dhe keqpërdorimin e shqipes?
Nëse ju mendoni se ne do të gjykohemi një ditë për dëmin që i kemi sjellë shqipes së folur dhe të shkruar, unë do ta prisja shumë i qetë verdiktin, qoftë ky edhe burgim i përjetshëm, sepse ne e kemi hequr dënimin me vdekje. Por kjo ditë s’ka për të ardhur kurrë, sepse bastardimi i gjuhës amtare do të ishte një krim luksi, të cilin do të na e falnin pa asnjë mëdyshje të gjithë. Për fat të keq, përgjegjësitë tona janë shumë të rënda dhe ato janë shkaku i këtij depresioni që po i shtyn shqiptarët njësoj si 25 vjet të shkuara që ta gjejnë shpëtimin vetëm duke ikur nga vendi i tyre. Natyrisht, që ato nuk janë asnjëherë kolektive dhe unë nuk kam ndërmend të mbaj në shpinë kusuret e të tjerëve. Por sado modeste të jetë përgjegjësia ime për këtë gjendje dëshpëruese, unë atë e ndjej dhe nuk e teproj po të them se kjo nuk më bën fare krenar.
Po lidhur me nivelin e vulgaritetit në debatet e tyre, që nga legjislatura në legjistraturë duket se po degradon, çfarë keni për të thënë?
Nuk kam ndonjë gjë të madhe për të thënë për këtë çështje, sepse nuk e përjashtoj veten nga mundësia që mund të bie dhe vetë në ato nivele. Ndonëse nuk e fsheh të them se, përpiqem shumë që ta evitoj këtë gjë. Sa sukses kam pastaj në këtë ndërmarrje të vështirë, nuk më takon mua të flas. Por nëse ekziston ky perceptim, shpjegimi është i thjeshtë. Debati parlamentar reflekton deformimin e sistemit tonë politik, vit pas viti dhe legjislaturë pas legjislature. E thotë shkurt fjala e urtë, “ç’të mbjellësh do të korrësh”. Sepse asgjë nuk na ka ardhur papritmas në një ditë. Ndaj çdo ditë që shkon më përforcohet ideja se Shqipëria ka nevojë për një shkundje të fortë shoqërore, për një rithemelim të Republikës.
Nëse Basha humbet zgjedhjet parlamentare a duhet të japë dorëheqjen?
Ju thoni, nëse humbet Basha, unë në fakt mendoj Partia Demokratike. Ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi, që kjo të mos ndodhë, sepse humbja, apo fitorja e një force politike nuk lidhet thjesht me fatin e një njeriu, qoftë ky edhe i pari mes të barabartëve. Janë kiamet shumë njerëz që afektohen nga zgjedhjet, por mos harroni se janë në lojë edhe fatet e vendit në përgjithësi. Natyrisht që në këtë aspekt kryetari ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur. Por tek e fundit, një kryetar mund t’i përballojë ndoshta më lehtë një, apo disa humbje, por një parti e madhe, që është krijuar për të qeverisur, si Partia Demokratike e ka të pamundur ta pranojë këtë. Mendoj se e fundmja gjë që duhet të na shkojë ndërmend këto kohë duhet të jetë humbja. Edhe për shkak se kundërshtarët po na e bëjnë më të lehtë rrugën, duke i nxjerrë ujin e zi Shqipërisë, që ditën e parë kur erdhën në pushtet e deri më sot. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për t’i fituar zgjedhjet dhe unë mbetem i bindjes që mund t’ia dalim, qofshin të parakohshme, apo normale zgjedhjet e ardhshme.
Sokol Olldashi ka mbetur ikonë, apo inspirim në PD?
Unë nuk kam ndonjë vlerësim të madh për ikonat dhe për idolatrinë në përgjithësi. Edhe ai vetë nuk ka pasur ndonjë keqkuptim për rolin që mund t’i kishte caktuar historia. Ishte realist, ndonëse e ushtronte me pasion të veçantë profesionin e politikanit. Por mendoj se, kjo nuk e pengon të jetë inspirues, ndonëse nuk jeton më. Natyrisht, për ata që kanë pasur mundësi ta njohin sadopak, në afërsi, apo në distancë kjo nuk ka shumë rëndësi. Ishte një politikan race dhe me aftësi të jashtëzakonshme përshtatjeje me kohën dhe rrethanat, i cili ka lënë pas një zbrazëti të madhe në PD.
Partitë aleate afrohen me PD vetëm para zgjedhjeve për të marrë ndonjë mandat deputeti nga selia blu. A duhet të vazhdojë kjo praktikë, sipas jush?
Kjo nuk është tamam kështu siç e thoni ju, pasi ka ndodhur në këto përmasa vetëm në zgjedhjet e 2013-ës. Kam qenë i bindur që atëherë që ishte një gabim, i cili na dha kosto të gjithëve, përfshirë edhe atyre që përfituan prej futjes në listat tona. Dhe ndërkohë gjykoj se raportet korrekte me aleatët janë të një rëndësie përcaktuese për fitoren në zgjedhje. Por për një marrëveshje luajale të një koalicioni opozitar ka plot formula të tjera që mund të çojnë drejt suksesit, duke mbrojtur secili nga partnerët interesat e veta elektorale. Po për ta arritur këtë nuk është gjithmonë e lehtë, pasi janë marrëdhënie që duhen ushqyer çdo ditë dhe që nuk lihen për në çastet e fundit, kur afrohet fushata. Sepse atëherë shtohet mundësia për të gabuar, si nga koha e shkurtër që ke në dispozicion, ashtu edhe nga presioni, që vjen në ngjitje.
Berisha, po shkon drejt pensionit politik, apo i duhet akoma PD-së?
Politika nuk ka moshë pensioni, siç është fjala vjen sporti. Por kjo nuk do të thotë se automatikisht je i privilegjuar nga kjo. Sepse ka raste që del fishek prej saj në një moshë sportive, por mund të vdesësh edhe në pleqëri të thellë, duke qenë faktor i rëndësishëm politik. Mendoj që PD-së i duhet çdo personalitet aktiv, që përfaqëson sadopak vlerat e saj e jo më Sali Berisha, që është lideri historik.
Ish-Presidenti i Republikës, z.Topi mendoni se do të bëjë ndonjë lëvizje politike në 2017-ën? Nëse po, do t’i bashkohet së Djathtës, apo do të zgjedhë PS?
Nuk e di. Sepse sjellja e tij politike në 3 vitet e fundit i lë të hapura të gjitha mundësitë. Njësoj si ato ndeshjet e forta të futbollit, që nuk mund të parashikohen, sepse të tre rezultatet janë të mundshme. Do të dëshiroja të ishte në kampin opozitar, siç i takon për nga e shkuara, por dhe nga vlerat politike, që thotë se përfaqëson partia e tij. Por nuk besoj se kjo do të varet nga PD-ja, ndonëse ai vetë ankohet se nuk ka marrë ende ndonjë ftesë zyrtare bashkëpunimi nga ish-partia e vet. Mendoj se gjithçka do të përcaktohet në çastet e fundit nga kalkulimet dhe nga humori i vetë zotit Topi.
Kriminalizimi brenda Parlamentit? A të vjen çudi se si gjendesh në një sallë me deputetë të kriminalizuar?
Në fillim po, por tani sikur u mësova. Tek e fundit, njeriu nuk i zgjedh dot shokët e shkollës, thjesht mund të ndërrojë klasën. Por unë nuk kam ndonjë arsye pse të ndjehem keq, sepse nuk mendoj që i kam zënë vendin dikujt tjetër në parlament. Janë të tjerë ata që gabimisht ndodhen në atë sallë. Dhe për fat të keq, ata nuk janë përgjegjësit kryesorë për këtë denatyrim të institucionit kryesor të Republikës. Sepse ata nuk erdhën vetë, ata i solli kryesisht Edi Rama, duke i përzgjedhur kokë për kokë, që ne t’i kishim patjetër shokë klase. Dhe e keqja është që ende nuk ka dhe as pres që të ketë ndonjëherë një gjysmë “mea culpa” për këtë “turp kombëtar”.