Pazari Vuçiç-Thaçi mund të sjellë destabilizimin e Maqedonisë

Loja ballkanike akoma nuk ka filluar. Por çuditërisht janë gjetur dy arbitra të cilët si në asnjë ndeshje, do të bashkëdrejtojnë lojën për rindarjen e kufinjve. Vuçiç dhe Thaçi kanë dalë në stërvitje duke pritur shtatorin për fillimin e “kampionatit të shkatërrimit ballkanik”.

Karl Bild, ish kryeministër i Suedisë, aktualisht editorialist për gazetën e rëndësishme amerikane “The Washington Post” zbulon qëndrimin e  kryeministrit Rama, që siç e quan ai është pro idesë së Vuçiç. “Në një takim me të, Rama, ishte i hapur për idenë e Vuçiç, siç me tha mua”-shkruan ish-kryeministri Bild për gazetën amerikane. “Mund të ketë versione të ndryshme të skemave të ndarjes. Kosova mund të lëshojë zonën në veri të lumit Ibër, e banuar pothuajse ekskluzivisht nga serbët dhe pastaj të fitojë njohje diplomatike dhe ndoshta të fitojë edhe disa lokalitete kryesisht të banuara në Serbinë jugore. Presidenti serb Aleksander Vucic po mendon përgjatë disa prej këtyre linjave dhe kryeministri shqiptar Edi Rama duket të ketë qenë gjithashtu i hapur për këtë ide, siç më tha në bisedë”, shkruan Bild.

“Dhe pastaj ekziston çështja edhe më e vështirë dhe e rrezikshme e Maqedonisë, ku shqiptarët janë pjesë e konsiderueshme e popullsisë. Do të ketë patjetër nga ata që pyesin pse kjo nuk duhet të zbatohet edhe në Maqedoni. Kjo do të ishte seriozisht te luaje me zjarrin. Ka nga ata në Bruksel dhe Uashington që mund të thonë se nëse liderët në rajon bien dakord për një shkëmbim territori mes Serbisë dhe Kosovës, pse duhet të kemi ndonjë kundërshtim? Sidomos nëse përfshihet krijimi i marrëdhënieve të plota diplomatike? Por një qëndrim i tillë është i rrezikshëm. Në një kohë kur e gjithë vëmendja duhet t’i kushtohet nxitjes së stabilitetit, me këto çështje thjesht nxit e krijon tronditje në dekadat e ardhshme”.

Këto shkruan ish-kryeministri i Suedisë, një nga njohësit më të mëdhenjë të raportëve Serbi-Kosovë në arenën ndërkombëtare. Por siç nënvizon Bild, gjithnjë nëse zbatohet ky pazar Thaçi-Vuçiç, do të plasë lufta në Maqedoni. Shqiptarët atje janë shtetformues dhe popullsi e madhe në rritje demografike, aqsa maqedonasit i ulin me hile përqindjet e popullsisë shqiptare në 22 përqind, por e verteta mbetet se 40 % janë shqiptarë në shtetin maqedon. Dhe me tendencë rritje, duke kaluar maqedonasit. Shqetsimi krijohet se pas shkëmbimeve mes Kosovës dhe Serbisë, gjithnjë nëse fiton dyshja Thaçi-Vuçiç, shqiptarët e Maqedonisë do të kërkojnë bashkimin me Shqipërinë ose edhe me Kosovën. Kjo shkatërron ekzistencën e shtetit maqedon, sepse pjesa e mbetur do të përpihet nga Bullgaria dhe Greqia. Por efekti domino do të sjellë që Shqipëria të kërkojë nga Greqia tokat çame. Po kështu Serbia do të marrë Republikën serpska në shtetin e brishtë të Bosnjës. Sherri slloveno-kroat do të rindizet për kufinjtë. Edhe atje do të kërkojnë një rindarje kufinjsh. Shqiptarët e Mali të Zi mund të thonë se “duam edhe ne me Shqipërinë”.

Dhe kazani ballkanik ndizet!

Pothuaj me një skenar djallëzor filloi Lufta e Parë Botërore, e cila nisi nga Ballkani, ndonëse kishte një vrasje. Vrasja e Franz Ferdinand dhe gruas së tij Sophie, Dukesha e Hohenberg, ndodhi më 28 qershor 1914 në Sarajevë. Më pas plasi Lufta. Lufta e Parë Botërore filloi më 28 korrik 1914 dhe zgjati deri më 11 nëntor 1918. Konflikti i parë i madh botëror i shekullit XX, “Lufta e Madhe”, që mobilizoi 70 milionë ushtarë nga të gjitha kontinentet, shkaktoi vdekjen e 10 milionë personave dhe 20 milionë të plagosurve mes luftëtarëve, me miliona të vdekur civilë dhe rënien e katër perandorive (ruse, austro-hungareze, gjermane dhe otomane).

Natyrisht kushtet kanë ndryshuar. Nuk është ai Ballkan me armë pushke, si atëhere! Tani ka teknologji me të avancuar…

Ndaj marrëveshja Vuçiç-Thaçi duhet parë me kujdes, sepse nëse shkakton trauma të reja popullsisë shqiptare në Rajon dhe bllokimin e Kosovës apo humbjen e trevave shqipfolëse në Rajon; atëhere më mirë të mos nisë.

Veton Surroi thotë se kjo duhet ndaluar urgjent pasi do të shkatërrojë jo vetëm Kosovën, por krejt Ballkanin. Kryeministri kosovar Haradinaj shton se kufinjtë ndryshojnë vetëm me luftë.

Ndërkohë shqiptarët e Maqedonisë janë me “vesh në krahë” për tu bashkuar me Shqipërinë ose me Kosovën, nëse hapet rishikimi i kufinjve nga Thaçi-Vuçiç.

Ballkani mbetet me fitil ndezur!

 

SHKARKO APP