PD: Basha po survejohet. Policia: Mashtrim dhe spekulim politik
Policia e Shtetit ka reaguar sot zyrtarisht lidhur me lajmet në media dhe pretendimet e PD për survejim pa leje të kreut të selisë blu, Lulzim Basha dhe familjarëve të tij.
Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit i cilësoi lajmet që kanë qarkulluar si mashtrim dhe spekulime për qëllime të mbrapshta politike. Policia sqaron se në bazë të ligjit për ruajtjen e personaliteteve, kreu i PD-së “përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës”.
Policia e shtetit deklaron se “nuk është aspak e vërtetë që familja e z.Lulzim Basha, kryetar i PD-së, apo familjarë të tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore”.
Ditën e sotme, mediat raportuan se kreu i PD-së dhe familjarët e tij janë vënë në monitorim dhe survejim me forca shtesë nga njësitë operacionale të Policisë së Shtetit. Pas publikimit të këtij lajmi, kreu i PD-së zhvilloi një mbledhje urgjente me drejtues të partisë dhe deputetë të grupit parlamentar. Pas mbledhjes, nënkryetari Paloka, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka dhe kryetari i komisionit “Tahiri”, Enkelejd Alibeaj shkuan në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Pas reagimit të Policisë së Shtetit, selia blu njoftoi se do të ketë detaje lidhur me akuzat e saj. Deputeti Edmond Spaho tha se Policia e Shtetit ka kryer një aksion të paligjshëm duke vendosur nën monitorim pa leje Lulizm Bashën dhe familjen e tij. “Ndjekja dhe përgjimi i kryetarit të opozitës bëhet për interesa kriminale. Në këtë operacion Rama dhe Xhafaj po përdorin strukturat e policisë që janë krijuar dhe kanë për qëllim të gjurmojnë dhe luftojnë krimin dhe drogën për të gjurmuar dhe luftuar ata që denoncojnë krimin dhe drogën“,- tha Edmond Spaho.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:
“Përgënjeshtrim rreth lajmit se familja Basha mbahet nën survejim – përmbajtja e shkrimit, një spekulim mediatik për qëllime të mbrapshta.
Lidhur me shkrimin e botuar në gazetën “Panorama”, të datës 1 qershor 2018, me titull “Hije skandali, Policia mban në survejim familjen Basha”, sqarojmë se:
Nuk është aspak e vërtetë që familja e z.Lulzim Basha, kryetar i PD-së, apo familjarë të tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore.
Përmbajtja e shkrimit është tërësisht një spekulim mediatik me synim mashtrimin dhe keqinformimin e opinionit publik për qëllime që i gjykojmë të mbrapshta. Me keqardhje konstatojmë se lajmi në fjalë duket i fabrikuar nga zyrat e një partie politike dhe jo nga redaksi serioze. Informimi i publikut rreth veprimtarisë së institucioneve të shtetit është një e drejtë e garantuar me ligj, prandaj nëse dikush do të kishte interes rreth së vërtetës, do ta merrte informacionin lehtësisht në rrugë zyrtare.
Fakti që asnjë nga institucionet e përmendura nuk është kontaktuar nga media në fjalë, na krijon dyshimin se në këtë rast kemi të bëjmë me keqpërdorim flagrant të një gazete nga ana e politikës. Me këtë rast theksojmë se z.Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës.
Por nuk ka në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë së Shtetit. Duke vlerësuar rolin e medias, Policia e Shtetit është e gatshme për t’iu përgjigjur çdo çështjeje me interes publik, në funksion të mirinformimit të qytetarëve”.
FOTO GALERI/DEPUTETET E PD NE POLICINE E SHTETIT
Deklarata e nën/kryetarit të Partisë Demokratike Edmond Spaho për Policinë e Shtetit:
“Operacioni klandestin i ndjekjes dhe përgjimit 24 orë të kryetarit të opozitës dhe familjes së tij është operacion i paligjshëm, antikushtetues dhe kriminal. Operacioni klandestin është konceptuar dhe zbatuar nga Fatmir Xhafaj, ish-hetuesi i dhunshëm i komunizmit, me urdhër të Edi Ramës.
Ndjekja dhe përgjimi i kryetarit të opozitës bëhet për interesa kriminale. Në këtë operacion Rama dhe Xhafaj po përdorin strukturat e policisë që janë krijuar dhe kanë për qëllim të gjurmojnë dhe luftojnë krimin dhe drogën për të gjurmuar dhe luftuar ata që denoncojnë krimin dhe drogën.
Ky operacion dëshmon se qeveria funksion si një pushtet privat kriminal në mbrojtje të trafikut të drogës dhe krimit të organizuar ku janë përfshirë drejtuesit më të lartë të qeverisë. Këto operacione klandestine kriminale kanë garancinë e mbrojtjes nga prokuria politike e drejtuar nga Arta Marku, përfaqësuesja dhe shërbëtorja politike e dyshes Rama-Xhafaj. Këto veprime kriminale kanë garancinë e mosndëshkimit si rezultat i shkatërrimit të Gjykatës Kushtetuese, paralizimit të plotë të Gjykatës së Lartë dhe kontrollit të plotë mbi sistemin e drejtësisë nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj.
Në këto kushte, Shqipëria është sot është në një gjendje ku jeta, liria, prona dhe e drejta e çdo qytetari janë të rrezikuara nga krimi që mbrohet nga shteti. Gjendja e lirisë, të drejtave të njeriut dhe drejtësisë në vend do të bëhet edhe më e rëndë pasi, për të mbrojtur lidhjet dhe përfshirjen e tyre kriminale në trafikun e drogës, dyshja Rama-Xhafaj do të vazhdojë të kryejë krime të tjera ndaj kujtdo që bëhet pengesë për ta.
Prandaj, sot më shumë se dje, është e domosdoshme që Fatmir Xhafaj të largohet për t’i hapur rrugën dekriminalizimit të vërtetë të Policisë së Shtetit, e cila është kthyer nga një strukturë private e vëllezërve Habilaj në një strukturë private të vëllezërve Xhafaj.
Sot, është më e domosdoshme se kurrë që Reforma në Drejtësi të kthehet në binarët kushtetues, për ta çliruar drejtësinë nga kapja që i ka bërë Edi Rama dhe, përmes tij, krimi i organizuar”.
Në një koment në Facebook, Rama fton shqiptarët që të qeshin historinë e fundit të selisë blu.
“Babalepartitë e babaleopozitës kanë shpikur sot një përgjim të Policisë së Shtetit për babalekryetarin e Partisë Babalokratike. Shpejt do të dalë e vërteta e babalepërgjimit të shpikur dje për ministrin e ndërkohë le të qeshim me babalepërgjimin e shpikur sot për Lulëzimin”,- shkruan Rama në Facebook.