PD dhe LSI kërkesë Ruçit: Anulo ligjin për teatrin. U manipuluan votat
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kërkuar sot në rrugë zyrtare që Parlamenti të anulojë miratimin e ligjit për Teatrin Kombëtar.
Kryetari i grupit të PD, Edmond Spaho dhe kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili në një letër dërguar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi kërkojnë që Parlamenti të korrigjojë vendimin e së enjtes duke anuluar miratimin e ligjit.
Spaho dhe Vasili shprehen se votimi në seancë është manipuluar dhe votat “janë vjedhur në mënyrë banditeske”.
Dy krerët e grupeve opozitare argumentojnë se në listën e deputetëve figuron si votues pro ligjit dhe deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo. Ndërkohë që Tavo nuk ka qenë i pranishëm në seancë, pasi ndodhej jashtë Shqipërisë.
“Ky akt përbën falsifikim të procesit të votimit, si dhe mund të krijojë bindjen se në listë mund të jenë si votues edhe deputetë të tjerë të cilët nuk kanë qenë të pranishëm”,- thuhet kërkesën e Edmond Spahos dhe Petrit Vasilit.
Deputeti i LSI, Vangjel Tavo ka deklaruar sot se vota e tij është hedhur nga dikush tjetër në seancë. Ai konfirmoi se mungonte në seancë për arsye shëndetësore dhe nuk ka qenë i pranishëm.
Ligji për Teatrin Kombëtar u votua vetëm nga Partia Socialiste me 75 vota pro. Opozita kundërshtoi ashpër këtë projektligj që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe nuk mori pjesë në votim.
Por sipas procesverbalit të Kuvendit rezulton se në seanca ka “votuar” të paktën një deputet i që s’ka qenë i pranishëm, gjë që në pikëpyetje gjithë votimin.
FOTO/LETRA E KRERËVE TË GRUPEVE TË PD DHE LSI PËR KREUN E KUVENDIT