PD: Kandidati i PS mori 25 mln dollarë. Reagon Gjici: Shihemi në gjyq
Partia Demokratike denoncoi sot biznesmenin Safet Gjici si përfituesin kryesor të tenderave të qeverisë “Rama”.
Në një deklaratë për mediat deputeti Ervin Salijanji deklaroi se kompanitë e Safet Gjicit, ish-kandidat i PS për Bashkinë e Kamzës dhe ish-kandidat për deputet në Qarkun Kukës, kanë përfituar 315 tendera nga institucionet publike. Shuma e fituar nga kompanitë në këto tendera arrinë në 25.2 milionë dollarë.
Sipas PD, ajo që është flagrante nga këto procedura ka të bëjë me faktin se 171 tendera janë fituar direkt pa garë duke shkelur ligjin.
Salijanji paraqiti para medieve të dhëna që tregojnë se dy kompanitë që kanë fituar tenderat edhe pse kanë emra të tjerë pronarësh kanë të njëjtën vendosje dhe adresë elektronike me atë të Saft Gjicit. “Shoqëria Eurogjici Security shpk zotërohet nga shtetasi Lavdrim Gjici, kushëri i Safet Gjicit, ndërkohë shoqëria “Toni Security shpk”, pavarësisht se zotërohet 100% nga shtetasi Nazmi Kurti, nga ekstraktet historike vërtetohet se, të dyja shoqëritë zotërohen nga i njëjti person (Gjici)”,- tha deputeti demokrat.
Salijani tha se në disa raste gara për tenderat ka qenë mes dy kompanive, që realisht kanë të njëjtin pronar, duke eliminuar kompanitë e tjera.
Pas deklaratës së PD ka ardhur dhe reagimi i Safet Gjicit. Ai njofton se do të padisë për shpifje deputetin e PD, Ervin Salijani:
Reagimi i plotë i Safet Gjicit në Facebook:
“Me teorinë “shpif, shpif se diçka do mbetet”, Salianji sot doli dhe gënjeu shqiptarët.
I gënjeu, se gjoja unë paskam fituar tendera “marramendës”!!!! Ervin, je i gabuar!
Që në kohën kur u emërova Prefekt i Qarkut Kukës, në vitin 2014, nuk menaxhoj më asnjë kompani. Kjo dihet botërisht, por ti dhe ata që të nxorën sot nuk dinë apo duan të shohin!
Kjo është e vërteta. Lidhur me kompanitë e cituara, të sugjeroj të informohesh, pasi fjalët e tua janë të gabuara dhe të siguroj se do të hidhen poshtë dhe nga drejtësia.
Për shpifjen tënde të radhës, që në fakt është e përhershmja përpara çdo beteje elektorale, do të takohemi në Gjykatë, aty ku e vërteta do triumfojë.
Sa i përket tenderave, kompanitë që unë drejtoja dikur, kanë përfitur me konkurim të ndershëm më shumë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Kjo është lehtësisht e verifikueshme në buletinet publike. Mjafton ti shohesh!
Për “faktet” që sot paraqite, do shihemi në gjyq, pasi për këtë shpifje të radhës nuk do të ndalem!”
Deklarata e plotë e deputetit të PD, Ervin Salianji:
“Edi Rama ka ndërtuar një sistem ku vjedh Shqiptarët dhe Shqipërinë për t’i përdorur më pas këto para për të vjedhur zgjedhjet dhe për të rivjedhur sërish Shqipërinë. Këtë sistem ka pasur propozim dhe këtë sistem ka instaluar në qeverisje.
Edi Rama ka kaluar në fazën tjetër të vjedhjes së Shqipërisë.
Pasi zhvati dhe zhvat miliona euro nga taksat e xhepat e shqiptarëve për të majmur dhe fryrë derra të kënaqun që kanë përthithur si shushunja me prokurime të drejtpërdrejta pa garë dhe pa negocim apo me tendera fiktivë.
Pikërisht kur BB thotë se Shqipëria rrezikohet nga PPP e pakërkuara, kur Raporti i Departamentit të Shtetit denoncon korrupsionin e niveleve të larta, zbulohen fakte të reja për skemën korruptive të vjedhjes.
Sot po ju paraqesim fakte se si Safet Gjici, një prej qindra shërbëtorëve të pangopur të Ramës ka përfituar nga paratë publike 25.2 milion dollarë.
Shoqëria Eurogjici Security shpk zotërohet nga shtetasi Lavdrim Gjici, kushëri i Safet Gjicit, ndërkohë shoqëria “Toni Security shpk”, pavarësisht se zotërohet 100% nga shtetasi Nazmi Kurti, nga ekstraktet historike vërtetohet se, të dyja shoqëritë zotërohen nga i njëjti person (Gjici), pasi:
1. Adresa fizike e selisë është e njëjtë, konkretisht:
Rruga “Adem Jashari”, Njësia Bashkiake nr.5, Lagjja nr.8, hyrja nr.10, apartamenti nr.3, Tiranë (i njëjti apartament)
2. Adresa elektronike është e njëjtë: financaeurogjici@gmail.com
Safet Gjici, nëpërmjet dy shoqërive të mësipërme ka përfituar 315 tendera, me vlerë 25.2 mln dollarë, nga të cilat 171 pa garë, me vlerë 3.8 mln dollarë, konkretisht:
1. EUROGJICI SECURITY shpk, ka përfituar 250 tendera, me vlere 21.3 mln dollarë, nga të cilat 143 pa garë me vlerë 3 milion dollarë.
2. TONI SECURITY shpk, ka përfituar 65 tendera, me vlerë 3.8 mln dollarë nga të cilat 28 pa garë, me vlerë 709 mijë dollarë.
Për kontrastin me qytetarët kuksianë që mbahen në burg sepse kërkojnë që mos taksohen 10 euro për të shkuar në shtëpitë e vet,a kuksiani i Ramës zhvat 25.2 milione dollarë nga taksat e qytetarëve.
Në Republikën e Ramës të jesh hajdut bëhesh ministër, deputet, Kryetar Bashkie e milioner, të jetosh në mënyrë të ndershme përfundon në burg“.
Dokumentet e publikuara nga PD për Safet Gjicin