PD: Komisioneri i Vettingut me dokumente mashtruese

-Kryeprokurorja Arta Marku urdhëron nisjen e verifikimeve për anëtarin e Komisionerit të Pavarur të Kualifikimit, Lulzim Hamitaj. ONM duhet të ndërhyjë urgjent, pasi shqiptarët e duan Vettingun, por jo që të kap drejtësinë një parti tjetër, kur deri tani e kishte uzurpuar ish-partia në pushtet.

-Vettingu është një proces që veç anës ligjore ka dhe rëndësi për besimin dhe kriteret morale që i ofron publikut. Kur brenda trupës së Vettingut që po gërmojnë për qindarka në xhepat e gjyqtarëve ka njerëz që kanë mashtruar, atëherë procesi moralisht ka rënë.

Partia Demokratike ka bërë dje një denoncim të fortë për një nga anëtarët e komisioneve të Vettingut. Juristët e PD dhe ish-ministrat e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi deklaruan se Lulzim Hamitaj, anëtar i Komisionerit të Pavarur të Kualifikimit ka falsifikuar dokumentet zyrtarë të kandidimit për këtë post. Konkretisht, sipas PD, Hamitaj ka mashtruar për njohuritë e tij të gjuhës angleze. Në kriteret e kandidimit për në postet e Vetingut kërkohet që juristët të jenë njohës shumë të mirë të gjuhës angleze. Sipas PD, komisioneri Hamitaj, në disa jetëshkrime që ka paraqitur në institucione private në vitin 2015 deklaronte se e njihte anglishten në nivelin fillestar “B1”. Ndërsa në dokumentet e kandidimit për në institucionet e Vettingut ka shënuar është njohës në nivelin më të avancuar të anglishtes “C1”, pra shkëlqyer. Për të vërtetuar njohurinë e gjuhës angleze, Hamitaj ka depozituar dhe certifikatën që ka marrë nga universiteti. Por sipas PD, këtu nis dhe prova e falsifikimit. Juristët e Partisë Demokratike thonë se dokumenti i provimit që ka dorëzuar në institucionet shtetërore rezulton se është marrë nga Hamitaj në kohën kur ky nuk ka qenë në Shqipëri. “Dokumentet zyrtare tregojnë se Lulzim Hamitaj, Komisioneri i vettingut, nuk ka qenë në territorin e Republikës së Shqipërisë në datën 6 Prill 2015, ku pretendon se ka zhvilluar testimin dhe është pajisur me certifikatë, pasi rezulton se ai ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë në datën 28 Mars 2015 dhe ka hyrë në 23 Korrik 2015”,- thanë dje juristët e Partisë Demokratike. Gjithashtu, rezulton se certifikata e komisionerit nuk ka vulën e Universitetit shtetëror të Tiranës.

Akuzat e Partisë Demokratike edhe pse në dukje bëhet fjalë për një detaj në fakt gjuhësor në të vertetë janë shumë të rënda. Së pari, nëse PD ka të drejtë, kemi të bëjmë me një falsifikim të dokumenteve zyrtare gjë që është e dënueshme penalisht. Së dyti, nëse gjithmonë PD ka të drejtë, komisioneri nuk përmbush kriteret e punësimit dhe rezulton se është zgjedhur në mënyrë të pamerituar në këtë detyrë, gjë që do të thotë se duhet të shkarkohet. Së treti, nëse akuzat vërtetohen vihet në pikëpyetje jo thjesht një emër juristi, por besueshmëria e njerëzve që u është lënë në dorë fati i drejtësisë së vendit. Pra, sipas PD-së, një që ka mashtruar dhe shkelur ligjin penal për vete, ka gjykuar dhe gjykon gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo është skandoze, gjithnjë nëse prokuroria del më konkluzionin se mashtrimi është i faktuar.

Deri dje Partia Demokratike ka bërë denoncime për lidhjet politike të njerëzve që janë në institucionet e Vettingut me Partinë Socialiste. Po kështu janë hedhur akuza të forta për vendime me dy standarde nga ana e anëtarëve të KPK. Sipas PD, janë shkarkuar gjyqtarë që për 3-4 milionë lekë të pajustifikuara dhe janë mbajtur në detyrë prokurorë dhe gjyqtarë me më shumë se 100 milionë lekë të padeklaruara, vetëm se kanë lidhje politike me PS.

Gjithashtu ka akuza për përzgjedhje të juristëve që kalojnë vetingun mbi bazën e vendimeve që kanë dhënë pro qeverisjes së PS, apo lidhjeve nepotike dhe miqësore me zyrtarë të lartë të qeverisë aktuale. Të gjitha këto akuza mund të qëndrojnë, por në çdo rast janë të karakterit politik dhe më shumë janë parë si sulme opozitare dhe jo fakte. Ndërkohë, denoncimi i PD dje ndryshon thelbin e akuzave. Për herë të parë PD del me prova, sipas saj, që dëshmojnë për integritetin e ulët dhe mungesën e aftësive profesionale nga ana e njerëzve që janë zgjedhur për të bërë kontrollin e gjithë sistemit të drejtësisë. Vettingu po shkarkon gjyqtarë se përse  janë takuar me të dënuar për mashtrime, apo se kunati paska patur 0.4 gram hashash, po kur vet një anëtar i Vettingut dyshohet se ka mashtruar institucionet, sa i besueshëm është në vendimet që ka marrë?

Kjo i jep një goditje procesit të Vettingut, sidomos moralisht dhe publikisht. Ndaj duhet hetim i shpejtë dhe ndëshkim penal, nëse rezulton se dokumentat e PD-së dalin të verteta. Natyrisht nuk dyshojmë se dy ish-ministra mund të gabojnë aq me tepër se kanë folur dy njerëzit më profesionistë të PD-së në fushën juridike.

Vettingu është një proces që veç anës ligjore ka dhe rëndësi për besimin dhe kriteret morale që i ofron publikut. Kur brenda trupës së atyre që po gërmojnë për qindarka në xhepat e gjyqtarëve ka njerëz që kanë mashtruar, atëherë procesi moralisht ka rënë. Pas akuzës së PD, organet e  Vettingut që operojnë autonome nga gjithë sistemet e tjera deri dje në mbrëmje nuk reaguan për këtë akuzë të rëndë. Mazhoranca dhe Edi Rama, që këto ditë kanë marrë rolin e avokatëve mbrojtës për çdo vendim të diskutueshëm të KPK, dje nuk thanë asgjë për hijet e dyshimeve mbi gjykatësit e gjykatësve.

I vetmi institucion që reagoi dje në kohë rekord ishte Prokuroria e Përgjithshme. Kryeprokurorja Arta Marku ka urdhëruar nisjen e verifikimeve për anëtarin e KPK, Lulzim Hamitaj. Verifikimi i prokurorisë është e vetmja mënyrë për të kuptuar sesa qëndrojnë akuzat e Partisë Demokratike.Por e mira duhej që dhe vetë Kryeministrit të thoshte një fjalë, natyrisht me rezervë, që duhet hetim urgjent për të mos shkatërrimin e Vettingut. Sipas burimeve të rezervuara nga selia blu, PD-ja po heton dhe tre komisionerë të Vettingut për lidhje me persona të lidhur me krimin apo shkelje të tjera ligjore.

ONM duhet të ndërhyjë urgjent, pasi shqiptarët e duan Vettingun, por jo që të kap drejtësinë një parti tjetër. Boll kishim PD-në e cila e kishte kapur sistemin e drejtësisë.

Shqiptarët meritojnë drejtësi të pavarur.

Q.Xhani

SHKARKO APP