Selia blu del hapur kundër qëndrimit të Ambasadorit Amerikan, Donald Lu
E çuditshme, por e vertetë. Partia Demokratike ka deklaruar sot se përkthimi i ligjit të Vetingut u dërgua qëllimisht me gabime në Komisionin e Venecias. Në një konferencë për shtyp, deputeti i PD Oerd Bylykbashi ka paraqitur një seri provash “kokëforta”, të cilat vërtetojnë sipas tij se teksti i Vetting-ut është deformuar. Ndërkohë ishte dje ambasadori amerikan Lu që tha prerë se Ligji nuk ka asnjë gabim. Por deputeti Bylykbashi pohoi se “Që në momentin kur u miratuan amendamentet për Kushtetutën, PD e ka mbështetur largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Por kjo nuk bëhet duke manipuluar përkthimin, duke bërë që Komisioni i Venecias të hyjë në drejtim të gabuar. Ka një tentativë që të bëhet e mundur që ligji i Vetting-ut të mos konsiderohet si një ligj që ka probleme të rënda. Kushtetueshmëria nuk arrihet me deformimin e ligjit dhe as me etiketimin e atyre që e kanë konstatuar”.
Deklarata e PD-së duket si përgjigje direkte ndaj qëndrimeve të Ambasadorit Amerikan Donald Lu. Diplomati i SHBA dje tha se ligji po pengohet nga ana që kanë frikë nga reforma në drejtësi. Lu akuzoi direkt PD se po sajon gënjeshtra në lidhje me Vetingun. “Shohim prova se këta persona janë tashmë të frikësuar dhe se po përpiqen të luftojnë kundër kësaj reforme. Për shkak të frikës së tyre, ata po sajojnë histori dhe thonë gënjeshtra për Ambasadoren e BE-së, EURALIUS-in dhe Gjykatën Kushtetuese. Sikurse e tha vetë Kryetari i Gjykatës Dedja, Gjykata ka dërguar tashmë një përkthim të rishikuar në Komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte thelbësor”,- deklaroi Ambasadori.
Ndërkohë sot PD-ja ka vijuar me deklarata që më shumë se ligjin e Vetingut dalin kundër qëndrimit të Ambasadorit Amerikan.
“Varianti me gabime është dërguar 9 disa ditë para se të vendoste gjykata dhe 12 ditë para se ajo të dërgonte variantin e parë të gabuar. Pyetja që shtrohet është: kush kishte interes të çonte KV në drejtim të gabuar? Sepse ka ndryshim të përmbajtjes substanciale, për ta bërë versionin shqip të duket më pak i rëndë në anglisht. Janë deformime të rënda dhe mangësi të tjera”,- tha deputeti i PD-së, Bylykbashi.
Ky qëndrim i fortë i PD-së me akuza ndaj përkthyeseve të ligjit tashmë prek direkt zyrtarët e EURALIU-s, por edhe qëndrimin e ambasadorit. Donald Lu tha se po sajohen gënjeshtra për Ambasadoren e BE-së dhe EURALIUS-in. PD pretendon për manipulime në përkthim. Është një situatë që e ka vendosur PD-në jo vetëm përballë PS-së, por përballë zyrtarëve më të rëndësishëm perëndimor.