PD-LSI bëjnë thirrje për protestë të hënën në Tiranë, ora 09:30
Dy partitë kryesore të opozitës, PD dhe LSI kanë konfirmuar sot zhvillimin e një proteste masive ditën e hënë, kundër qeverisë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur këtë pasdite në selinë e Partisë Demokratike të gjithë kryetarët e degëve të PD në rrethe. Në takim është diskutuar qëndrimi që PD do të mbajë për çështjen e kryeprokurorit. Mësohet se Partia Demokratike së bashku me LSI-në po planifikojnë organizimin e një proteste ditën e hënë para Parlamentit për zgjedhjen, sipas tyre, të paligjshme të Prokurorit të Përgjithshëm.
Ndërkohë në mbledhjen e grupit të PD, Basha e ka konsideruar një akt të paprecedent dhe antikushtetues zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm nga ana e mazhorancës.
“Nuk ka pasur të tillë akt të tillë anti-kushtetues. Narkoqeveria po merr në dorë prokurorinë. Ky është një asgjësim total i reformës në drejtësi” –mësohet të jetë shprehur Basha në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura. Partia Demokratike do të zhvillojë një protestë ditën e hënë gjatë kohës që në parlament do të kryhet votimi për kryeprokurorin.
Më herë, ishte Lëvizja Socialiste për Integrim që konfirmoi qëndrimin për zhvillimin e protestës ditën e hënë.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim u ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta për të rrëzuar atë që ajo e cilëson “qeveria e krimit dhe bandave”.
Në një reagim pas vendimeve të PS për zgjedhjen e njëanshme të kryeprokurorit, Kryemadhi thotë se me këtë vendim nuk ka më drejtësi në vend.
Duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama për uzurpim të gjithë institucioneve, Kryetarja e LSI-së deklaron se asnjëherë më parë gjatë periudhës së demokracisë, pushteti nuk ka qenë nën kontrollin e një njeri të vetëm. Ajo thotë se marrja e Prokurorisë së Përgjithshme është pjesë e skemës së Edi Ramës për t’i shpëtuar drejtësisë për kanabizimin dhe krimet në vend.
“Kurrë më parë pushtetet nuk kanë qenë në duart e një njeriu të vetëm, të një pushteti bandit që drejtohet nga kryetrafikanti i drogës, shefi i drejtpërdrejtë i Saimir Tahirit dhe policëve të inkriminuar, që me përpjekjen e fundit po dëshmon frikën për t’i shpëtuar drejtësisë”,- shprehet Monika Kryemadhi.
Kryetarja e LSI shprehet se sot është dita që njerëzit të protestojnë kundër qeverisë dhe krimit që ka kapur vendin.
“Të protestojmë për të larguar banditët nga pushteti. Revolta e protestës qytetare është arma që mund të rrëzojë nga karriget banditët e veshur me pushtet.
Asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë këtë revoltë. As paratë e krimit, as pazaret dhe kulisat nuk e shpëtojnë dot më Edi Ramën nga fundi i paralajmëruar që do ti vijë nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi”,- shprehet Monika Kryemadhi.
Ditën e diel, Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbledhë Komitetin Drejtues Kombëtar (KDK) i cili do të diskutojë për organizmin e protestave në vend. Ndërkohë sot, Partia Demokratike në orën 18:00 do të zhvillojë mbledhje të jashtëzakonshme të grupit parlamentar, me temë kryesore organizimin e protestave.