PD-LSI kallzim penal ndaj kryeministrit. Kryemadhi: Asnjë takim me Ramën!
PD dhe LSI dorëzuan sot kallzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama. Opozita akuzon se krimi dhe mafia po drejtojnë Edi Ramën, se interesi privat dhe i një grupi biznesmenësh bëri të miratohet një ligj me votat e PS-së për shëmbjen e Godinës historike të Teatrit Kombëtar, etj.
Kallzimi penal ndaj kryeministrit kërkon një kurajo të madhe nga prokurorët e krimëve të rënda për ta hetuar. Në një vend normal demokratik, hetimi i kryeministrit, kur ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën, mbetet një gjë normale, por në kushtet e një Shqipërie gjysëm demokraci, duket pak e vështirë.
Nga ana tjetër kryeministri Rama vepron pa patur merakun e ndonjë hetimi për të dhe ministrat e tij, sepse prokurorinë e ka futur nën kontroll. Median po se po sepse i ka nën zotërim me leje ndërtimi pronarëve të tyre, biznesin e mban nën presion. Kryeministri po fut nën kontroll gjithë pushtetet.
Por opozita nuk heq dorë nga vënia para përgjegjsisë kryeministrin. Kryetari i Grupit të LSI, Petrit Vasili, pasi depozitoi kallëzimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda sëbashku me homologun e tij në PD, Edmons Spahon, tha për mediat:
“Kjo është një nismë e përbashkët e jona; është për të ndarë qartë Prokurorinë para së cilës janë të barabartë të gjithë shqiptarët nga prokuroria paralele e Kryeministrit. Pasi, ky kallëzim sot vë para opinionit publik shumë qartë se në Shqipëri funksionojnë dy Prokurori: kjo Prokurori ku ne kemi ardhur për të bërë kallëzimin penal që sapo e depozituam dhe Prokuroria e Kryeministrit, që ka bërë edhe hetime, ka bërë edhe verifikime, ka bërë edhe ekspertizë, ka nxjerrë edhe rezultate që i ka bërë publike e mbi bazën e të cilave ai mban në këmbë qeverinë e tij. Sepse e ka thënë qartë se unë e kreva ekspertizën, mora rezultatet, ishte e manipuluar dhe sipas kësaj unë po i rijap mbështetje politike edhe ministrit tim të brendshëm që të vazhdojë detyrën dhe gjithë mazhorancës sime. Gjithmonë bëhet fjalë në rast se e ka, megjithëse sinqerisht jam i bindur se nuk e ka, por që të fshehësh një provë e të mos e bësh publike, ndërkohë që një hetim penal ka filluar, është gjëja më skandaloze, sepse kemi vënë qytetarët para dy alternativave: një qytetar që është kryeministri që nuk përgjigjet para drejtësisë dhe qytetari i thjeshtë që shkon para drejtësisë.”.
“Kërkojmë hetim penal ndaj Ramës për pengim të të vërtetës, për fshehje të të vërtetës duke mos dorëzuar provën e ekspertimit në një nga laboratorët më të mirë të botës”– tha Edmond Spaho. Sipas Petrit Vasilit, “kjo prokurori nuk ka përfunduar ende ekspertimin e audiopergjimit, ndërkohe qe Rama e kishte atë, menjëherë”.
Pikërisht, nga ky krahasim lindin dyshimet që e kanë bërë opozitën të ngrejë padi penale sepse pyetja shtrohet: si ka mundësi që për një gjë që dukej aq e thjeshtë dhe aq e kollajshme, sa Edi Rama e zbardhi brenda pak orëve, prokuroria po sorrollatet pa fund?
LSI dhe PD janë në një front kundër kryeministrit. Edhe ndonjë thashethem se PS-ja po negocion me LSI për ligjin për magjistraturën, rezultoi i pa vertetë.
Monika Kryemadhi e ka bërë të qartë edhe sot. Ajo ka shkruar se “LSI nuk do të jetë kurrë pjesë e pazareve për të shpëtuar Edi Ramën!
Asnjë marrëveshje apo bisedim nuk ka dhe nuk do të këtë për t’i zgjatur agoninë kësaj qeverie, që e zhytur në krim, trafiqe të paligjshme dhe korrupsion po përpiqet, që në grahmat e fundit, të mundet të shpëtoje me manipulime të tilla.
LSI ka qënë dhe do të jetë pro dhe pjesë e çdo takimi apo tryeze që trajton dhe diskuton përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe largimin e klikës së Edi Ramës.
Çdo përpjekje tjetër për ta përfshirë LSI në bisedime është thjesht pjesë e fantazisë së sëmurë të Edi Ramës, që sot më shumë se kurrë është i gatshem të blejë e të shesë çdo gjë e çdokënd në emër të pushtetit, por që duhet t’a ketë më shumë se kurrë të qartë, se për të shpëtuar karrigen e tij nuk do ketë kurrë ndihmën e LSI.
Ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e opozitës së bashkuar, me qëllimin e qartë dhe të saktë, largimin e pushtetit banditesk të Edi Ramës!
Të shpëtosh sot Edi Ramën do të thotë të shkatërrosh përfundimisht të ardhmen e shqiptarëve, dhe këtë mëkat LSI nuk e merr në kurriz”.