PD-LSI: Votimi i Teatrit u manipulua, vota e Vangjel Tavos del “pro”. Ai ishte jashtë shtetit!
-Krerët e grupeve parlamentare të opozitës kërkesë kryetarit të Parlamentit, Gramoz Ruçi: Shpallni të pavlefshëm miratimin e ligjit sepse kanë “votuar” deputetë që nuk kanë qenë në seancën parlamentare.
Votimi i ligjit që i hap rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar, veç debatit për shkatërrimin e një prone publike, dje ka hapur dhe sherrin për manipulimin e votimit. Të enjten në orën 22:00, Parlamenti miratoi ligjin vetëm me votat e mazhoranancës. Opozita nuk mori pjesë në votim dhe u largua në mënyrë demonstrative. Ndërkohë që edhe brenda PS-së pati rrjedhje votash, siç ishte largimi i ministrit Pandeli Majko duke mos pranuar të jetë pjesë e një vendimi që kundërshtohet nga artistët dhe shoqëria. Edhe pse pati mungesa, sipas procesverbalit të Kuvendit ligji për “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të teatrit kombëtar”, mori 75 vota! Në këtë procesverbal rezulton se mes emrave që kanë votuar “pro” është dhe ai i deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo. Deputeti i LSI-së deklaroi dje se jo vetëm që nuk ka votuar “pro” ligjit të qeverisë, por as nuk ka qenë i pranishëm në votimin e zhvilluar në seancë. Tavo konfirmoi se prej disa ditësh për arsye personale ndodhet jashtë Shqipërisë dhe fakti që emri i tij rezulton në votim do të thotë se vota është manipuluar dhe dikush tjetër ka votuar në emër të tij në votimin elektronik.
Ndaj këtij votimi dje reaguan në mënyrë zyrtare, kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili dhe kreu i deputetëve të PD-së, Edmond Spaho. Në një letër drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, dy krerët e grupëve, Vasili dhe Spaho, kërkojnë anulimin e votimit për ligjin e Teatrit Kombëtar. Dy drejtuesit politik të opozitës argumentojnë se kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të rregullores parlamentare. Nga ana tjetër, ata deklarojnë se derisa një votë është e provuar se u manipulua, në seancën e së enjtes mund të ketë edhe vota të tjera që janë manipuluar për këtë ligj. Dyshimi i partive të opozitës nuk është pavend. Në rrëmujën e krijuar gjatë protestës së opozitës dhe votimit të deputetëve të PS askush nuk mund të jap garanci se 75 votat ishin reale. Vota e Vangjel Tavos është prova se në seancë u “votua” edhe nga jashtë shtetit! Në çdo praktikë votimi, kur faktohet se ka parregullësi apo dhe manipulime, siç u faktua në Kuvend, procesi anulohet dhe përsëritet votimi. Kërkesa e opozitës nuk bazohet vetëm në parimin e zgjedhjeve, por edhe në Rregulloren e Parlamentit. Neni 61 i Rregullores thotë se “çdo votim i kryer në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin ose Rregulloren e Kuvendit është i pavlefshëm. Drejtuesi i seancës, pasi merr mendimin e Sekretariatit për Procedurat dhe Votimet, urdhëron anulimin e votimit dhe përsëritjen menjëherë të tij”.
Vota e deputetit të LSI-së edhe nëse nuk do të ishte llogaritur, sërish 74 vota mjaftojnë për kalimin e ligjit. Por në rastin e ligjit për Teatrin Kombëtar debati nuk është te numrat, por te parimi dhe serioziteti i institucioneve. Ligji i PS parashikon që një kompani private të marrë tokën ku ndodhet sot Teatri Kombëtar dhe të ndërtojë të paktën 6 kulla shumëkatëshe biznesi. Thelbi i gjithë protestës së artistëve dhe opozitës është se kjo procedurë mbetet një vjedhje e hapur. Prona publike po i jepet privatit, kur zakonisht për objektet kulturore kombëtare është shteti ai që i ble tokën privatit për investime të tilla dhe jo e kundërta. Procedura e miratuar nga qeveria cilësohet nga opozita si vjedhje me ligj. Ironia është se kësaj vjedhje të pronës, tashmë i shtohen edhe dyshimet se votat për miratimin e ligjit janë vjedhur.
Tashmë mbetet në dorën e kryeparlamentarit dhe sekretariatit të Kuvendit për të vendosur se çfarë do të bëhet me ligjin. Nëse anulohet, PS i ka votat për ta votuar edhe një herë, pavarësisht kritikave të opozitës dhe zhurmën që mund të bëjë Pandeli Majko. Nëse mendojnë se votimi ishte i rregullt, atëherë do të kemi dy vjedhje. E para, vjedhja e tokës së Teatrit Kombëtar dhe vjedhja e dytë, votat për miratimin e ligjit. Këto gabime të njëpasnjëshme të mazhorancës, vetëm sa u japin argumenta më shumë artistëve dhe opozitës në protestat e forta që kanë paralajmëruar kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.
Vota e deputetit të LSI, Vangjel Tavo vertetohet me firmë e vulë se është vjedhur.