PD: Nesër mblidhuni para gjykatës së apelit, Shkodër!
PD-ja bën thirrje për të demonstruar para gjykatës apelit në Shkodër ku pritet të mbahet ditën e premte datë 20 prill, seanca gjyqësore për 11 kuaksianët që ndodhen në masë sigurie “arrest me burg”, për protestën e 31 marsit kundër taksës së Rrugës së Kombit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka bërë thirrje për një protestë nesër para Gjykatës së Apelit në qytetin e Shkodrës. Mendohet se do ketë qindra e mijëra protestues para gjykatës në Shkodër.
“Nderi dhe tradita e Shkodrës e don që të jemi sa më shumë dhe të reagojmë sa më fort në mbështetje të tyre dhe kundër gjyqeve politike të cilat na kujtojnë kohët më të errëta të Shqipërisë dhe me të cilat Shkodra dhe shkodranët nuk janë pajtuar as gjatë diktaturës më të egër. I gjithë grupi parlamentar i PD-së do jetë aty. Sytë, mendja dhe zemra e çdo demokrati kudo ku ndodhet nesër do jenë në Shkodër. Le të jemi sa më shumë nesër në orën 10.00 tek Gjykata e Apelit”, shkruan Spahia në një status në rrjetin social Facebook.
Ndërkohë, gjatë ditë së sotme, për të shprehur solidarizim ndaj banorëve të Kukësit që protestuan sot në këtë qytet për lirimin e djemve të tyre, edhe Studentët e fakultetit të Drejtësisë në Tiranë ngritën zërin për këtë çështje. “Një qiri për drejtësinë e vdekur”, “Të lirohen 11 kuksianët!” – shkruhej në pankartat.
Ndalimi i kuksianëve është dënuar sot edhe nga zyra e Avokates së Popullit. 23 kuksianë u arrestuan pas protestës së mbajtur më 31 mars pranë tunelit të Kalimashit në Kukës, kundër një tarife të dyfishtë që qeveria vendosi për kalimin në Rrugën e Kombit,. Taksa prej 5 euro për çdo kalim është e papërballueshme për kuksianët, konsideruar qarku më i varfër në Shqipëri. Por protesta përshkallëzoi edhe në dhunë që çoi në djegien e sporteleve të koncensionarit të Rrugës së Kombit, që u ngritën për pagesën e tarifës. Protestuesit e tjerë u liruan ndërsa 11 kuksianë prej asaj dite qëndrojnë ende në burg.