PD: Pse nuk arrestohet Saimir Tahiri nga Prokuroria?
Partia Demokratike ka sjellë fakte të reja lidhur me kontrollin e trafikut të kanabisit nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, siç janë mesazhet në telefonin e ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çelës, person në kërkim, dërguar Tahirit.
Nga foltorja e selisë blu, ishte deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili ngriti pikëpyetjen se pse nuk arrestohet Tahiri!
“Policia ka dekonspiruar operacionet për llogari të Habilajve. Të gjitha këto do t’i gjeni të zbardhura në mesazhet e telefonit të Çelës që provojnë se ishte ai pika e kontaktit me Tahirin nëpërmjet shoferit dhe mikut të ministrit, Orest Sotës. Kishte komunikim të drejtpërdrejtë me Gentian Zekën, shoferin personal të Tahirit dhe faktet tregojnë se Tahiri ka qenë garancia politike për trafikun e kanabisit nga banda e Habilajve”, tha Alibeaj.
Prokuroria ka kohë që po heton ndaj ish-ministrit të Brendshëm Tahiri, por sapo u zgjodh kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, hetimet duken se janë bllokuar, akuzon opozita.
Në fakt, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin e kryeministrit dhe krejt qeverisjes së PS-së.
Megjithatë, prokuroria po heton dosje të tjera nga radhët e opozitës, duke mos guxuar të hetojë dhe arrestojë nga mazhoranca qeverisëse. Duket paradoksale se si një mazhorancë që po bën pesë vite në qeverisje, nuk ka ndaluar asnjeri, asnjë ish-ministër, apo zyrtar i lartë qeverisës, ndërkohë, që ka plot fakte e akuza për korrupsion e vjedhje të pasurisë shtetërore.
E dyshimtë mënyra se si hetimet dhe ndëshkimet janë vetëm nga radhët e opozitës, e cila duhet penalizuar para drejtësisë kur ka shkelur ligjin. Por vetëm opozita paska shkelur ligjin, ndërsa qeverisja e PS-së mbetet e pastër?!
DEKLARATA E PLOTE E DEPUTETIT TE PD:
“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka të faktuar të paktën prej 4 muajsh se lidhja mes Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe trafikantëve të drogës, bandës së Habilajve, mbahëj edhe nëpërmjet Drejtorit të Policicsë së Vlorës, Jaeld Çela, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Partia Demokratike disponon dokumentat zyrtare që e provojnë këtë lidhje. Kjo është masa e sigurisë arrest me burg e vedosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda për 2 oficerët e lartë të policisë, Jaeld Çela dhe Gjergji Kohila, shef i antidrogës në Vlorë, me akuzën e pjesëmarjes në grup të strukturar kriminal, kultivim dhe trafikim të kanabisit.
Dokumenti me 18 faqe është bazuar në të dhënat e antimafias italiane, e cila ka përgjime bisedash dhe shkëmbime mesazhesh mes Habiljave dhe drejtuesve më të lartë të Policisë së Vlorës, të cilët provohet se ishin garantët për mbjelljen dhe trafikun e kanabisit drejt italisë.
Bisedat mes drejtuesve të bandës së Habiljave dhe drejtuesve të policisë së Vlorës provojnë se Policia e Shtetit jo vetëm ishte kthyër në roje të transportit të kanabisit drejt Italisë, por Jaeld Çela ka dekonsipruar operacionet e Shërbimit Informativ Shtetëror për llogari të Habiljave, që vetë trafikantët në përgjime I quajnë “kusho të ministrit” dhe që “siguronin garanci për kanabisin”.
Të gjitha këto do t’i gjeni të zbardhura në mesazhet e telefonave qe i përkasin Jaeld Çelës, telefoni i të cilit është i vlefshëm për të provuar se ai ishte pika e kontaktit me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, nëpërmjet shoferit të tij Gentian Çeka dhe mikut të ministrit Tahiri Orest Sotës.
Në vendimin e gjykatës thuhet se Jaeld Çela kishte komunikime telefonike me Artan Habilajn, i cili kishte në përdorim makinën e Ministrit të Brendshëm; kishte komunikime me Gentian Çekën, shoferi personal i Saimir Tahirit; kishte komunikime me Orest Sotën, të cilit iu gjetën 863 mijë euro në makinë, bashkë me dy patentat e Saimir Tahirit.
Çdo shqiptar që i dëgjon këtë fakte e ka të qartë se këto nuk janë lidhje rastësore, por janë lidhjet që tregojnë se Saimir Tahiri ka qenë garancia politike për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit nga banda e Habiljave.
Ajo çfarë nuk ka kuptim për shqiptarët është pse për Drejtorin e Policisë së Vlorës Jaeld Çela ka kërkesë për arrest me burg dhe për Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, që kontrollontë piramidën e trafikut të drogës, ka mbrojtje politike të kryeministrit Edi Rama.
Për të mbrojtur me imunitet politik Saimir Tahirin, dhe, nëpërmjet tij, veten, si arkitekti dhe përfituesi kryesor i kanabizimit të Shqipërisë, Edi Rama është kthyer në pengesën kryesore për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.