PD: Qeveria mashtron. DASH kritikoi Shqipërinë dhe për lojërat e fatit

Partia Demokratike reagoi sot për ligjin e ri të qeverisë që ul taksat për lojërat e fatit. Ligji u kthye nga Presidenti Ilir Meta, me argumentin se dëmton buxhetin e shtetit dhe favorizon një biznes me pasoja të rënda në jetën sociale të qytetarëve. Por Ministria e Financave dhe deputetë të PS thonë se ligji nuk duhet të ishte kthyer, pasi nuk ndikon te taksat e bixhozit.
Kundër këtyre qëndrimeve të PS ka dalë sot zyrtarisht Partia Demokratike. Deputetja Fatbardha Kadiu tha në një deklaratë për mediat se qëndrimi i Ministrisë së Financave për këtë ligj është një mashtrim. Ajo deklaroi se ligji favorizon kompani të caktuara në fushën e lojërave të fatit.
Një tjetër akuzë e PD ndaj qeverisë është dhe rritja kolosale e biznesit të kumarit në vend vitet e fundit. ”Pikat e basteve janë katërfishuar, sepse qeveria e Edi Ramës ka vendosur të zgjerojë biznesin, me të cilin iu mburr shqiptarëve se do ta mbyllte. Në 2013 ato ishin 928, sot numri i tyre e kalon 4230 pika bastesh, bixhozi dhe kazinosh. Vetëm në vitin 2017, shqiptarët kane lënë 132 milion euro ne bixhoz. Kjo është e vërteta që Ministria e Financave, tinëzisht, po kërkon të mbulojë, duke kanalizuar aferën korruptive të lojërave të fatit në një diskutim teknik, pa u thënë shqiptarëve pse e shtyn zbatimin e ligjit prej 3 vjetësh”, tha deputetja e PD.
PD akuzoi direkt kryeministrin Edi Rama dhe njerzit e afërm të tij si persona të përfshirë në biznesin e kumarit.

DEKLARATA E DEPUTETES SË PD FATBARDHA KADIU

”Pushteti i Ramës nisi me reklamën e madhe të operacionit “Fundi i Marrëzisë”, me pretendimin se do të mbyllte kazinotë dhe biznesin e bixhozit nëpër të gjitha cepat e pallateve.

Ky operacion përfundoi të ishte vetëm një marrëzi e pafund.

Pikat e basteve janë katërfishuar, sepse qeveria e Edi Ramës ka vendosur të zgjerojë biznesin, me të cilin iu mburr shqiptarëve se do ta mbyllte.

Në 2013 ato ishin 928, sot numri i tyre e kalon 4230 pika bastesh, bixhozi dhe kazinosh. Vetëm në vitin 2017, shqiptarët kane lënë 132 milion euro ne bixhoz.

Kjo është e vërteta që Ministria e Financave, tinëzisht, po kërkon të mbulojë, duke kanalizuar aferën korruptive të lojërave të fatit në një diskutim teknik, pa u thënë shqiptarëve pse e shtyn zbatimin e ligjit prej 3 vjetësh.

E vërteta është se ndryshimet ligjore favorizojnë Lotarinë Kombëtare, kompani e cila do të përfitojë nga lehtësitë në taksim, njësoj siç përfitojnë bizneset e tjera të bixhozi që nga viti 2015.

Ndërkohe që,

· biznesin e vogël e falimenton duke e futur në skemën e TVSH,

· fatura e ujit është rritur me 40%,

· energjia elektrike është rritur me 30% dhe

· çdo biznesi i janë shtuar shpenzimet me 23 %,

i vetmi sektor ku qeveria bën lehtësira, që kur ka ardhur në pushtet, është sektori i bixhozit.

Ka një arsye pse bixhozi sot është 4 fishuar: Ky është një biznes që kontrollohet nga familja e kryeministrit Edi Rama dhe krimi i organizuar me të cilin qeveris për të pastruar paratë e pista të drogës dhe korrupsionit qeveritar.

Departamenti i Shtetit e ka futur Shqipërinë në lisën e zezë të vendeve kryesore të Pastrimit të Parave për të dytin vit radhazi, ku një nga fushat kryesore, që Departamenti evidenton, janë lojërat e fatit.

Partia Demokratike është e vendosur të shfuqizojë çdo ligj që ul taksat për biznesin e bixhozit”.

SHKARKO APP