PD-LSI: Rama po kalon “vijën e kuqe”, po shkojmë në konflikt civil

Dje opozita, nga Shkodra, tha se kryeministri po keqqeveris vendin, bile më keq se kaq se Rama po bashkëdrejton me krimin dhe mafien. Paralajmëruan se do të ndërpresin marrëdhëniet me Kuvendin si fillim duke nënkuptuar se këtë vjeshtë do përplasen me qeverinë e Edi Ramës.

Ndërkohë kreu i PD-së Basha, prapë nga Shkodra, mori pjesë në takimin me strukturat demokrate ku tha tekstualisht “Ajo që ka rëndësi, është shkalla e mobilizimit me të cilën ne si PD, në nivelin e lagjeve, blloqeve, shtëpive e fshatrave, do të mund t’i përgjigjemi thirrjes për një aksion radikal politik, që të ketë synim largimin e këtij kryeministri dhe të kësaj qeverie. Që nga ky moment, që kur të ndahemi prej këtij takimi, puna duhet të nisë derë me derë me njerëzit. Sot rrugë tjetër përveç përballjes nuk ka”. Pra Basha po mobilizon njerëzit.

Por atë që nuk e tha  Basha krejt hapur për skemën e opozitës, sot në TCH e ka treguar deputeti më mediatik, Salianji.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ishte i ftuar i ditës së sotme në emisionin “Top Talk”, ku ndër të tjera foli edhe për aksionin e opozitës në vazhdim pas mbledhjes së një dite më parë në qytetin e Shkodrës, por edhe për çështjen e “Teatrit”.

Ai u pyet nga gazetari Dyrnjaja se çfarë do të bëjë opozita nëse do të shkelej vija e kuqe në lidhje me çështjen e teatrit, ashtu si ata e kanë quajtur dhe Salianji tha se vendi po shkon në revolta.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për shembjen e Teatrit. Ky është vetëm njëri prej debateve, por pjesa më e rëndësishme është qëndrimi i PS nëpërmjet ligjit “Fusha” do të vjedhë më shumë se 200 milionë euro vetëm me kullat pas Teatrit. Nëse legjitimohet vjedhja duke qenë se ne sot jemi pa Gjykatë Kushtetuese. Një filtër që ishte Presidenti, e rrëzuan. Nëse kalohen të gjitha këto, shembet Teatri, atëherë ndodh përplasje dhe konflikti civil. Qytetarët do të marrin në dorë sovranitetin e tyre. Nuk do të lejojnë që Edi Rama të kthehet në monark absolut të vendit”, tha Salianji.

Pra atë që Basha e nënkuptoi në Shkodër, e tha hapur një nga deputetët më kryesor në selinë blu, Salianji. Pra po shkohet drejt një përplasje të fortë, jo vetëm në sallën e Kuvendit, por tashmë në rrugë.

Monika Kryemadhi duket shumë e vendosur për ta rrëzuar kryeministrin Rama këtë vit, pa pritur vitin tjetër. Në LSI ka filluar mobilizimi i LRI dhe krejt strukturave të partisë. Dihet se LRI mbetet një forcë e madhe dhe kurajoze në përballje.

Diçka po përgatitet këtë vjeshtë, por shumë më seriozisht e jo si protestat e deritanishme, të cilat kanë qenë pa asnjë hedhje shishe uji.

SHKARKO APP