PD: Rama të flasë për drogën e Saimir Tahirit dhe vëllait, Olsi Rama
Selia blu i është turrur gjithë tërbim kryeministrit Rama për lidhjet e tij me ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri dhe kokainën e kapur në Durrës, e ku PD akuzon se është Olsi Rama, vëllai i kryeministrit, si kapo i kokainës.
Deputeti Enkelejd Alibeaj tha sot në një konferencë për mediat se “Akuzat qesharake për konspiracion rus nuk mund ta ndihmojnë Edi Ramën të fshehë 2 të vërteta të mëdha, se ai po bën gjithçka për të shpëtuar Saimir Tahirin nga burgu dhe se vëllai i tij, Olsi Rama, është një nga peshqit e mëdhenj të kokainës kolumbiane.
Që kur 613 kilogramët e kokainës u kapën me ndihmën e partnerëve të huaj, Kryeministri i vendit është zhdukur nga qarkullimi dhe nuk jep përgjigje se çfarë lidhje ka Olsi Rama me një nga kartelet më të rrezikshme të drogës kolumbiane dhe cili ishte roli i Olsi Ramës në ngarkesën e 613 kilogramëve kokainë të pastër.
Edi Rama hesht dhe nuk u thotë shqiptarëve përse është takuar fshehurazi me Saimir Tahirin të premten paradite në një nga spitalet private të Tiranës. Është detyrim i kryeministrit të vendit të flasë për marrëdhënien e tij me Saimir Tahirin, duke mos mbajtur më peng integrimin europian të vendit. Edi Rama e di shumë mirë se pa i hequr mbrojtjen politike ish ministrit të tij të brendshëm, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Politikën në Shqipëri nuk e ulin poshtë skemat e trasha të Edi Ramës me rusë, spiunazh dhe destabilitet, por është bashkëqeverisja e tij me krimin rreziku më i madh për stabilitetin e Shqipërisë dhe rajonit. Është biznesi i tij familjar me kartelet e kokainës, mbrojtja e Saimir Tahirit dhe shndërrimi i vendit në parajsën e drogës akti më antikombëtar i Edi Ramës”- përfundoi deputeti demokrat.
Pas kësaj deklarate të PD vjen reagimi i Ministrisë së Brendshme:
Ministria e Brendshme hedh poshtë me përbuzje, si përpjekje të dëshpëruara për të mbuluar diellin me shoshë në sytë e shqiptarëve dhe për të vazhduar dëmtimin e imazhit të Shqipërisë në sytë e të huajve, të gjithë serinë e deklaratave denigruese të partive opozitare për superoperacionin e Policisë së Shtetit, Hetimit Doganor, si edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në kapjen e sasisë rekord të kokainës pak kohë më parë.
Ky superoperacion, i përshëndetur botërisht nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, Agjencia Amerikane Antidrogë, Europol-i si edhe Antimafia italiane, si një sukses i madh i agjencive tona ligjzbatuese, ka gëzuar çdo qytetar shqiptar përveç lidershipit të opozitës shqiptare, i cili nuk po rresht së shpifuri gjithëfarë absurditetesh, për të baltosur Policinë e Shtetit dhe lidershipin e Ministrisë së Brendshme e vetë Kryeministrin e Shqipërisë.
Hetimi për zbulimin dhe dokumentimin e autorëve të përfshirë në trafikun e kokainës së kapur në Portin e Durrësit është duke u kryer intesivisht nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe me mbështetjen e Agjensive partnere ndërkombëtare.
Çdo qytetar i përgjegjshëm në këtë vend që disponon prova dhe fakte konkrete ka detyrimin kushtetues e ligjor t’i vendosi në shërbim të hetimit.
Në të kundërt sulmet verbale publike nuk synojnë gjë tjetër veçse të dekurajojnë punën e Agjensive përgjegjëse për hetimin dhe të inkurajojnë krimin.
Ne nxisim Prokurorinë e Krimeve të Rënda të intensifikojë hetimet dhe t’i shkoj deri në fund zbulimit të së vërtetës, për të vënë para përgjegjësisë cilindo që është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale si dhe cilindo që ka ndihmuar e është duke i shërbyer devijimit të hetimit dhe zbulimit të së vërtetës.
Ministria e Brendshme e konsideron tërësisht të papranueshëm këtë agresion verbal kundër institucioneve dhe Policisë së Shtetit në radhë të parë, ndërkohë që lufta kundër krimit dhe trafiqeve ka hyrë në një fazë të re dhe me rezultate tejet inkurajuese. E konfirmuar kjo me goditjen e disa grupeve kriminale dhe aseteve të tyre, ndërkohë që të tjera grupe të rrezikshme kriminale janë në fokusin e goditjes në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”. Ne jemi krenarë dhe mirënjohës që në këtë luftë kemi siguruar besimin dhe mbështetjen aktive të partnerëve të vendeve mike si dhe disa agjensive ligjzbatuese me autoritet të njohur ndërkombëtar si: FBI, DEA, EUROPOL, INTERPOL tj.
Faktet flasin vetë dhe flasin qartë e fortë, krejt ndryshe nga sa përflet përditë papushim opozita e çoroditur që nuk po le gur pa luajtur për të penguar punën e Policisë, dëmtuar procesin delikat drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE dhe cënuar imazhin e Shqipërisë në botë.
Duke e konsideruar publikisht këtë përpjekje të dëshpëruar të partive të opozitës, si një akt papërgjegjshmërie të skajshme institucionale, politike e qytetare, si edhe duke hedhur poshtë me vendosmërinë më të madhe të gjithë zinxhirin serial të shpifjeve për superoperacionin e kapjes së sasisë rekord të kokainës, Ministria e Brendshme garanton qytetarët shqiptarë se përpjekja e nisur mbarë në këtë fazë të dytë të luftës kundër krimit e trafiqeve të çdo lloji, do të vazhdojë me rezultatet që presin të gjithë duke goditur fort me Forcën e Ligjit.