PD refuzon zyrtarisht propozimin hibrid të SHBA. Reagon ashpër Lu
Në mbyllje të afatit që kreu i demokratëve Lulzim Basha i kishte kërkuar Ndihmës/Sekretares Amerikane të Shtetit Viktoria Nuland për të shqyrtuar propozimin e ri hibrid të SHBA dhe BE lidhur me reformën në drejtësi. Sot zbulohet përgjigja e PD.
Burime bëjnë me dije se në propozimin e PD lihen jashtë vettingut ndërkombëtarët dhe sugjerohen kandidatë të politizuar për komisionin Ad-Hoc.
Ka reaguar ashper ambasadori amerikan Lu duke e quajtur surprize pergjigjen e selise blu. Ambasada amerikane ka reaguar menjëherë lidhur me përgjigjen e demokratëve ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi nga SHBA dhe BE.
Diplomati amerikan Donald Lu deklaron se: “Jemi të zhgënjyer me përgjigjen e Z. Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi”.
Lu thotë se propozuan një zgjidhje në mirëbesim – gjysmën nga qeveria dhe gjysmën nga opozita.“Z. Basha propozoi diçka që ai vetë ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias” thuhet më tej në reagim.
Ambasadori amerikan deklaron se janë duke vazhduar bisedën me të dyja palët në përpjekje për t’i sjellë përsëri tek mbështetja për propozimin hibrid diskutuar nga Ndihmës-Sekretarja Nuland të dielën.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, SHBA thotë se Basha ka propozuar diçka që ai vetë e ka pranuar se është në konflikt interesi. “Jemi të zhgënjyer me përgjigjen e Z. Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi. Propozuam një zgjidhje në mirëbesim – gjysmën nga qeveria dhe gjysmën nga opozita. Z.Basha propozoi diçka që ai vetë ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias.
Jemi duke vazhduar bisedën me të dyja palët në përpjekje për t’i sjellë përsëri tek mbështetja për propozimin hibrid diskutuar nga NdihmësSekretarja Nuland të dielën”, thuhet në reagim.
Për aplikimet PD kërkon që thirrja të shpallet nga Avokati i Popullit për 3 kategori pozicionesh në strukturat e Vetting-ut; a) Komisionerët, b) Komisionerët Publikë dhe c) gjyqtarët e Dhomës së Apelit.
Avokati i Popullit harton listën e kandidatëve duke përfshirë pa përjashtim ccdo kandidat që ka aplikuar, pavarësisht plotësimit ose jo të dokumentacionit dhe ia dërgon listën kuvendit. Ky proces zhvillohet me monitorim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).
Këto kandidatura shqyrtohen më pas nga Komisioni Ad Hoc i kuvendit. Në këtë fazë përcaktohet edhe roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Hapi 1: APLIKIMET
Avokati i Popullit shpall thirrjen për paraqitjen e aplikimeve për 3 (tre) kategori pozicionesh në strukturat e Vetting–ut: a) Komisionerët, b) Komisionerët Publikë dhe c) gjyqtarët e Dhomës së Apelit. Avokati i Popullit është i detyruar të shpallë në faqen web të gjitha kandidaturat që kanë aplikuar pranë tij. Në rast mungese formale dokumentash të kërkuar sipas ligjit, Avokati i Popullit fton kandidatin përkatës për plotësim dokumentacioni. Në fund të afatit të aplikimit, Avokati i Popullit harton listën e kandidatëve duke përfshirë pa përjashtim çdo kandidat që ka aplikuar, pavarësisht plotësimit ose jo të dokumentacionit. Lista i dërgohet Kuvendit bashkë me dokumentacionin dorëzuar të çdo kandidati. Ky proces zhvillohet me monitorim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).
Zgjedhja në këto funksione publike kushtetuese kryhet nëpërmjet kandidimit të lirë e të papenguar të kandidatëve që përmbushin kriteret e 1) aftësisë profesionale, 2) pastërtisë së figurës (ligji i dekriminalizimit), 3) integritetit moral (pasuria); 4) nuk kanë qenë gjyqtarë, prokurorë apo hetues të përfshirë në gjyqe politike, apo në Sigurimin e Shtetit deri në vitin 1991 si dhe 5) nuk kanë marrë pjesë në hartimin e dispozitave kushtetuese dhe ligjore të reformës në drejtësi. Kandidatët deklarojnë një apo më shumë prej pozicioneve për të cilin kandidojnë.[1]
Kriteret kushtetuese dhe ligjore për secilin aspekt të vlerësimit duhet të jenë të arsyeshme dhe në përputhje me qëllimin e funksionit publik, të detajuara dhe të qarta. Çdo kriter duhet të jetë i matshëm, i verifikueshëm dhe i provueshëm me dokumentacion ligjor apo në çdo formë tjetër të lejuar nga ligji. Dokumentacioni provues i përmbushjes së kritereve duhet të jetë i standatizuar në formularë si dhe i aksesueshëm lirisht.
Hapi 2: SHQYRTIMI NGA KOMISIONI AD HOC I KUVENDIT DHE ROLI I ONM (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit)
Lista e kandidatëve sipas Hapit 1 i dërgohet Kuvendit. Kuvendi krijon 2 komisione ad hoc, një me 12 anëtarë dhe një me 6 anëtarë (në të dyja rastet përbërja është 50% – 50%). [2]
Komisioni me 6 anëtarë shqyrton kandidatët dhe verifikon përmbushjen e kritereve të shpallura për kandidim. Çdo kandidat vlerësohet individualisht mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur. Organet shtetërore kanë detyrimin e bashkëpunimit me komisionin dhe i japin akses në çdo dokumentacion apo të dhënë që shërben për verifikimin e dokumentave dhe fakteve të paraqitura nga kandidatët.
Komisioni ka të drejtë të marrë vendim (që përbën akt administrative) të bazuar plotësisht dhe vetëm në prova dhe ligj[3], për përjashtimin e një kandidati që nuk plotëson kriteret. Në fund të procesit të seleksionimit do të dalin 3 (tre) lista: (a) lista me kandidatët për komisionerë, b) lista me kandidatët për komisionerë publikë dhe c) lista me kandidatët për gjyqtarë);
Çdo kandidat i përjashtuar ka të drejtë të marrë informacion menjehërë për arsyet e përjashtimit.
Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni. Gjithashtu, ONM ka të drejtë të dorëzojë pranë komisionit ad hoc dokumentacion që vërteton kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe që nuk disponohen nga institucionet shqiptare. Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni ad hoc, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumentave dhe provave të administruara nga komisioni. Raporti i vihet menjëherë në dispozicion çdo deputeti.[4]
Hapi 3: ANKIMI NDAJ VENDIMIT TE KOMISIONIT
Kandidatët e përjashtuar nga komisioni ad hoc kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimeve administrative të komisionit ad hoc sipas Hapit 3, në Gjykatën Kushtetuese[5]. Gjykata Kushtetuese shqyrton me procedurë prioritare ankimet e kandidatëve. Vendimet e Gjykatës i njoftohen menjëherë Kuvendit. Kandidatët e pranuar me vendim te Gjykatës përfshihen në listën për të cilën kanë kandiduar.
Hapi 4: PËRZGJEDHJA E KANDIDATURAVE NGA KOMISIONI AD HOC
Komisioni me 12 anëtarë
Komisionerët e KPK: Ky Komision do të zgjedhë 12 komisionerët e Komisionit të Kualifikimit. Zgjedhja do të bëhet pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik ku secili anëtar i komisionit voton për 1 kandidat. Software do të mundësojë që në qoftë se një kandidat është votuar një herë nga një votues, ai nuk mund të votohet për së dyti nga një votues tjetër. Ky proces mundëson që zgjedhjet të jenë sekrete duke shmangur kështu etiketimin politik të kandidatëve. Në përfundim do dale një listë me 12 emra që janë kandidatët për komisionerë.
Komisionerët publikë: Po ky Komision do të zgjedhë edhe 2 Komisionerët Publikë (përsëri pa debat dhe përmes një votimi të fshehtë elektronik). 2 kandidatët që marrin më shumë vota do të quhen fitues. Nqs 2 ose më shumë kandidatë marrin një numër të barabartë votash, fituesi zgjidhet me short midis tyre.
Komisioni me 6 anëtarë
6 gjyqtarë të dhomës së apelit: Ky Komision do të zgjedhë në fillim 6 nga 7 gjyqtarët e dhomës së apelit. Edhe në këtë rast zgjedhja do të bëhet pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik ku secili anëtar i komisionit voton për 1 kandidat.Software do të mundësojë që në qoftë se një kandidat është votuar një herë nga një votues, ai nuk mund të votohet për së dyti nga një votues tjetër. Ky proces mundëson që zgjedhjet të jenë sekrete duke shmangur kështu etiketimin politik të kandidatëve. Në përfundim do dale një listë me 6 emra që janë 6 kandidatët për gjyqtarë të dhomës së apelit.
Gjyqtari i shtatë: Ky Komision do të zgjedhë edhe gjyqtarin e shtatë të dhomës së apelit, midis kandidatëve të mbetur pas votimit të parë (minus ata të gjashtë që u zgjodhën në raundin e parë) duke votuar përmes një votimi të fshehtë elektronik. Kandidati që merr më shumë vota fiton. Në rast barazie votash midis 2 ose më shumë kandidatëve, fituesi zgjidhet me short midis tyre.
Hapi 5: PRANIMI OSE REFUZIMI NGA KUVENDI
Kuvendi mund të pranojë ose rrëzojë listën e kandidatëve në bllok me një shumicë të cilësuar (2/3). Pra nuk është e mundur të pranojë ose rrëzojë vetëm një pjesë të listës. Nqs Kuvendi e rrëzon listën, Komisionit ad hoc do i duhet të nxjerrë një listë të re. Kandidatët e listës së rrëzuar ripërfshih në listat fillestare (kjo ndihmon që lista të mos ezaurohet qëllimisht dhe të dështojë procesi). Lista e dytë do të quhet e pranuar nqs nuk rrëzohet nga Kuvendi, me shumicë të cilësuar, brenda 30 ditësh.
SHËNIM:
Propozimi i mësipërm parashikon si organ vetting-u një komisionin parlamentar ad hoc ne perputhje te plote me footnote 15 (16 ne shqip) tek Opinioni Final. Komisioni i Venecias sugjeron këtë komision si organi qe ben shqyrtimin e kandidateve. Komisioni i Venecias nuk flet posacerisht per vetting te kandidateve, ndaj prezumohet qe eshte pjese përbërëse e procesit te shqyrtimit te kandidaturave. Si i i tillë, ky vetting kryhet nga organi kushtetues shqiptar duke garantuar përgjegjshmërinë ë plotë mbi procesin nga një organ i zgjdhur në mënyrë demokratike dhe që i përgjigjet zgjedhësve shqiptarë si Kuvendi. Është ky Kuvend që po miraton këto ndryshime reformuese që kërkojnë konsensus e mbështetje të gjerë e për rrjedhojë zotëron legjitimitetin e procesit dhe nuk është në konflikt interesi por vepron në kuadër të kontrollit dhe balancave mes pushteteve.
Propozimi shprehet qe kriteret e vlerësimit dhe vetting-ut të kandidatëve duhet te jene te detajuara. Kjo e ben objektiv dhe te matshem vleresimin dhe nuk le shteg per diskrecion dhe subjektivizem dhe siguron njëtrajtshmërinë e procesit tek të gjithë kandidatët. Ne keto kushte, vettingu si pjese e shqyrtimit mund te kryhet plotesisht dhe ne menyre transparente nga organet shqiptare me monitorim të fortë ndërkombëtar. Ky komponent monitorimi garanton plotësisht transparencën për publikun.
Propozimi i jep ONM rol vezhguesi me akses të plotë në proces dhe dokumentacion, prova apo çdo fakt të shqyrtuar, por pa pushetet diskrecional i cili do ta kthente ONM në një institucion me supra-sovranitet brenda kornizes kushtetuese shqiptare dhe pa përgjegjshmëri (accountability) demokratik, Ky do të ishte një rast sui generis dhe një përjashtim absolut në raport me eksperiencat e vendeve të tjera që kanë hasur probleme po kaq të mprehta me gjyqësorin përpara anëtarësimit në BE, si Rumania apo Kroacia.
Sipas këtij propozimi, ONM ka të drejtë të prodhojë një raport pas përmbylljes së shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni. Aksesi i plotë dhe i papenguar në proces, dokumentacion dhe prova për çdo kandidat, dhe hartimi i këtij raporti që është publik, i jep “të drejta procedurale” të qenësishme ONM-së dhe ndikim në proces. Ky mekanizëm garanton një rol monitorues të ONM që është i paprecedent në legjislacionin shqiptar dhe i pakrahasueshëm me mision të tjera vëzhgimi si Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR etj.
Duke qenë se shtetasit po ushtrojnë një të drejte themelore per pjesmarrje ne qeverisje, propozimi është plotësisht në përputhje me standartet ndërkombëtare sepse sigurohet e drejta e ankimit përpara një gjykate ndaj nje vendimi administrattiv te Kuvendit per heqje te emrit nga lista. Gjykata kompetente për këtë është Gjykata Kushtetuese e cila, para apo pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, para apo pas procesit të vettingut, nuk do të reshtë për asnjë moment të shqyrtojë shkeljen e të drejtave themelore të shtetasve. Pretendimi eventual se Gjykata do të jetë objekt vetingu ndaj nuk mund te shqyrtojë një ankim mbi shkeljen e te drejtave, nuk qëndron dhe do të ishte i papranueshem sepse nuk mund të pezullohet një funksion i tillë thelbësor kushtetues dhe do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet ndërkombëtare ndërkombëtare.
[1] Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, paragrafi 21.1 (Çdokush ka të drejtë të marrë pjesë në qevrisjen e vendit të ti, drejtpërdrejtë ose nëpërmjet përfaqësuesish të zgjedhur lirisht) dhe Dokumenti i Kopenhagenit 1990, paragrafi 7.5 (Respektim i të drejtës së shtetasve të kërkojnë funksione politike ose publike, individualisht ose si përfaqësues të partive apo organizatave politike, pa diskriminim.)
[2] Footnote 15 (version origjinal në anglisht ose footnote 16 versioni i përkthyer në shqip) i Opinionit Final të Komisionit të Venecias.
[3] Dokumenti i Kopenhagenit paragrafi 5.11 (Vendimet administrative kundër një personi duhet të jenë plotësisht të justifikuar dhe, si rregull, duhet të tregojnë rrugët e zakonshme për ndreqje.)
[4] Pragrafi 88, rekomandimi i fundit, i Opinionit Final të Komisionit të Venecias.
[5] E drejta për ankim sigurohet nga Konventa Europian e të Drejtave të Njeriut, Neni 6, paragrafi 1 (Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile apo çdo akuze penale ndaj tij, çdokush ka të drejtë të dëgjohet në mënyrë të drejtë dhe publikisht brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë pavarur dhe e paanëshme e krijuar me ligj. […]) si dhe Dokumenti i Kopenhagenit paragrafi 5.10 (Çdokush duhet të ketë një mundësi efektive ndreqjeje kundër vendimeve administrative, në mënyrë që të garantohet respektim të të drejtave të njeriut dhe të sigurohet integritet ligjor.)