PD: Sistemi i Vettingut është i korruptuar. Arta Marku të largohet
Institucionet e Vettingut kanë nisur sot verifikimet për Prokuroren e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Vetë kryeprokurorja nuk ishte e pranishme në seancën ku do të kontrollohej pasuria dhe puna e saj gjatë viteve. Ndërkohë, PD-ja deklaron se nëse ligjet e reja të drejtësisë do të ishin zbatuar me korrektësi, kryeprokurorja nuk do të qëndronte më në detyrë, për shkak të shkeljeve që ka gjatë karrierës së saj.
Deputeti i PD-së, Enkeljed Alibeaj akuzoi sot Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku se gjatë karrierës së saj si prokurore e thjeshtë dhe këto muaj që mban detyrën e kryeprokurores ka parregullsi dhe probleme me zbatimin e ligjit.
“Një provë e fortë mbi këtë u dha sot, ku radha për vetting i erdhi kamikazes së Edi Ramës në prokurori. Arta Marku, e deleguara e Edi Ramës në Krye të organit të prokurorisë, pritet të konfirmohet në detyrë, jo sepse përmbush kriteret e vendosura nga ligji, por se kriteret e kualifikimit që po aplikohen kanë si kusht kryesor se cili gjyqtar apo prokuror i shërben më shumë Edi Ramës dhe Qeverisë së tij të korruptuar. Sa më shumë t’i shërbesh Edi Ramës, aq më shumë rriten shanset për të kaluar me sukses vettingun. Ky është mesazhi që deri më sot ka dhënë ky proces”, tha Alibeaj.
Deputeti i PD-së solli disa fakte që, sipas tij, tregojnë se gjatë karrierës së Arta Markut si prokurore në Shkodër ka pasur shkelje të ndryshme. “Është fakt i njohur botërisht që Arta Marku në 6 muaj në Krye të organit të prokurorisë, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime e komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar e shkarkuar drejtues prokurorie, edhe pse neni 160, pika 2 e ligjit për statusin e magjistratit, ia ndalojnë shprehimisht këtë”,- u shpreh Alibeaj.
Një tjetër pikë që PD e cilëson si shkelje ligjor të kryeprokurores janë shkarkimet dhe emërimet që ka bërë radhët e trupës së prokurorëve. “Vetë ajo ishte betuar përpara Komisionit të Ligjeve, ditën kur paraqiti kandidaturën, se nuk do të bëntë shkarkime dhe emërime, sepse ato ishin në kundërshtim me ligjin. Shkelja e hapur e ligjit tregon jo vetëm mungesë respekti ndaj ligjit, por qartësisht mungesë të theksuar të integritetit moral e profesional, kushte këto të domosdoshme për të kaluar me sukses vettingun”,- u shpreh Enkeljed Alibeaj.
Sipas PD, institucionet e Vettingut kishin për detyrë që merrnin në shqyrtim gjithë shkeljet që ka kryeprokurorja, por nën presionin politik nuk kanë bërë verifikime.
“Kemi publikuar dokumente tronditës, sesi Arta Marku, në cilësinë e Prokurorit në Shkodër, harroi në burg një qytetar për 2 muaj e 13 ditë, duke i hequr në këtë mënyrë lirinë, në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë. Do të mjaftonte ky rast që Arta Marku të shkarkohej nga organet e vettingut, për shkak se në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare ka cenuar rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ky është një fakt i njohur për Komisionin, sepse është fakt i njohur botërisht, dhe për pasojë nuk kanë nevojë për prova të mëtejshme. Silvi Bardhi: Këto të dhëna dhe të tjera si këto, provojnë qartësisht se Arta Marku, jo vetëm nuk ka integritetin moral dhe profesionale për të qëndruar në detyrë, por ka cenuar rëndë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë”,- tha deputeti demokrat.
Sipas PD të gjitha këto fakte do të mjaftonin për të larguar nga detyra Arta Markun. Fakti që institucionet e Vettingut po e konfirmojnë në detyrë, sipas PD, tregon se reforma në drejtësi është e korruptuar politikisht.
“Nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Arta Marku do të ishte shkarkuar nga detyra. Por përsa kohë ky proces diktohet nga Edi Rama e Fatmir Xhafaj, që e përdorin procesin për të shantazhuar prokurorë e gjyqtarë dhe për të shpërbyler shërbëtorët e tyre në sistemin e drejtësisë, ne nuk kemi asnjë besim se Arta Marku do të marrë atë që meriton, sipas ligjit- shkarkimin nga detyra”,- tha deputeti i PD-së, Enkeljed Alibeaj.