Ambasadorët, diversion PD. Selia blu sulmon diplomaten e BE, Vllahutin
Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj Ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vllautin. Në një deklaratë për mediat, pas takimit që diplomatët e BE, SHBA dhe OSBE zhvilluan sot me partitë e “vogla”, selia blu akuzon diplomaten e BE për dezinformim lidhur me çështjen e negociatave.
Sipas PD-së, Vllahutin ka dhënë një variant tjetër të negociatave nga ato që janë zhvilluar në të vërtetë mes mazhorancës dhe opozitës. PD thotë se në negociata opozita ka dhënë kundërofertën e saj dhe ka theksuar se qeveria teknike duhet të drejtohej nga një kryeministër që i përket mazhorancës aktuale.
PS pranon se Rama i ka ofruar opozitës zëvendësimin e 4 ministrave me persona teknikë dhe shtyrjen e zgjedhjeve për datën 16 korrik. Pas kësaj PD ka kërkuar që kryeministri i qeverisë teknike të propozohej nga mazhoranca aktuale dhe që zgjedhjet të realizoheshin brenda tetorit.
Lidhur me votimin e vettingut, Partia Demokratike thotë se gjatë negociatave rikonfirmoi qendrimin e bërë publik prej 10 javësh se menjëherë pas formimit të qeverisë teknike, opozita do të kontribuonte në parlament për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.
Ndërkohë, deklarata e bëra sot nga Vllahutin në takimin me partitë e “vogla”, selia blu i cilëson si dezinformim. “Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për dezinformimin e partive të vogla parlamentare nga ana e ambasadores Vlahutin dhe thekson se qëndrime të tilla qartazi të njëanshme dhe dezinformuese nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj”,- thuhet në reagimin e PD.
Takimi me ambasadorët. Doda: Kinezërirat e OSBE
Reagimi i PD-së vjen pas takimit që zhvilluan sot tre ambasadorët e akredituar në Tiranë, ai i SHBA-ve Donald Lu, e Bashkimit Evropian Romana Vlahutin dhe ai i OSBE, Bernd Borchardt, zhvilluan sot një takim me disa prej partive të vogla parlamentare.
Pas takimit, deputetja dhe kryetarja e grupit të PDIU-së, Mesila Doda zbuloi një detaj nga ajo çfarë ka deklaruar ambasadori i OSBE. Doda tha se ambasadori i OSBE-së, Borchardt ka thënë gjatë takimit se mos pjesëmarrja e Partisë Demokratike në Zgjedhje, do të jetë vetëm një fjali në raportin e OSBE/ODIHR, raport i cili del zakonisht 6 muaj pas zgjedhjeve.
“Anëtarët e opozitës ngritën shqetësimet e tyre dhe më pas unë pata një bisedë jo shumë miqësore me ambasadorin e OSBE, i cili ka deklaruar se mos pjesëmarrje e opozitës do të jetë një problem, por do të jetë një fjali në raportin e OSBE/ODIHR, ndërsa ndryshimi i Kodit dhe kërkesa për të dhënë më shumë transparencë, administrim dhe numërim të gjitha partive parlamentare në zgjedhje, ky po do të ishte një problem shumë i madh dhe ODIHR këtë nuk do ta lejonte. Kinezërira të tilla mendoj se nuk e ndihmojnë procesin dhe na përjashtojnë edhe ne të tjerëve nga ky proces”,- tha Doda:
Ndard Ndoka: Kriza po vjen nga diplomatët
I ashpër ndaj ambasadorëve pas takimit ishte dhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka. Kreu i Partisë Demokristiane akuzoi ambasadorin e OSBE, Borchard si shkaktarin e kësaj krize politike. “ Nuk pati një kërkesë të drejtpërdrejtë për futje në zgjedhje të partive të vogla, pavarësisht se ky është thelbi dhe qëllimi i takimit, por diskutimet tona ishin përtej asaj dëshirës dhe besoj më tepër e ndjenë vetën fajtor të kësaj krize, madje ne i ngarkuam ata me përgjegjësi se vendi po futet në krizë për faktin se disa prej tyre janë treguar të një anshëm në qëndrimin e tyre”,- tha Ndoka.
Kreu i PDK-se Ndoka i quajti papërgjegjshëri deklaratat e Borchard për numërimin elektronik. “Unë i shpreha edhe ambasadorit të OSBE që ai është përgjegjësi kryesor për këtë krizë për faktin se ai është shprehur publikisht një vit përpara që nuk ka kohë për numërimin elektronik, në një kohë që sot thonë ka kohë. Pra ishte një shprehje e papërgjegjshme e tij për të shtyrë mandatin, që kur ka probleme në Shqipëri mandati i OSBE shtyhet. Pra ja thamë ballasi ambasadorit këtë gafë diplomatike që institucioni i tij ka bërë me zgjedhjet”,- tha Ndoka.
Deklarata e PD për Vllauhtin:
Partia Demokratike u informua sot nga aleatët opozitarë për qendrimin e sotëm të ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, sikur Partia Demokratike gjatë pranisë së ndërmjetësuesve europianë në Tiranë ditën e martë, nuk pranoi propozimet e tyre dhe se nuk paraqiti kundërpropozime apo ofertë tjetër.
Partia Demokratike konstaton me keqardhje të thellë se ky është një shtrembërim total i të vërtetës, dhe fshehje e fakteve. Pas paraqitjes të propozimit për zëvendësimin e 4 ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë dhe shtyrjen e zgjedhjeve për datën 16 korrik, Partia Demokratike në emër të Opozitës së Bashkuar paraqiti një kundër-propozim me 3 pika, me qëllim arritjen e një kompromisi mes palëve:
1-Ofertën që kryeministri i qeverisë teknike të propozohej nga mazhoranca aktuale.
2-Përsa i përket datës së zgjedhjeve, oferta e PD ishte që të eksplorohej nëse zgjedhjet me votim elektronik, biometrik dhe numërimi elektronik do të mund të realizoheshin brenda tetorit. Nëse kjo do të rezultonte teknikisht e pamundur, të punohej për identifikimin biometrik të votuesve dhe numërimin elektronik të votës.
3-Partia Demokratike rikonfirmoi qendrimin e bërë publik prej 10 javësh se menjëherë pas formimit të qeverisë teknike, opozita do të kontribuonte në parlament për zbatimin e plotë të procesit të Vetingut dhe reformës në drejtësi.
Pas paraqitjes së kësaj oferte për kompromis, Partia Demokratike u informua se Edi Rama e refuzoi këtë ofertë, duke cuar në përfundimin pa sukses të përpjekjes për ndërmjetësim. Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për dezinformimin e partive të vogla parlamentare nga ana e ambasadores Vlahutin dhe thekson se qëndrime të tilla qartazi të njëanshme dhe dezinformuese nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj.