PD: Tahiri dekonspiroi hetimet e avionit. Ministri i shërben kartelit të drogës
Deputeti i PD-së dhe ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka akuzoi sot ministrin Saimir Tahiri për nxjerrje të sekretit hetimor. Noka deklaroi se Ministri ka dekonspiruar hetimet për rrëzimin e avionit dje në Ishëm të Durrësit.
Sipas Nokës, ministri ka informuar mediat lidhur më dëshminë që ka dhënë piloti italian. Noka tha se qëllimi i këtij informacioni ishte sinjalizimi i bashkëpunëtorëve të pilotit italian.
“Ministri Tahiri dhe Kryeministri dje fshehën lajmin për rrëzimin e avionit. Ndërsa në mbrëmje, Ministri Tahiri u kap në shërbim të kartelit të drogës. Tahiri nxori lajmin se piloti italian ka nisur të flasë. Krimin nuk e kanë kryer gazetarët që transmetojnë lajmin. Krimin e ka kryer burimi që ka dhënë lajmin. Krimin e ka kryer Saimir Tahiri”,-tha deputeti i PD-së, Flamur Noka.
Kjo është deklarata e dytë që bënë PD brenda pak orëve. Gjatë orës 01:00 të mëngjesit, në një reagim zyrtar, selia blu “shprehu shqetësimin e thelle për dekonspirimin nga Ministri i Brendshëm te hetimit qe po behet ndaj pilotit italian, te kapur sot ne Ishëm. Ky dekonspirim qeveritar behet me qellim per ti dhenë kohe dhe mundësi trafikanteve shqiptare qe kane porositur avionin qe te mbrohen e ti shpëtojnë ligjit. Partia Demokratike i kerkon Prokurorise te marre masa te shpejta dhe energjike ndaj cdo personi me pushtet qe dekonspiroi sonte hetimin” – thuhet në deklaratën e PD-së.
Gjatë orëve të mbrëmjes, mediat raportuan se piloti italian, Guido Guidi tregoi emrat e personave që i kërkuan ta provonte rrugën për në Shqipëri dhe të ulej në pistën e Ishmit. Në deponimin e pilotit thuhet se ai pranoi se ka ardhur për trafik droge.
“Erdha fillimisht për të parë zonën ku do të realizonim transportin. Më ka dërguar grupi i Milanos (u tregon prokurorëve emrat e shqiptarëve dhe italianëve) për të parë zonën ku do të realizonim transportin. Fillimisht unë u nisa nga Milano dhe i lashë ata në Bari. Aty më dhanë edhe hartat e duhura dhe instruksionet e tjera për të ulur në Shqipëri. Erdha për të parë pistën, do vijë një herë tjetër për të marrë rreth 200 kilogramë hashash”,- i ka thënë grupit hetimor piloti i avionit, Guido Guidi.
Kjo dëshmi, sipas PD, ka dalë për mediat nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Deklaratë e deputetit Flamur Noka:
“Saimir Tahiri u kap mbrëmë në shërbim ndaj kartelit të drogës.
Ai i dërgoi fjalë trafikantëve se italiani ka filluar të flasë, duke i këshilluar ata që të lëvizin, të marrim masa, të largohen, ti shpëtojnë ligjit.
Është pikërisht Saimir Tahiri njeriu që nxori lajmin mbrëmë se piloti italian i rënë me avion në Ishëm, ka nisur të rrëfejë se kishte ardhur për të transportuar drogë e të tregojë porositësit.
Saimir Tahiri ka nxjerrë sekretin hetimor, ka prishur hetimet.
Kjo është jo vetëm një provë e lidhjes së drejtpërdrejtë me bandat e trafikantët, por është po ashtu një vepër e rëndë penale, për të cilën ai duhet të mbajë përgjegjësi.
Partia Demokratike i kërkon prokurorisë ta hetojë me shpejtësi dhe vendosmëri këtë skandal dhe autorin e vërtetë të këtij krimi.
Krimin nuk e kanë kryer gazetarët që transmetojnë lajmin. Krimin e ka kryer burimi që ka dhënë lajmin. Krimin e ka kryer Saimir Tahiri.
I cili prej tre vitesh ka dalluar me të gjitha mënyrat si shërbëtor besnik i bandave të drogës e i trafikantëve, duke u dhënë edhe makinën private, duke djegur provat në laboratorin e shtetit, e së fundmi duke nxjerrë sekretin hetimor.
Karteli i drogës me Tahirin e me Ramën ndërtuan në mes të Shqipërisë një pistë avionësh, 1.5 kilometra të gjatë, ndërkohë që qytetarët nuk rregullojnë dot catinë e shpive të tyre sepse nuk i lejon policia.
Karteli i drogës e ka Tahirin edhe zëdhënës, pasi pas denoncimit që unë bëra dje në parlament, ai bashkë me Ramën tentuan ta mohojnë ngjarjen, ta fshehin të vërtetën.
Tahiri me pushtetin e ministrit të brendshëm po tregon se është një rrezik serioz për shtetin ligjor në këtë vend, ai eshte rrezik serioz për drejtësinë, për luftën ndaj krimit , dhe luftën ndaj drogës.
Ai duhet të merret menjëherë, sot, në ndjekje penale e të japë llogari para ligjit”.