PD: Vettingu i Ramës po mban në detyrë gjyqtarë të lidhur me krimin
Partia Demokratike reagoi sot ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Drejtësisë, që e cilësojnë procesin e Vettingut si të suksesshëm. Ish-ministri i PD-së, Gazment Bardhi tha sot për mediat, se procesi selektiv i Vettingut, i drejtuar nga Edi Rama po mban në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë të lidhur me krimin. Sipas tij, në listën e njerëzve që kanë kaluar vettingun ekzistojnë juristë që nuk justifikojnë milionat dhe vilat.
Ish-ministri i PD nuk përmendi emra juristësh, por prezantoi disa pika që tregojnë se në listën e njerëzve që kanë kaluar vetingun ka emra që nuk meritonin të ishin pjesë e drejtësisë. Sipas tij, nga vettingu i kontrolluar nga qeveria kanë kaluar dhe emra për të cilët Operacioni Ndërkombëtar i Moitorimit ka kërkuar që të përjashtohen.
“Si po pastrohet pallati i drejtësisë, kur vettingu i kapur prej tij konfirmoi në detyrë: Gjyqtarë dhe prokurorë që kanë deklaruar vila në pronësi të fëmijëve të tyre të mitur, të dhuruara nga prindrit pensionistë; Gjyqtarë dhe prokurorë të cilëve u janë zbuluar prona në bregdet në emër të vëllezërve. Gjyqtarë e prokurorë që kanë blerë pasuri të paluajtshme duke u marrë borxh familjarëve pa të ardhura dhe që banka u ka sekuestruar shtepinë për mospagim kredie. Gjyqtarë e prokurorë të kapur në flagrancë në përgjime në afera korruptive”,- deklaroi Gazmend Bardhi.
Duke reaguar ndaj qëndrimeve të mazhorancës për Shkollën e Magjistraturës, Bardhi tha se kemi të bëjmë me një tjetër skemë për kapjen e sistemit të drejtësisë. Sipas tij, plani i PS për emërimin e juristëve nga KLD dhe Prokurorja e Përgjithshme kthen edhe një herë sistemin në duart e institucioneve të kalbura të drejtësisë. “Ligji për Shkollën e Magjistraturës është provë e qartë sesi Edi Rama po zhbën reformën në drejtësi, sepse ky ligj është kthim mbrapa tek institucionet e kalbura të sistemit të vjetër të drejtësisë. Nuk bëhet fjalë për disa studentë, por nëpërmjet këtij ligji, Edi Rama kërkon t’i japë fuqi për emërimin e gjyqtarëve Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një institucion që reforma në drejtësi e shkriu si ngrehinën më të korruptuar në vend. Rikthimi i Edi Ramës tek institucionet e kalbura të drejtësisë pengon ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga të cilët varet ngritja e Prokurorisë dhe Gjykatës Antikorrupsion”,- deklaroi Gazmend Bardhi.
Duke akuzuar Edi Ramën se po kap drejtësi, përfaqësuesi i PD-së shtoi se gjithë lëvizjet e qeverisë me organet e reja të sistemit janë tentativa për të shpëtuar emrat e kabinetit qeveritar të lidhur me krimin. “Edi Rama po bllokon zbatimin e reformës në drejtësi që ai vetë të mos hetohet për korrupsion, për pastrim parash, për lidhje me krimin e organizuar. Që Tahiri, Xhafaj, Gjiknuri, Ahmetaj, Veliaj, Dako, Sejdini, habilajt dhe balilajt t’I shpëtojnë drejtësisë. Këtij projekti po i shërben edhe konfirmimi në detyrë i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Përdorimi politik i vettingut po rrënon besimin e shqiptarëve tek reforma në drejtësi”,- deklaroi Bardhi.