PDIU e Idrizit merr “kockat” e pushtetit nga Edi Rama. PS-ja lëpin ç’mbetet!
Kryesore E Premte, 30 Prill 2021 16:00
Partia Socialiste ka vendosur të rrisë peshën politike të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet në koalicionin e majtë. Javët e fundit, Kryeministri Edi Rama ka firmosur dhe urdhëruar emërimin në poste drejtuese të disa prej përfaqësuesve të PDIU.
Emërimi i fundit është ai i drejtorit të Autoritet Kombëtar të Ushqimit. Sot është shkarkuar drejtori aktual Isuf Shehu dhe në vend të tij është emëruar Dritan Sejko, i cili mbante më parë postin e Zv/ drejtorit të Hipotekave. Shehu ka qenë një emërim i PDIU në këtë post, pas shkarkimit të ish-drejtorit Afrim Bakaj, ku i fundit ishte emëruar në këtë detyre nga Partia Socialiste. Pas firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit në zgjedhjet vendore të vitit 2015, Bakaj u spostua nga detyra për ti hapur vendin një përfaqësuesi të PDIU. Drejtori i larguar sot, Isuf Shehu duket se nuk përmbushi pritshmërinë e drejtuesve të PDIU për punësimet. Ndaj në vend të tij, PDIU kërkoi nga Rama emërimin e Dritan Sejkos, duke premtuar ndryshime me dorë të fortë në këtë institucion.
Ndërsa shkarkimi dhe emërimi i fundit në AKU është një “larje” hesapesh brenda PDIU. Në institucionet e tjera, Kryeministri Rama po “lanë hesapet” me drejtorët e Partisë Socialiste. Gazeta “Koha Jonë” paralajmëroi pak ditë më parë lëvizje dhe në disa drejtori të tjera në drejtimin e të cilave shkarkuan përfaqësues të PS dhe u emëruan përfaqësues të PDIU.
Vala e shkarkimeve ka prekur disa drejtori në qarqe të rëndësishme, siç është Tirana, Fieri, dhe Saranda, të cilat njihen edhe si bastione të së majtës. Ndër lëvizjet më të fundit janë edhe ato në Drejtorinë e Shfrytëzimit të Automjeteve në Tiranë, ku vendin e Gentian Dajës i emëruar nga Partia Socialiste e zuri Galip Taho, nga PDIU. Po ashtu lëvizje ka pasur edhe në kupolën drejtuese të Spitalit të Fierit, ku Brunilda Camaj, një figurë e njohur e PDIU-së në Fier zuri vendin e Kreshnik Ternovës, i cili njihet për mbështetjen e socialistëve. Ndërsa lëvizjet më të fundit në nivel drejtuesish duket se kanë ndodhur në Sarandë, pasi bëhet fjalë për 4 drejtori që mendohet se do të ketë aleatja e PS-së në koalicion, pra PDIU.
Të gjitha këto ndryshime justifikohen me marrëveshjen e kreut të PS-së, Edi Rama me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi. Prej disa muajsh PDIU kërkoi që të përfaqësohej ne kabinetin qeveritar me një ministri. Kjo kërkesë u bë edhe në formë ultimatumi pas mosmarrëveshjeve që pati për reformën në drejtësi koalicioni, PS-LSI.
Në pamundësi për të bërë një rikompozim të kabinetit qeveritar me PDIU, Rama ka vendosur të rrisë peshën politike të kësaj force me ndarjen e pushtetit në nivele të dyta. Lëvizjet e fundit kanë të bëjë më shumë me zgjedhjet e ardhshme sesa me respektimin e marrëveshjes së vitit 2015. Kryeministri Edi Rama po fuqizon artificialisht PDIU-në me poste në administratë dhe punësim militantësh për ta patur si aleat të fortë në zgjedhjet e qershorit 2017. Synimi është që PDIU të jetë “goma” rezervë e koalicionit në rast të mos rinovimit të marrëveshjes me LSI.
Në këtë plan të Ramës për ti dhënë pushtet PDIU që të dëmtojë LSI-në, llogaria nuk del në favor të PS. Pasojat e shpërndarjes së posteve për drejtorët dhe militantët e PDIU po i vuajnë militantët e PS.
Në shumicën e rasteve të larguarit janë mbështetës dhe financues të PS-së në zgjedhje. Nëse Rama vazhdon të shpërndajë “kocka” pushteti për të bërë faktor politikë PDIU-në duke hedhur në rrugë socialistët, rrezikon që në zgjedhje aleatët të jenë faktor vendimtar për qeverisjen e ardhshme dhe jo PS-ja.
Në fund të fundit edhe një berr (kafshë) katër këmbë ka, ndaj deri tani katër këmbët e berrit i kanë ngrënë dhe nuk ka mbetur gjë më për militantët profesionistë të PS-së. Ka edhe bishtin, porse nuk mjafton për PS-në!