Pedagogët u bashkohen studentëve. Senati i UT kundër Kryeministrit: Tarifat i rriti qeveria
Pedagogët dhe stafi i universiteteve u janë bashkuar sot edhe zyrtarisht kërkesave të studentëve për qeverinë “Rama”. Senati i Universitetit të Tiranës, në një deklaratë publike ka mbështetur protestat e studentëve dhe thotë se qeveria duhet të gjejë zgjidhje për problemet e tyre.
Por në reagimin e Senatit të UT-së, bie në sy një kundërshti e hapur ndaj kryeministrit Edi Rama. Senati bën të ditur se nuk është universiteti ai që ka vendosur tarifat për provimet e prapambetura, por kjo masë është marrë nga një Vendim i Këshillit të Ministrave. Është i njëjti vendim që Edi Rama tha se do e anulonte menjëherë sapo nisën protestat e studentëve tetë ditë më parë.
Kjo deklaratë e UT është në fakt dhe një përgënjeshtrim i hapur ndaj qeverisë “Rama”. Në justifikimet që kanë nxjerrë deri më tani Kryeminsitri Edi Rama dhe ministrja Lindita Nikolla, argumenti kryesor i tyre ishte se tarifat nuk i ka rritur qeverisë, por bordet e universiteteve. Ndërkohë vet universitet thonë se vendimi nuk ka ardhur nga ata, por nga Qeveria dhe vendimet që janë marrë nga kryeministri Edi Rama. Denoncimi që i ka bërë sot Senati i UT është një tjetër argument që konfirmon kërkesat e drejta të studentëve.
Ndërkohë prania e pedagogëve në protestën e studentëve është gjithnjë e më e madhe. Tashmë nuk flitet vetëm për disa kërkesa, por për një lëvizje studentore dhe intelektuale që kërkon menjëherë ndryshimin e situatës së krijuar në vend me arsimin.