Përgjigje e detyruar: T’i përgjigjem “Syrit” të Çimit, apo pronarit të Pekës?

Nga Nikoll Lesi.

Sot në mesditë, pas drekës së “Syrit”, Çim Peka ka shkruar një editorial pa emër, po në emër te “Syri.net” me titullin: “Gazetar, apo avokatë të drogës?!”.

Dhe më ka futur mua si botues të gazetës “Koha Jonë”, bashkë me analistët Andi Bushati, Shpëtim Nazarko, Mustafa Nano dhe Ben Blushin si “avokatë të drogës”, pasi sipas tij po mbrojmë ministrin Fatmir Xhafaj.

E lexova shkrimin e portalit “Syri.net” për korrektësi të profesionit dhe ndërgjegjies sime, dy herë. Dikush nga emrat e përmendur në shkrim, me tha me humor se “nuk ia vlen të merresh me të dhe mos harxho kohë kot t’i ktheni përgjigje”. Ndërkohë kam mendim tjetër nga kolegu, pasi shkrimi është si editorial, ndonëse e di mirë se kush e ka shkruar pa emër. Pra është qëndrim dhe jo opinion i një X gazetari, apo analisti të përveçëm, të cilit edhe mund të mos i ktheja përgjigje. Por “Syri.net” për mendimin tim është portal popullor dhe duam apo nuk duam ka lexues të shumtë. Ndaj në respekt të vetes sime si gazetar me shumë vite mbi supe dhe si themelues i të parës gazetë të lirë e private në Shqipëri, gazetës “Koha Jonë”, por edhe në respekt të lexuesve të “Syri.net” me duhet të përgjigjem.

Së pari, shkrimi dukej i shkruar nga një dorë nxitimthi e nxehur, me mllef dhe pa argumenta. Nxitimthi, sepse kishte shumë gabime drejtshkrimore, aq sa nga mllefi nuk kanë patur kohë për t’i korrigjuar “argumentat” e tyre në artikullin me titull: “Gazetar, apo avokatë të drogës?!”

Së dyti, nuk marr përsipër të mbroj Ben Blushin, Andi Bushatin, Mustafa Nanon dhe as Shpëtim Nazarkon. Secili prej tyre mbrohet vetë, bile kanë penë më të hidhur se unë, ndonëse mesa kuptova nuk donin të reagonin fare ndaj një shkrimi të tillë.

Së treti, me duhet të them se qëndrimi i gazetës “Koha Jonë” ndaj rastit të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj ka qenë dhe mbetet i njëjtë: Ministër korrekt dhe si i fundmi i plejadës së socialistëve, pasi rilindasit në selinë rozë e morën kalanë e PS-së.

Së katërti, në lidhje me rastin e të vëllait, Agron Xhafaj mendoj, për aq informacion sa kemi deri më sot, se përgjegjësia mbetet në botën kapitaliste dhe demokratike, krejtësisht individuale. Është njëlloj, ndonëse çdo krahasimi çalon, që sikur Avenir Peka, një nga zyrtarët më korrekt dhe të ndërgjegjshëm që kam njohur në selinë blu, të ndëshkohet apo të penalizohet prej të vëllait të tij, Çim Peka, i cili drejton portalin e “Syri.net”.

Së pesti, raportet e “Koha Jonë” me Ilir Metën dhe LSI. Çdo gazete, apo portal ka një linjë editoriale dhe pavarësi brenda linjës që ndjek. Është gabim, apo jo këtë e vendos lexuesi, i cili të ndjek, ose nuk vjen fare te web-i yt. Natyrisht që ka edhe portale skandaloze, apo që financohen nga krimi dhe gjejnë mënyra djallëzore për të patur lexues, kjo nuk është ndonjë gjë e re. Portali “Syri.net” nuk futet në këtë kategori, pasi po të kishim patur informacion nuk do kishim hezituar për ta botuar, pa as më të voglën droje. Është portal me linjë editoriale opozitare, shumë PD dhe mbetet në të drejtën e pronarit dhe të drejtuesit, Çim Peka se si e mban “shënjestrën”. Siç kam edhe unë të drejtën time në këtë katrahurë mediatike, të traditës dhe të rrjeteve sociale për të patur një qëndrim editorial.

Më duhet të zgjatem paksa në këtë punën e linjës editoriale të “Koha Jonë”, pasi mbetet pavarësi totale e imja dhe jo si disa, në raport me pronarin, apo pronarët, që e ndërrojnë qëndrimin sipas lejes së ndërtimit, apo koncensionit të radhës nga qeveria. “Koha Jonë” ka lindur si e lirë dhe fatmirësisht ka dhënë prova faktike në 27 vite jetë të saj. Gazeta ka bërë epokën e duelit të madh ndër vitet 1993-1997 me pushtetin autoritar të Sali Berishës. Ndonëse u dogj, por ama fitoi si “kështjellë e medias së lirë”. Asokohe etiketohej si gazetë e Nanos dhe e PS-së! Kështu ua donte puna disa analistëve dhe portalshkruesve të mëvonshëm. Por “Koha Jonë” ndër vitet 2003-2005 ishte në ballë të kritikave ndaj pushtetit të korruptuar dhe kriminal të Fatos Nanos. Bile puna shkoi deri aty sa kryeministri Nano në vitin 2004 të kërkonte imunitetin tim dhe arrestimin si botues, ndonëse asokohe isha edhe deputet?

Apo jo i nderuar artikullshkrues i katit të 14-të të Kullës së madhe përballë TVSH-së?

Tani artikullshkruesi mërzitet se nga njëra anë “Koha Jonë” mbështet Ilir Metën dhe nga ana tjetër bën shkrime pro ministrit Fatmir Xhafaj! Po pse, sipas “Syrit”, unë duhet të marr leje te Ilir Meta?!

Ilir Meta është President. E respektoj si person që ka çarë udhën e politikës nga fshatrat e Skraparit, pa asnjë mbështetje. Nuk e ka patur babain në Komitetin Qendror të Partisë, apo doktor të Udhëheqjes dhe ka bërë histori. Natyrisht edhe duke gabuar. Por Ilir Meta ka punën dhe udhën e tij, sikurse “Koha Jonë” të veten dhe nuk ka pse hidhet piper sikur qëndrimet e gazetës pro ministrit Fatmir Xhafaj janë fije të Ilir Metës për paqe me ministrin. Ilir Meta nuk do t’ia dijë për njeri, për aq sa e njoh. E kam fjalën për duel politik, nëse turren për t’i rënë në qafë. Mundet që Çim Peka ta njohë më mirë, derisa edhe për vrap dalin bashkë me Presidentin.

Ilir Meta ka punën e tij dhe nëse gabon si President nuk dua që nesër “Syri” të shkruajë “Pse “Koha Jonë” po sulmon fort Ilir Metën?” dhe të fillojë hedhjen e “raketave” nga “Syri” se pse prekëm mikun e tij, Ilir Meta.

Ndërsa në raport me LSI, i nderuar drejtues i “Syrit”, gazeta “Koha Jonë” ka bindjen se, ndërkohë që kemi dy parti të vjetra tradicionale, PD e PS, të cilat janë gati të djegin e shkatërrojnë vendin për hir të interesave të tyre personale; Shqipërisë, pra SHTËPISË së përbashkët i duhet patjetër një parti e tretë politike, siç është sot LSI. Dhe sa për të tjerat në LSI do të ishte mirë që drejtuesi i “Syrit” t’i sqaronte më mirë me drejtuesit e LSI, me të cilët pi kafen e mëngjesit, apo ha darkën.

E fundit, mendoj se nuk është etike nga ana e portalit popullor “Syri.net” që të përdorë termin “avokatë të drogës”. Edhe vetë Çim Peka e di mjaft mirë se me atë botë krimi e mafieje, as kam patur e as nuk do kem kurrë punë e lidhje.

Gjithsesi, nuk e kisha ndërmend të shkruaja kaq gjatë, pasi siç më tha një nga kolegët e përmendur në shkrimin e “Syrit”, – “mos harxho kohë”, por koha duhet harxhuar kur akuza është bërë nga mllefi i sponsorizuar i një lideri politik që sot kishte 1-vjetorin e “dashurisë” së 18 majit 2017 me Edi Ramën.

Për sot dhe këtë herë me kaq!

 

Ja dhe shkrimi i botuar në “Syri.net”:

Gazetar, apo avokatë të drogës?!

Nga SYRI.net

Kurrë më parë, as në rastin e skandalit Tahiri, nuk ka ndodhur një mobilizim i tillë i paprecedentë i gazetarëve dhe medieve pranë kryeministrit Rama, për të mbrojtur në pamje të parë, një nga ministrat e tij, Fatmir Xhafajn.

Por më e “çuditshmja” është se edhe zëra që kanë krijuar perceptimin si kritik të kryeministrit, i janë bashkuar këtij koalicioni.

Emra të njohur që pretendojnë se flasin në emër të publikun, vrapojnë studio më studio e derdhin shkrime pafund nëpër portale, për të ngritur alibi nga më absurdet; të gjithë të përçartur dhe në ekstazë duke tejkaluar pa pikë turpi jo vetëm kufijtë e logjikës, profesionalizmit, por edhe të etikës.

Lufta, për të shpëtuar skemën

Fatmir Xhafaj është një politikan i vjetër, tani edhe një nga kokrrat e fundit të Partisë Socialiste i inkuadruar brenda Rilindjes. Në karrierën e tij të gjatë ai njihet si një politikan, apo edhe kur ka shërbyer e vazhdon si ministër në qeveri, që ndryshe nga shumica e kolegëve të vet, ka zgjedhur që të rrijë larg gazetarëve. Marrëdhëniet e tij me analistët dhe mediat në përgjithësi të çdo krahu kanë qenë të largëta, madje edhe të ftohta. Ndryshe nga të tjerë Xhafaj nuk është shquar kurrë si investitor, në qarqet opinionbërëse.

Por ja papritur që prej pak javësh, veçanërisht pas daljes mbi ujë të së vërtetës së vëllait të tij, Agron Geron Xhafaj, na del që Fatmiri paska një grup të gatshëm gazetarësh dhe analistësh të përbetuar që ta mbrojnë si kamikazë, përtej logjikës së argumenteve, madje po të kenë pistoleta nëpër studio, të gatshëm që ti nxjerrin për të qëlluar mbi këdo që mendon ndryshe.

Në fakt e vërteta nuk është, se ata mbrojnë ministrin e Brendshëm, as vëllanë e tij dhe madje as Edi Ramën. Në lojë këtë herë është e gjithë skema kriminale, e mafies së drogës. Zinxhiri që u hollua me rastin Tahiri dhe një grup drejtorësh policie është katandisur, deri në këputje përfundimtare.

Gazetar, apo avokatë të drogës?!

Egërsia dhe epizmi që shfaq kjo skuadrilje gazetarësh, për të mbrojtur vëllezërit Xhafaj tregon se investimi financiar është i madh. Disa nga më tipikët që po mbrojnë këtë skemë nëpërmjet një retorike absurdë, e madje me argumente idiote në funksion të alibive që i hedhin publikut, janë Mustafa Nano dhe Shpëtim Nazarko.

I pari ka një javë që ka braktisur gjithçka dhe i është përkushtuar me mish e shpirt, mbrojtjes së vëllezërve Xhafaj. Mbrëmë në emisionin “Opinion” i lemerisi të gjithë, duke përfshirë edhe Fevziun kur doli nga shinat dhe ju vërsul një djaloshi me integritet dhe profesionist në fushën e tij siç e njohin të gjithë, Gazmend Bardhin; me një fjalor rrugaçëror e shantazhues, që me shumë gjasa edhe Agron Geroni po të ishte personalisht në studio, nuk do të guxonte ta përdorte.

Nazarko nga ana tjetër, herë si zhurmues e herë si shejtan-budalla, përpiqet që ta nxjerr Xhafajn si supremen, në duart e të cilit ka ngelur fati i Shqipërisë dhe integrimi i vendit, prandaj mund ti falet çdo gjë; edhe vëllai trafikant aktiv droge.

Ka edhe të tjerë të këtij lloji, të cilët e kanë të shkruar në ballë “zhaken me para”, për të bërë avokatin e mafies së drogës, por nuk ja vlen të merresh me ata, sepse  e bëjnë vetë shumë mirë punën e vetëdemaskimit.

Interesant në këtë front është rasti, i Nikoll Lesit. Ditët e fundit, edhe duke u investuar personalisht me editoriale të nënshkruar me pseudonimin mediatik të preferuar, “Spiten Prulli”, në gazetën e tij “Koha Jonë” po bëhet një avokaturë teje e fortë ndaj Fatmir Xhafajt dhe detyrimisht edhe ndaj të vëllait; sepse në fakt ai dhe veprimtaria e tij kriminale është thelbi i çështjes. Themi interesant, sepse në të njëjtën faqe ku mbrohet me tituj bombastik Xhafaj, gjen me shumicë lajme të eksponentëve zyrtarë të LSI si Petrit Vasili e Ylli Manjani, të cilët mendojnë të kundërtën.

Nga ana tjetër prej kohësh media e Lesit mban si kryelajm, çdo veprimtari të punës së presidentit, sa që të krijohet përshtypja se është zëri zyrtar i Ilir Metës.

Nuk ka ndonjë gjë të keqe në këtë pluralitet, por perceptimi “naiv” i publikut duket sikur po përpunohet drejt përfundimit, që përderisa Nikoll Lesi po mbron fort Fatmir Xhafajn dhe vëllanë e tij, kjo është edhe linja e Metës.

E vërteta është, se nëse kthehemi pas në kohë, Ilir Meta me Xhafajn kanë qenë në përplasje të hapura, veçanërisht për çështjen e  projektit fillestar të Reformës në Drejtësi ( U detyruan ta rishikojnë pas Venecias dhe “kërcënimit” të kreut të LSI, për largim nga kooalicioni), në të cilën sot po del se ka ndërhyrë e falsifikuar nenin. për ekstardimin në favor të të vëllait të dënuar në Itali.

Por Lesi gjithmonë ka qenë “kokë më vete” dhe ky investim ndaj Xhafajt, mund të mos ketë lidhje fare me afeksionin e tij ndaj presidentit, por vetëm me konspiracionin që shpalos ai në shkrimet e tija; me pak fjalë Rama&Basha në koordinm, po “ja fusin” Fatmir Xhafajt!

Ndër zërat që i është bashkuar në mënyrën e tij, avokatisë “me të gjitha mjetet” të skandalit Xhafaj është edhe Andi Bushati. Duke vazhduar përpjekjen e tij titanike për të ruajtur integritetin dhe veçanërisht “paanësinë”, (jam kundër Ramës, por Saliu dhe këta të opozitës e kanë fajin!) në portalin e tij, “Lapsi.al”, në gjithë këtë histori çështja shtrohet; a është i besueshëm dëshmitari Albert Veliu!

Pra sipas Bushatit, meqenëse një ish skafist dhe trafikant droge i pa shkollë, nuk e artikulon dot qartë dhe “pa kontradikta” rolin aktiv si koka e trafikut të drogës në Vlorë e më tej të Agron Geron Xhafajt, i ndihmuar nga shefat e policisë, atëherë as Fatmiri dhe as ai vetë nuk mund të akuzohen ende!

Edhe Ben Blushi me çelësat e Top Chanel në dorë, që kur doli si flutur nga zyra me flutura e Edi Ramës, nuk kujdeset më edhe aq shumë, që të mbajë maskën e kundërshtarit pa kompromis. Edhe ky si ai partizani që ishte maskuar si partizan, që gjermanët ta merrnin për gjerman dhe të mos e ngacmonin, të vërtetën e skandalit Xhafaj “e zbulon” me sondazhe, sepse dokumentet dhe dëshmia e Babulit, nuk quhen!

Gjella, që i bashkon në një kazan

Filli, gjella, argumenti që i përbashkon të gjithë këta e të tjerë dhe mbi të cilin mbështesin alibinë e avokatisë është; se Fatmir Xhafaj na qenka ministri i Brendshëm më i suksesshëm i të gjitha kohërave dhe e ka apo se ka vëllanë trafikant droge, na duhet që të vazhdojë punën e nisur.

Në fakt kjo aureolë që i është krijuar Xhafajt, duke e krahasuar më së shumti me kohën e Tahirit është krejtësisht e gënjeshtërt. Nga të dhënat zyrtare, të të ashtuquajturit operacioni “Forca e Ligjit” tek i cilin mbahen me të madhe,  80% e të arrestuarve janë liruar nga prokuroria dhe gjykata, për mungesë provash. Deri tani në fakt kemi të bëjmë vetëm me një show, të ngjashëm me atë kundër lojërave të fatit, “Fundi i Marrëzisë”, i cili në përfundim vetëm sistemoi monopolet e Rilindjes në këtë fushë dhe e shndërroi Agron Xhafaj në një biznesmen, “edhe më të suksesshëm”.

Gjatë epokës Xhafaj, në fakt kemi vetëm dy ngjarje të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar. Operacionin pas të cilit u shkatërrua një grup i strukturuar që dërgonte në SHBA dhe Kanada klandestinë me të gjitha mënyrat dhe rrugët dhe kapja e 613 kilogramë kokainë, në Manzë. Të parin e kreu FBI nga fillimi në fund, kurse policët e Xhafajt ishin të detyruar që të ekzekutonin arrestimet.

Çështja e kokainës është, edhe më skandaloze. Pronari i bananeve ku ishte fshehur malli, ja mbathi nga pika kufitare nën hundën e policisë dhe përveç dy punëtorëve të firmës, askush nuk është arrestuar as sot e kësaj dite. Edhe  Arbër Çekajn e prangosën gjermanët, kurse hetimi nga pala jonë është bllokuar krejtësisht.

E njëjta analizë vlen edhe për organizatën e Met Kananit, i cili edhe pse bazën e kishte këtu në Shqipëri dhe madje dihej shumë mirë se me çfarë “biznesi” merrej edhe nga kolegë në PS të Xhafajt, goditjen e morri nga shërbimet sekrete dhe policia turke.

Fatmir Xhafaj sa herë del në media, numëron familje e organizata mafioze nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, por deri më sot askënd nuk ka goditur, edhe pse se cilët janë e dinë edhe kalamajtë e lagjeve, ku jetojnë e vazhdojnë biznesin.

Xhafaj mburret gjithashtu dhe ka krijuar perceptimin në publik, nëpërmjet këtyre analistëve të mësipërm, sikur shkallmoi skemën e Saimir Tahirit. Nëse do të ishte kështu, goditja e parë që duhej bërë pas asaj që ndodhi me kanabisimin e vendit, duhej të ndodhte në Vlorë, kryeqytetin real të këtij operacioni kriminal, të paprecedentë në botë, që nga kultivimi dhe deri te transporti i organizuar të mijëra tonelatave drogë drejt Europës.

Me Xhafajn ministër, “u zhduk” drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çelaj dhe shefa të tjerë, bashkëpunëtorë të trafikantëve të drogës të cilët vazhdojnë të jenë të lirë.

Ky ministër-rambo që na qenka i pazëvendësueshëm sipas Nanos, Nazarkos, Lesit etj, pranon që teorikisht se bashkë të vëllanë janë subjekt i Ligjit të Antimafies, por praktikisht, nuk janë!!

Ky burrë me “integritet” sipas këtyre “superanalistëve”, në vitin 2002 Xhafaj i dha dorëheqjen Majkos si ministër, vetëm sepse i vëllai akuzohej për trafik droge, kurse sot që ai është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe ka dëshmi se e vazhdon veprimtarinë kriminale, nuk paska asnjë arsye (të paktën morale e politike), për të bëjë sot të njëjtën gjë, pavarësisht e pranon apo jo Edi Rama.

As këtë dhe asnjë gjë nga ato që rreshtuam më sipër, nuk bën dot Fatmir Xhafaj. Sepse këtu nuk është më në lojë emri dhe karrigia e tij, as e Ramës; por fati i mafies shqiptare të drogës (të të gjitha llojeve)  këtu e jashtë vendit.

Prandaj shpura e mësipërme mediatike me ndërgjegje apo jo, me pagesë apo për arsye të tjera,  nuk është duke bërë avokatinë e Fatmir Xhafajt, as thjesht të Ramës por të vetë mafies shqiptare të drogës!

Një leksion se si bëhet gazetari e pa kapur, jua dha “profesorëve” sot ajo gazetarja e re me vetëm një pyetje, që e bëri Edi Ramën të mbetet pa zë dhe figurë dhe t`ja mbath me vrap:

Nuk paska Partia Socialiste njerëz, që nuk ka vëlla apo kushëri të lidhur me drogës që të drejtojë Ministrinë e Brendshme?!

© SYRI.net

SHKARKO APP